E Diel, 1 Nëntor 2026

Kastriot Islami: PS është kthyer në sallë gjyqi – s’do lejojmë të përndiqemi

18-12-2011 / Gazeta 55

Deputeti i Partisë Socialiste, Kastriot Islami deklaroi sot se s’do lejojë që mbledhja e ditës së martë e grupit parlamentar, ku pritet të diskutohet propozimi i Edi Ramës për përjashtimin e tij, të shndërrohet “në një sallë gjyqi”. Në një prononcim për mediat, Islami tha se megjithatë ai ende nuk e ka vendosur pjesëmarrjen në këtë mbledhje. Ndërkohë që shtoi se për këtë çështje ka filluar kontaktet me kolegët e tij deputetë brenda Partisë Socialiste. Në reagimin e tij, Islami tha gjithashtu se nuk ishte njoftuar zyrtarisht nga kryesia për vendimin e marrë duke thënë me humor se e kishte mësuar lajmin nga “rrjedhja e informacionit të klasifikuar të Wikileaks”, sikundër e cilësoi. Në këtë mënyrë ai ka ironizuar “sekretin” që u tentua të mbahej i fshehtë nga anëtarët e kryesisë së PS-së, të cilët u porositën nga Rama për të mos folur për mediat lidhur me vendimet dhe asaj çka ishte diskutuar në mbledhjen me dyer të mbyllura. Sipas statutit të Partisë Socialiste është kryesia që ia propozon grupit parlamentar përjashtimin nga rradhët e saj të një deputeti. Do të jetë mbledhja e ditës së martë e grupit ku pritet të zyrtarizohet edhe propozimi i Ramës për çregjistrimin e Islamit. Propozimi i kryesocialistit pritet të gjejë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pasi një pjesë e tyre edhe më herët kanë kërkuar publikisht të merret kjo masë jo vetëm ndaj tij por edhe ndaj deputetit tjetër “rebel” brenda rradhëve të tyre, Andis Harasanit.
Në mbledhjen e dy ditëve më parë të kryesisë së PS-së, Rama e argumentoi propozimin për përjashtimin e Islamit tek mungesa e pajustifikuar sipas tij në seancës parlamentare të së enjtes së kaluar. Sipas kreut të PS-së nëse opozita do të ishte e gjitha në sallë dhe me qendrim të unifikuar nuk do të ishte miratuar kandidatura e Bujar Leskaj për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por më shumë sesa kaq, duket se qëndrimet në kundërshtim me vijën zyrtare të partisë, që Islami ka mbajtuar në mënyrë sistematike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009, duket se janë në themel të kërkesës së Ramës për përjashtimin e tij.
Kundër deklarimit të prerë të Ramës për përjashtim të Islamit kanë reaguar Arben Malaj e Ben Blushi. Blushi ka kërkuar që të paktën, deputeti Islami të dëgjohet për arsyet që e detyruan të mungonte në seancë, duke e cilësuar të nxituar pozicionimin e kreut socialist Rama. Ai ka thënë gjithashtu se nuk mund të vendoset në kryesi dhe nga kryetari përjashtimi i deputetit, por kjo duhet kaluar në grupin parlamentar. Megjithatë Rama ka ngarkuar kreun e grupit, Gramoz Ruçi që të thërrasë në një “seancë dëgjimore” deputetin Islami për t’i dhënë mundësinë të sqarohet. Pritet që kjo të ndodhë ditën e martë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›