Manas Petroleum nis shpimin për naftë në Shqipëri
Kompania zvicerane Manas Petroleum ka nisur ditën e djeshme punën për hapjen e pesë puseve njëkohësisht për gjetjen e naftës në Shqipëri. Zviceranët, të cilët kanë nënshkruar edhe një kontratë me qeverinë shqiptare, kanë nisur tashmë gërmimin në nëntokën shqiptare ku shpresojnë të gjejnë ar të zi. Kompania Manas Petroleum ka pranuar të investojë mbi 10 milionë euro nga paratë e veta duke rriskuar, por zviceranët janë të bindur se në Shqipëri do të triumfojnë dhe do të gjejnë naftë. Sipas parashikimeve të tyre, së shpejti Shqipëria do të ketë burime shtesë nafte të një cilësie të mirë. Manas Petroleum Corporation fitoi në dhjetor të 2007-ës koncensionin qeveritar për aktivitetet e eksplorimit, zhvillimit dhe prodhimit të hidrokarbureve falë akordit midis Ministrisë se Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, përfaqësuar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe DWM Petroleum AG. Rezervat e naftës në Shqipëri janë shumë më të mëdha, nga sa mendohej deri më tani. Në këtë përfundim ka arritur një kompani shumëkombëshe me qendër në Amerikë, e cila ka studiuar zonën e Shqipërisë së Mesme dhe atë të Veriut duke konkluduar se në këto zona ekziston një rezervë nafte prej gati 3 miliardë fuçish. Gustavson Associates LLC, një kompani e njohur në studimet 3-dimensoniale, ka arritur në përfundimin se në nëntokën e kësaj zone ekzistojnë edhe 3 trilion rezerva gazi natyror. Amerikanët e kanë kryer këtë studim për llogari të kompanisë zvicerane, Manas Petroleum, që ka të drejtën për shfrytëzimin e kësaj zone. Vlerësimi është bërë në blloqet A, B, D. Këto blloqe përshijnë një sipërfaqe prej rreth 4 mijë kilometrash katrorë. Ata shtrihen nga Durrësi deri në Shkodër. Qeveria shqiptare ia kishte dhënë të drejtën për kërkime në këtë zonë, më parë, gjigandit Shell Oil dhe Corporex. Por ky i fundit, pasi shpenzoi më shumë se 25 milionë dollarë për kërkimet, u tërhoq menjëherë pas shpërthimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999. Shell Oil kishte vlerësuar se rezervat e rikuperueshme të naftës në këtë zonë ishin mbi 820 milionë fuçi, shifër kjo që sipas studimit të ri është dukshëm më e madhe. Që nga viti 1990, vendi është ndarë në disa zona, të cilat u janë dhënë për shfrytëzim kompanive të huaja. Por, nga një vend eksportues deri më 1989-n, tashmë Shqipëria detyrohet të importojë 73% të nevojave të saj për naftë. Kjo, edhe për arsyen se dy vitet e fundit një pjesë e mirë e prodhimit vendas po ikën për eksport. Kanadezja Bankers Petroleum, që prodhon naftë në vendburimin e Patos-Marinzës në bazë të një marrëveshjeje koncesionare, po eksporton më shumë se gjysmën e prodhimit të saj në vendin fqinj, Itali. Ndërsa kompanitë e tjera koncesionare nuk ushtrojnë aktivitet nxjerrës. Në 15 vjetët e fundit, licenca për këtë qëllim u janë dhënë kompanive amerikane, austriake, kanadeze, kroate, greke dhe suedeze. Sipas statistikave të Bankës Botërore, janë kryer shpime në 4 666 puse nafte, nga të cilat 3 123 janë operative, ndërsa 981 të tjera janë mbyllur apo braktisur.