E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fobia e vërtetë e Ramës.

Në fakt, fobitë e “selisë rozë” për të cilat foli zëdhënësi i Partisë Demokratike një ditë më parë për “moshën dixhitale” e disa arritje që shpalli kreu i ekzekutivit qëndrojnë, por nuk janë ato thelbi i shqetësimit të PS-së. Akoma më keq nuk janë fobi të PS-së sesa shprehje e frikës së madhe që ka pushtuar kreun e opozitës së vendit të katërt në Kashar. Jo sepse reformat e ndërmarra nga qeveria nuk janë të rëndësishme, përkundrazi, janë avantazhe krahasuese shumë të mëdha, që duke iu bashkuar edhe ftesës për anëtarësim në NATO e lënë PS-në pa argumente. Në këtë kuptim është më se normale që opozita të shqetësohet dhe të reagojë ashpër në publik. Por arsyeja e vërtetë e sulmeve të Braçes, Leskajt & co lidhur me Gërdecin e ndonjë thashethem, është e fshehur në problemin më të madh me të cilin Rama duhet të përballet në këtë vit elektoral. Humbjen e kartës së vetme që ai ka ditur të luajë në krye të Bashkisë së Tiranës. Atë të investimeve publike, çka ka qenë i vetmi argument nënë sloganin e “Tiranës moderne” që u shit me mijëra herë në kamerat e televizioneve në dy mandatet e para të Ramës kryebashkiak.

Asokohe, duke pasur avantazhin e të qenit në pushtet së bashku me partinë e tij, kryetari i sotëm i PS-së sfidonte pa kuptim PD-në në opozitë nëpërmjet fadromave të Ilir Metës, apo gjobave të Anastas Angjelit. Diku duke lemerisur njerëzit me sëpatë në dorë, e diku duke prerë nga dy herë shiritat e Xhemal Tafajt, Rama mburrej para kamerave me shprehjen më patetike të tranzicionit shqiptar: “Unë punoj, ata flasin”. Këtë çështje që e ka zgjidhur një herë e mirë ironia e Preç Zogajt për pamundësinë e opozitës së atëhershme për të “tharë kënetën e Maliqit”, duket se koha e ka sjellë edhe një herë për diskutim. Jo për t’i dhenë të drejtë Ramës, por përkundrazi, për t’i sjellë edhe një publikut në vëmendje faktin e mediokritetit politik të kreut të PS-së. Ky mediokritet në artikulimin e tij politik me sa duket do të mbetet e vetmja konstante e tij pavarësisht pozicionit. Po të kemi parasysh se edhe në këtë sferë ai gjendet në pamundësi konkurrimi me mazhorancën, do të thotë se atij i mungojnë instrumentet për t’u përballur në zgjedhjet e ardhshme me Kryeministrin, pasi me kalimin e kohës Rama po bën gjithnjë e më pak “kosha”, e i duhen po ashtu 2 vjet për të shtruar me asfalt gjysmën e unazës së vogël. Pra shtrohet pyetja: “Po tani që dy partitë më të mëdha janë përballë njëra-tjetrës në pushtet? Ku janë “punët e Ramës”? Pse Braçe ia fut kot kur thotë se me paratë e shtesës që duhen për të përfunduar Rrëshën–Kalimash mund të shtroheshin rrugët Shkodër-Hani i Hotit, Levan-Tepelenë e Levan-Vlorë? Sepse lapsusi i Braçes në lidhje me tre akset që kanë filluar nga ndërtimi ose janë kontraktuar, vjen nga nxitimi për të mohuar me çdo kusht ndërtimin e aq kilometrave rrugë saqë qeverisjes së mëparshme do t’i duheshin katër apo 5 mandate e jo një. Ndaj në këtë fushatë përgënjeshtrimesh të përgënjeshtruara, kryetari i PS-së ka nxjerrë në media pothuaj përditë “peshën më të rëndë” që i ka mbetur, pikërisht Erion Braçen. Sa u përket çështjeve të tjera, në të cilat ndihet krejtësisht i pamundur për t’u përballur, në podiumin e konferencave për shtyp dalin të flasin ca “kandidatë të rinj për drejtorë” që nuk dallohen dot për nga zëri dhe stili me drejtorët e panumërt të bashkisë.

E pra Berisha ka përballë një kryetar opozite pa “kartë”, “një kalorës pa shpatë” që do të luftojë me mullinjtë e erës me disa “Sanço Panço” të vegjël që do t’u transmetohen kronikat pa zë, por vetëm me figurë, siç në disa televizione kanë filluar të shfaqen. Koha e batutave të tipit “unë punoj” duket se ka perënduar, e bashkë me to edhe sukseset e ish-kryetarit model të bashkisë, që impresiononte furgonat e pasagjerëve e ndonjë gazetar të paguar province që vinte për herë të parë në Shqipëri disa vite më parë. Këto përralla tani mund të bëjnë për vete ndonjë breshkë të vogël që sillet vërdallë në zyrën e kryetarit të bashkisë, e cila nga ana e vet nuk voton dot. Ajo rri në zyrë e nuk kupton gjë nga politika dhe “veprat” e padronit të saj.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›