Kastriot Islami: Qëndrimet e Edi Ramës prej zhvjegu s’më largojnë nga Partia Socialiste

Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherazi sekretari për çështjet zgjedhore në këtë forcë politike, Kastriot Islami, paralajmëron se Edi Rama s’do jetë në gjendje ta përjashtojë atë nga Partia Socialiste. Z.Islami thotë se ai s’ka ndërmend të vetë-largohet, pasi kjo nuk është në moralin e përfaqësuesve socialistë, veç rasteve kur Edi Rama ka shpallur spastrimin e renegatëve, siç ka bërë me ish kryetarin më të suksesshëm të degës së PS-së për Tiranën, Musa Ulqinin, ish kryetarin e Kuvendit Servet Pëllumbi apo ish presidentin e Republikës Rexhep Meidani. “A është vetë larguar Musa Ulqini, kryetari më i suksesshëm i degës së Partisë Socialiste të Tiranës, a është i vetë deklaruar Servet Pëllumbi, Rexhep Meidani, Edlira Haxhiymeri apo dhe Eva Allushi? Jo. Nuk janë vetë larguar. Nuk ma pret mendja se mund të vetë largohen figurat e PS-së nga partia e tyre. Ka qenë Musa Ulqini që i ka dhënë teserën e anëtarësimit Edi Ramës. Dhe tani z.Ulqini nuk është në Partinë Socialiste. Unë deklaroj këtu se nuk do të largohem nga Partia Socialiste. Qëndrimet prej zhvejgu, më bëjnë më të fortë për të qëndruar në PS. Unë e kam lidhur karrierën time me një mandat deputeti si dhe si, sekretar për Çështjet Zgjedhore në PS. Z.Rama pranoi në intervistën e fundit, të gjitha pikat që unë i kam sugjeruar si, për futjen në parlament, ndryshimet kushtetuese dhe reformën elektorale”- u shpreh deputeti Islami. Deputeti socialist tha se ai i përket atij grupi njerëzish me inteligjencë maksimale që i dhanë vlera dhe integritet Partisë Socialiste, të cilët për 5 vjet e sollën PS-në në internacionalen socialiste, duke i dhënë një program të vërtetë Evropian. “Por, vitet e fundit PS ka humbur të gjithë atë integritet të formuar ndër vite”- tha Islami, duke akuzuar Edi Ramën se erdhi në krye të PS-së me synim për të përçarë të majtën. “Edi Rama ka ardhur me një mision, për të përçarë të majtën dhe për ta shkatërruar Partinë Socialiste. Në PS mbizotëronte fryma liberale në momentin kur Edi Rama u anëtarësua dhe pa këtë frymë liberale dhe integritet demokratik në ballafaqimin e ideve, lirinë e shprehjes, Edi Rama nuk do kishte mundur të bëhej pjesë e Partisë Socialiste si dhe s’do kishte patur kurrë shanse të zgjidhej kryetar i bashkisë. Por, tashmë ai e ka izoluar PS-në, aty nuk dëgjohet zëri ndryshe, madje paragjykohet si nxitës dhe përçarës”- tha Islami.
...