E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katastrofë

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger injoroi diplomacinë e tij të zakonshme kur i përshkroi rregullat e reja të klubeve të Premierligës si “katastrofë për futbollin”.

Rregullat e vendosura nga Premierligë, të adoptuara nga Liga e Kampionëve, theksojnë se klubet duhet të regjistrojnë një ekip prej asnjë më tepër se 25 futbollistë, ku duhet të përfshihen së paku tetë lojtarë “vendorë”, në fund të secilit afat kalimtar.

“Besoj se është vendim katastrofal për futbollin dhe për futbollistët. Jam mjaft i befasuar që unioni (i futbollistëve” e ka pranuar këtë”, tha francezi para ndeshjes kundër Milanit në Emirates Cup, të shtunën. “Besoj se është vendim shumë i keq për klubet”, shtoi ai.

Sa i përket Premierligës, futbollistët ‘vendorë’ nuk duhet të jenë medoemos anglez, por duhet të jenë anëtar të Federatës angleze ose asaj të Uellsit për një periudhë prej tre sezoneve ose 36 muajve para ditëlindjes së tyre të 21-të.

Plani është fuqizuar për të shtuar numrin e futbollistëve të rinj vendorë në elitën e futbollit anglez. Kapiteni i Arsenalit, Cesc Fabregas, i cili muajin e kaluar fitoi Kampionatin botëror me Spanjën, do të kualifikohej si futbollist “vendor”, sepse iu bashkua Arsenalit si 16-vjeçar ndërsa tani është 23 vjeç.

Rregullat e reja nuk do të kenë ndikim të madh në ekipin senior të Arsenalit, pasi Wenger ka së paku tetë futbollistë që janë të kualifikuar për rregullën e futbollistëve vendorë. Por, Wenger, i cili në sezonet e fundit është varur nga futbollistët e huaj, shpjegoi pse ishte kundër rregullës së re.

“Jam kundër saj, sepse mendoj se shumë futbollistë do të mbeten pa klube, kjo është pasoja e parë matematike”, shpjegoi Wenger. “E dyta, ajo i vendos klubet në pozita të vështira në afatet kalimtare, sepse kur ju keni 25 futbollistë dhe blini dikë të ri, ju bëhen 26 dhe duhet të largoni një tjetër. Andaj, ju duhet të analizoni mirë kur blini një futbollist dhe llogarisni sa kushton largimi i dikujt tjetër”, vazhdoi ai.

Wenger nuk mendon se rregulla e re do të ndihmojë në zhvillimin e futbollistëve të rinj anglezë. “Klubet e mëdha edhe ashtu i kanë nga 25 futbollistë, andaj gjendja nuk do të ndalet nga një vendim i tillë. Janë vetëm dy zgjedhje. Nëse një klub i madh tashmë ka angazhuar një futbollist, ai duhet të shkojë te një klub më i vogël. Klubi i vogël paguan më tepër se potenciali i tij ose klubi i madh mbulon një pjesë të rrogës, edhe pse të dyja rastet nuk janë të kënaqshme”, përfundoi ai.

Rregullat e reja vlejnë vetëm për ndeshjet e Premierligës dhe jo për takimet evropiane apo ato të FA Cup dhe League Cup.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›