Kastro i zhgënjyer: Nuk do të marr kurrë pjesë në ‘Top Fest’
Ndërsa po zhvillohet gjysmëfinalja e edicionit të tetë të festivalit “Top Fest”, kompozitori Kastro Zizo jep një deklaratë të fortë kundër festivalit. Arsyeja? Kënga e tij “Super Star”, që është një vetë rrëfim për karrierën e tij artistike, nuk ka hyrë në gjysmëfinale. Nga ana tjetër, tre këngë të krijuara nga artisti e kanë kaluar këtë fazë të konkurrimit dhe pritet të jenë edhe në finale. Në një deklaratë për gazetën “Mapo”, Kastro sqaron se: “Kam marrë vesh nga burime të sigurta, që kënga ime “Super Star”, e cila sjell komplet risi në ritëm, nuk kishte kaluar në gjysmëfinale e jo më në finale, që s’bëhet tashmë fjalë. Pavarësisht se unë deri më tani kisha qenë i respektuar dhe i vlerësuar edhe me çmime në këtë festival. Jo për faktin se unë jam personazh që kam 14 vjet në skenë, sesa për faktin se unë i di potencialet e mia dhe njerëzit, siç ma kanë thënë për llojin e këngës dhe në krahasim me ato këngët e tjera që janë në konkurrim, apo edhe që kanë kaluar në gjysmëfinale, ndihem i zhgënjyer. Mendoja se ishte një kompenticion i pastër, por që më së fundi e zbulova dhe vërtetova që është thjesht një monopol, mes gjithë monopoleve të tjera, që Shqipëria ka. Shqiptari në një mënyrë apo në një tjetër nuk heq dorë nga ritmet dhe tingujt arabik dhe ne deri sa të kemi njerëz që kanë monopole dhe shesin e blejnë muzikën dhe artin shqiptar, kam përshtypjen se muzika shqiptare nuk do të jetojë edhe shumë në këtë mënyrë. Jo për faktin se unë nuk kalova, por thjesht që ka ardhur një moment që duhet ta edukojmë popullin shqiptar, ndryshe me ritmet tona dhe me ritme më etno, ashtu siç na takon sepse ende nuk kemi një imazh të caktuar muzikor. Unë i uroj suksese atij kompenticioni dhe premtoj që kurrë më nuk do të marr pjesë, madje çdo lloj produksioni i im dhe i këngëtarëve të tjerë, premtoj që nuk do të lejoj me kontratë që të marrë pjesë në atë festival, të paktën deri sa të jetë në duar të këtij monopoli të frikshëm që është”, shprehet Kastro.