E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për një zgjerim të mëtejshëm të njohurive juridike

Nga Abdyl Bakiu, jurist

Abdyl BakiuGjithnjë e më shumë në të përditshmen tonë po rritet dinamika dhe interferenca e problemeve ekonomike dhe sociale, veç e veç e të gërshetuara së bashku, derivate të qarta të zhvillimeve bashkëkohore. Qarkullimi civil i vlerave materiale e monetare dhe krahas tij i problemeve psiko-sociale e familjare kushtëzojnë detyrimisht përshtatjen e legjislacionit e për më tepër njohjen e tij. Çështja e njohjes se koncepteve juridike bazë të së drejtës që në stadin aktual pasqyrojnë marrëdhënien e individit me shoqërinë, përveç aspekteve te tjera institucionale, është një nga problemet e shumta dhe themelore te teksteve tona didaktike arsimore. Sepse ne ende nuk kemi në programet mësimore të shkollës sonë, nga klasa e peste e ciklit të ulët deri ne klasën e 12 të arsimit të mesëm, një tekst të cilësuar që trajton disa nga çështjet themelore juridike që kanë të bëjnë me detyrimet dhe të drejtat e të rinjve para ligjit, me pozicionin e tyre respektiv ndaj kodeve civile, familjare e penale.

Jam i bindur, për shkak te sondazheve personale shumëvjeçare, se pothuaj të gjithë grupmoshat nga 11 deri në 18 vjeç që arsimohen në shkollimin publik shtetëror apo në atë jopublik privat, nuk kanë fare njohuri rreth vetes se tyre si subjekte juridike, në një kohë që janë në njohje të pjesshme dhe formale të kodeve të tyre etike, morale dhe konventave për të drejtat ndërkombëtare të fëmijëve dhe të rinjve, të nënshkruara dhe të formalizuara nga shteti shqiptar. Po të pyesësh një nxënës të moshës 11 deri në 17 vjeç, se çfarë kupton ai me qenien e tij si subjekt i legjislacionit civilo-penal apo i marrëdhënies juridiko-civile, se si duhet të sillet ai ndaj aspekteve të ndryshme ligjore që lidhen me lirinë individuale, dhunën fizike, psikologjike apo shpirtërore, të drejtën e kallëzimit, të drejtën e informimit dhe kushteve që lidhen me të etj, ai apo ajo nuk do te dinë të përgjigjen. Kuptohet që këtu nuk është fjala për të shtrirë hollësisht më tej një sistem të përcaktuar njohurish shkencore, duke shtuar dhe ngjeshur më tej kurrikulat mësimore të deritanishme që mjaftueshmerisht të ngjeshura janë. Këtu nuk ështe fjala për të krijuar vende të reja pune (mund te shihet edhe kjo mundësi) në organigramat e institucioneve arsimore dhe çelur shtigje pedagogjike. Këtu është fjala për të konkretizuar, objektivizuar dhe aktualizuar atë që është ndoshta thembra e Akilit të shoqërisë sonë shqiptare d.m.th. mungesën dhe profaninë e njohjes dhe interpretimit ligjor të akteve më të thjeshta që lidhen me figurën juridike të njeriut shoqëror. Në një shoqëri ku individi duke filluar nga mosha e pubertetit nuk merr informacionet fillestare për natyrën juridike të mjedisit ku jeton, në formë didaktike, ndodh shpesh që fenomeni i viktimizimit të errësoje dritën e arsyes racionale të sistemeve të pushteteve gjyqësore dhe të sjellë frikë, sjellje emotive kundërshoqerore, pakënaqësi grupi, lodhje dhe stres burokratik, etj.

Është e nevojshme që fëmijët tanë të edukohen që me hapat e para të formimit të personalitetit të tyre me njohuri juridike bazë, sikurse pajisen me njohuritë baze matematike, fizike, kimike, biologjike dhe të shkencave te natyrës apo të edukatës shoqërore. Është akoma më e nevojshme që fëmijët tanë të edukohen me frymën e kodeve tanë juridike në përdorim të qytetarëve të republikës, për të përfituar një nivel më të lartë të ndërgjegjes shoqërore në mbrojtje të mëvetësisë së tyre morale, psikologjike dhe shoqërore. Duhet që fëmijët tanë të reagojnë ndaj fyerjes nga fjala dhe ndaj forcës fizike te përdorur për intimidim apo poshtërim. Po kështu duhet të jenë të ndërgjegjshëm për veprimet e tyre dhe pasojat e këtyre veprimeve, për aktet e tyre shoqërore që kanë lidhje me ligjin në kontekste të caktuara pedagogjike, artistike, kulturore, familjare deri edhe fetare. Ata duhet të mësojnë të dinë dhe të kuptojnë që të vegjël, jo vetëm forcën e ligjit, por edhe dobësinë e tij njerëzore. Jo vetëm lirinë që ai dhuron kur je në anën e të drejtës legjitime, por edhe skllavërinë, kufizimin e ndalimin që ai ushtron kur je në anën e gabimit apo fajit.

Është domosdoshmëri e kohës njohja e koncepteve juridike siç janë zotësia juridike, zotësia juridike për të vepruar, kufizimet e saj deri ne arritjen e moshës madhore (18 vjeç sipas ligjit tonë civil), ndryshimet midis kundravajtjes penale dhe veprës penale, dënimi me gjysmën e kohës të parashikuar nga ligji për veprat penale që kryhen nga të miturit 14-18 vjeç (se fatkeqësisht ekziston psikoza e mosdënimit deri në moshën 18 vjeç), të drejtat dhe detyrat e të miturve në familje deri në arritjen e moshës madhore, administrimi dhe disponimi personal i pasurive të fituara vetëm me punën e tij, çështë personi fizik dhe ai juridik dhe ndryshimet midis tyre. Këto njohuri të jenë të mbështetura dhe të buruara nga kodi civil, penal dhe familjar shqiptar. Këto tekste mund të quhen Edukatë juridike, ose Kulturë juridike. Normalisht duhet të jenë dy llojesh, me njohuritë bazë të përshtatshme për moshën 11-16 vjec per ciklin 9 vjeçar të shkollës dhe më të zgjeruara për moshën 16-18 për sistemin 3 vjeçar të shkollës së mesme. Ne kemi plot juristë e pedagogë të talentuar që do dinë që në morinë e legjislacionit të përzgjedhin atë që duhet për të krijuar një korpus të vogël të njohurive të domosdoshme. Këto tekste do të miratohen nga një këshill juridik miks ose ad-hoc nga ministria e drejtësisë dhe ajo e arsimit. Pra duke njohur sadopak anën juridike të realitetit tonë, fëmijët tanë do të jenë në gjendje të gjykojnë rëndësinë e të qenit qytetar të ndershëm dhe të devotshëm të një republike demokratike jo në kuptimin politik dhe sociologjik të fjalës, por thjesht dhe vetëm në kuptimin kulturor dhe etik.

Vërtet ngadalë, por vazhdimisht në bibliotekat familjare do fillojnë të futen kodet civile, penale e familjare. Edukimi me më shume kulture juridike i bën njerëzit me te matur e racionalë, i ruan nga abuzimet që mund ti bëhen nga drejtime të ndryshme, individë ose të administratës. Tjetër gjë është ndihma e specializuar për çështje specifike e të ndërlikuara ku të rinjtë e qytetarët e ardhshëm, tashmë më seriozë, do i drejtohen organeve të specializuara siç janë policia, gjykatat apo zyrat avokatore.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›