E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katarsisi



Katarsis do të ishte njësimi i spektatorit të artit me modelin e krijuar prej tij. Kjo nënkupton pastrimin e pasioneve jo vetëm dhe jo thjesht nga mëshira dhe frika, që ndien prej përjetimit të subjekteve artistike, por mbi të gjitha, regjistrimi në qenien tënde i vlerave të reja komplekse të artit. Katarsisi paraqitet jo vetëm në muzikë e në art, por në çdo situatë me të cilën njeriu merr diçka për vete, për të pastruar dhe për të futur në vetvete atë, në mënyrë të pavetëdijshme, por të efektshme.

Njeriu në jetën e përditshme dhe në mënyrë të përgjithësuar shpreh mendimet e tij individuale, ndonjëherë edhe të pamenduara që do të jenë në dëm të tjetrit, duke u bërë edhe vetë pjesë e dëmit të shkaktuar për situatën që do të pasojë dhe do të jetë ai vetë protagonist i krijimit të frikës së shkaktuar prej këtyre mendimeve. Ekziston një mënyrë e veçantë e daljes nga kjo situatë, që me anë të muzikës krijohen premisa për tejkalimin dhe krijimin e katarsisit. Çka në të vërtet kuptojmë me katarsisin në art, muzikë? Cila është rëndësia e katarsisit në jetën e artistit dhe në shoqëri? Përse njeriu përjeton brenda vetvetes katasisin dhe cila është baza për përjetimin e tij? Këtyre pyetjeve do t’u përgjigjemi në mënyrë të thjeshtë dhe të përgjithshme që kanë të bëjnë me gjendjen e njeriut dhe midis raporteve të tij që krijojnë katarsis. Gjendja psikologjike-shpirtërore e secilit individ kalon nëpër faza dhe segmente kohore, ku këto faza janë të njëjta për të gjithë ata që në veten e tyre paraqesin interesin dhe ndjeshmërinë për natyrën e problemeve të të gjithë njerëzve. Katarsisi është emocion dhe ndjeshmëri ndaj vuajtjeve që sjellin tek njerëzit situatat e caktuara. Situatë post artistike, pastrim i emocioneve me anën e mëshirës dhe frikës. Një shkallë e ndjeshmërisë njerëzore, individuale, një stimulim për të dal nga vetvetja–uni, solidarizim me fatet e njerëzve të tjerë, vuajtje e përbashkët, guxim i përbashkët.

Veprimi katarsis është një ndryshim psikik i pranuar në mënyrë të vetvetishme e të pakuptueshme nga individi. Katarsisi nënkupton përfundimin paqësor e të përkryer të çdo vepre (Gëte). Katarsisi do të ishte njësim i spektatorit të artit me modelin e krijuar prej tij. Kjo nënkupton pastrimin e pasioneve jo vetëm dhe jo thjeshtë nga mëshira dhe frika, që ndien prej përjetimit të subjekteve artistike, por mbi të gjitha, regjistrimin në qenien tënde i vlerave të reja komplekse të artit. Katarsisi paraqitet jo vetëm në muzikë e në art, por në çdo situatë me të cilën njeriu merr diçka për vete, për të pastruar dhe për të futur në vetvete atë, në mënyrë të pavetëdijshme dhe të efektshme. Ja do të mundohem ta ilustroj një shembull me të cilin njeriu përjeton katarsis: Përderisa një gjyqtar gjatë procesit të gjykimit të një të pandehuri (i cili pafajsisht është i akuzuar dhe mbahet në burg për vepër penale), në këtë moment gjyqtari bëhet pjesë e individit të pafajshëm nga njëra anë (hyn dhe bëhet bashkëpjesëmarrës i vuajtjeve në shpirtin e tij) dhe nga ana tjetër është zbatues i ligjit. Përjetimi i katarsisit është vetëm atëherë kur gjyqtari del nga mendimet e veta të turbullta (atëherë kur dikush i afrohet dhe i thotë: “Hej zgjohu nga mendimet”.).

Katarsisi nuk është i barabartë me të gjitha efektet e mundshme të artit, por ai është, megjithatë, një formulë e thjeshtë, e përmbledhur e të gjitha funksioneve artistike. Ai është një situatë psikike e pashmangshme dhe e natyrshme, situatë që funksionon, vepron në çdo gjendje të njeriut, përmes emocioneve, psikikës, dhe ndjeshmërisë që ka për çdo rast. Aristoteli e demonstronte fare thjesht si pastrim i pasioneve me anën e mëshirës dhe të frikës, gjë që do të thotë se veprimi i tij bëhet funksional pas përfundimit të tragjedisë, në kohën bosh mes vetë tragjedisë dhe spektatorit. Kur mbaron ëndrra, atëherë tek individi sulmon katarsisi për qëllim të futjes së kësaj pjese në vetveten tonë, në mënyrë të pavetëdijshme dhe të efektshme. Në qoftë se një ngjare shkakton vuajtje (greq. “eleos”), apo (tmerr - “fabos”) analiza e kësaj ngjarjeje të çon drejt pastrimit (katarsis) të ndjenjave. Spektatori i artit është i inkurajuar të gjejë në veprën artistike diçka nga vetja e vet, një pjesë të unit që përpëlitet dhe vështirë se mund ta emërtojë vetveten në kushtet e garës shoqërore për ekzistencë.

Kjo do të demonstronte një mënyrë të organizimit të njeriut në aspekt të përmbushjes së jetës artistike, në të cilën vepron katarsisi dhe në bashkëqenie me të gjitha efektet që sjell në riorganizimin emocional dhe shpirtëror të tij. Si shfaqet katarsisi përmes muzikës? Në këtë pyetje do të përgjithësojmë atë që sjell katarsis. Qysh në Greqinë e lashtë u pa se përmes tragjedisë greke u arrit tek spektatori në një masë goxha të lartë bashkëqenia me vuajtjet dhe qëndrimi i tyre ndaj mëshirës. Andaj, përjetimi dhe shprehja e saj në muzikë na bënë të rindërtojmë dhe të riorganizojmë mënyrën e efektshme të veprimit katarsis. Ndjeshmëri që vepron në mënyrë të pavetëdijshme tek njeriu dhe rezultati i tij paraqet premisa të larta në avancimin drejt jetës artistike.

Çdo vepër e artit, muzikës, në bërthamën e saj, si dhe në paraqitjen e saj tek çdo spektator, artdashës, tek njeriu me shpirt human – pjesë e ngjarjeve që zhvillohen në kohën e caktuar – emocionalisht bart në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pavetëdijshme fenomenin e katarsisit, pjesë e asaj që quhet bashkëndjesi e vuajtjeve individuale të shoqëruara me frikën e mendimit. Në çdo vepër artistike njeriu gjen efektet e katarsisit, veprimin e tij duke na bërë të ndjeshëm për të qenë edhe vetë pjesë e atyre emocioneve që shkaktojnë pastrim nga e turbullta, rigjenerimin organik të mendimeve dhe rikrijimin tonë në aspekt të funksionimit sa më të përgjithësuar, duke qenë bashkëpërjetues i gjendjeve të krijuara nga muzika, në mënyrë të pavetëdijshme dhe efektive. Katarsisi në muzikë të drejton në përmbledhjen emocionale, duke u bërë bashkëveprues me njerëzit që transmetojnë këtë fenomen dhe ti si spektator e përjeton pa u përqendruar fare.

*Master për Estetikë dhe Publicistikë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›