Mazhoranca: Shqipëria, i vetmi vend në Europë që nuk ka një parlament të standardeve bashkëkohore
Kuvendi miraton me 72 vota “pro” projektligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar
Kuvendi miratoi dje me 72 vota “pro” projektligjin për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar. Projektligji me 9 nene, i ka kaluar në pronësi Piramidën Kuvendit, për ndërtimin aty të parlamentit bashkëkohor. Deputetët demokratë debatuan në seancë lidhur me projektligjin që vetëm dy ditë më parë u miratua në komisionin e ligjeve, ndërsa shprehën me forcën e kartonit si të domosdoshme ndërtimin e një Parlamenti të ri dhe brenda standardeve bashkëkohore për një vend që aspiron të integrohet në Bashkimin Evropian. Kostoja e Parlamentit të ri do të vendoset nga tenderi i hapur, ku kompania që do të ofrojë më pak (sipas rregullave të tenderimit), do të përfitojë të drejtën e ndërtimit të kompleksit parlamentar. Vendimi i Kuvendit i hap rrugë ndjekjes së procedurave për projektin e zbatimit dhe ndërtimin e Parlamentit të Ri.
Mazhoranca e konsideroi ndërtimin e Parlamentit të Ri si një celebrim të përpjekjes së vështire 100 vjeçare për një shtet demokratik shqiptar. Deputetët e mazhorancës, veçanërisht relatorët e projektligjit Viktor Gumi dhe Enkelejd Alibeaj, i dhanë përgjigje dhe asaj që e quajtën pyetje 100 milion dollarëshe të akuzuesve që shqetësohen për koston e ndërtimit të objektit.
Deputetët demokratë sqaruan se Kuvendi miratoi një ligj që përmban procedura për ndërtimin e kompleksit parlamentar, jo për shkatërrimin e Piramidës. Ata theksuan se nuk është në detyrën e tyre llogaritja e kostos, por një llogari e kanë bërë tashmë: “Simbolikisht thonë se janë duke shlyer një borxh të madh, atë ndaj demokracisë shqiptare”.
Projektligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës vazhdojnë bojkotin e Kuvendit, që prej zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Gjithashtu, me 72 vota “pro” të shumicës parlamentare, Kuvendi ka miratuar pr/ligjin për blerjen e 3 helikopterëve të specializuar, për personalitetet e vendit.
Deputetët e mazhorancës kanë miratuar me 72 vota “pro”, projektligjin “Për Sigurimet Shoqërore”, projektligjin “Për Mbrojtjen e Konsumatorit”, projektligjin Për lejet e Mjedisit si dhe projektligjin “Për shkurtimet buxhetore në buxhetin e vitit 2011”.