Dy penallti, Shkumbini mposht sërish Dinamon
Shkumbini mposht për të dytën herë në këtë sezon Dinamon. Në sfidën e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, të luajtur dje në Peqin, skuadra e drejtuar nga Përparim Daiu fitoi me rezultatin 2-1 falë dy penalltive të shndërruara në gol nga sulmuesi Endri Bakiu. Vendasit u treguan të aftë që të përmbysin avantazhin fillestar të bluve, të cilët zhbllokuan rezultatin në të 55-n me sulmuesin Bekim Kuli. Por, festa e dinamovitëve ka zgjatur vetëm dhjetë minuta: në të 65-ën, Bakiu fiton një penallti, të cilën e shndërron vetë në gol. Kur kronometri tregonte 77 minuta lojë, Gërboviç ka fituar një tjetër 11-metërsh, pasi është ndaluar në mënyrë të parregullt në zonë. Ekzekutimin e ka marrë sërish përsipër Bakiu, që “vulos” fitoren e Shkumbinit. Gjithsesi, rezultati 2-1 lë gjithçka të hapur për takimin e kthimit, më 10 mars në Tiranë.
#