Kastro Zizo pranon lidhjen me Erletën
Po jeton momentet më të lumtura të jetës dhe këtë herë gjithçka do ta mbajë për vete dhe të dashurën e tij, Erletën. Ky është pakti që çifti i ri i show-bizz-it shqiptar ka bërë me njëri-tjetrin. Pa mohuar nga ana tjetër se është në këtë lidhje të re, kantautori i njohur i muzikës shqiptare Kastro Zizo, e ka bërë tashmë edhe më publike marrëdhënien e tij me moderatoren kosovare edhe përmes fotove të përbashkëta që ka vendosur në profilin e tij në facebook. Ashtu sikurse ka bërë edhe nga ana e saj bukuroshja Erletë. Në fakt prej disa javësh është shkruar në mediat rozë se këngëtari Kastro Zizo, pas divorcit që ka lënë pas, po prehet në krahët e Erleta Hotit. Gjithashtu dyshja është fotografuar së bashku edhe në plazhin e Dhërmiut në Shqipëri dhe Kastroja ka qenë i hapur për të folur në lidhje me këtë romancë, që shfaqet hapur çdo ditë gjatë komunikimit virtual në Facebook, ku dy të dashuruarit nuk i kursejnë shprehjet ledhatuese e të ëmbla. Një prej tyre është kjo shprehje që Erleta i ka drejtuar Kastros: “Sa herë të thërras në emër, po gaboj e po të them zemër!”. Por, pavarësisht këtyre deklaratave, Erleta, nuk e ka pranuar këtë lidhje me këngëtarin, të paktën jo për mediat kosovare. “Nuk kam në plan të flas publikisht në lidhje me zërat që thonë se jam e lidhur me Kastron. Përfundimin e kanë nxjerrë gazetat përmes shprehjeve e komunikimeve tona në Facebook”, është shprehur biondina, e cila duket se e jeton në distancë këtë histori.