E Diel, 1 Nëntor 2026

Kategori të reja në ndihmën ekonomike, ushqim me tollon



Fillimviti i ardhshëm do të përmbajë një sërë risish për ndihmën ekonomike. Burime nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bënë të ditur dje për gazetën se në fillimvitin e ardhshëm në këtë skemë do të përfshihen një sërë kategorish të reja. Gjithashtu, për përfituesit e ndihmës ekonomike për herë të parë do të rivendosen tollonat për ushqimet bazë, një premtim i mëparshëm i qeverisë që ka për synim ruajtjen e nivelit bazik të jetesës së qytetarëve, mbi nivelin e urisë.

Ndryshimet e propozuara në skemë parashikojnë zgjerimin e kategorive të përfituesve. Kjo, pasi në praktikë u vërejt se kishte lindur nevoja e garantimit të përfshirjes së disa grupeve të papërfshira në skemë, sipas ministrisë.

Sipas saj, këto kategori do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së prindërve ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton. “Po ashtu, parashikohet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjikë dhe tetralegjikë ose invalidë pune, familjet që kanë si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension. Ky projektligj përcakton gruan si kryefamiljare në rastet kur ka praktika divorci për të tërhequr pagesën e ndihmës ekonomike”, - kishte bërë të ditur disa kohë më parë ministria.

Në këtë mënyrë, parashikohet që si pasojë e këtyre ndryshimeve, të përfitojnë ndihmë ekonomike për herë të parë rreth 800 persona jetimë, 400 persona viktima të trafikut, 500 gra në rastet e praktikave të divorcit. Si masë për të shmangur informalitetin dhe abuzimin, Sulka tha se është parashikuar shpërndarja e ndihmës ekonomike nëpërmjet sistemit bankar.

Këto ndryshime në ligj jo vetëm që zgjerojnë kategoritë e përfituesve, por edhe e kushtëzojnë marrjen e ndihmës ekonomike me disa kushte që nuk ekzistonin deri më sot.

Dako padit Olldashin në Prokurori

Vetëm 48 orë pas denoncimit dhe padisë penale nga ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ndaj kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, lidhur me një pallat me mbi 9 kate pa leje në qendër të qytetit bregdetar, duket se ky i fundit ka nxituar të përgjigjet me të njëjtën mënyrë, por kësaj here me akuzën e “shpifjes”. Duke dalë dje para mediave Dako deklaroi: “Dua të informoj të gjithë opinionin publik se do të depozitoj një kallëzim penal ndaj ministrit Olldashi për shpifje dhe fyerje ndaj personit tim. Është hera e dytë që Olldashi lëshon shpifje dhe akuza të pavërteta ndaj meje dhe Bashkisë së Durrësit, ka qenë Olldashi që nuk ka marrë masa për prishjen e disa kateve pa leje në një pallat në lagjen nr. 3 të qytetit. Ministri ka shpifur në mënyrën më të ulët, pasi bashkia jo vetëm që ka marrë vendim për prishje të këtyre kateve pa leje shumë kohë më parë, por ka depozituar edhe një kallëzim penal ndaj subjektit që ndërton këtë pallat që në muajin shtator të këtij viti, po kështu ka kërkuar nga Këshilli Bashkiak edhe miratimin e fondit për prishjen e këtyre kateve pa leje, projektvendim që pritet të miratohet në mbledhjen e radhës, pasi këshilltarët e djathtë u tërhoqën nga ky miratim në mbledhjen e fundit”. Fakti që vendimi i marrë nga KB qysh në shtator dhe vonesa e zbatimit të tij, ka detyruar z. Olldashi të mos vonojë dhe të padisë kryetarin e bashkisë, Dako.

1.1 milion euro për ujësjellësin e ri në Hamallaj

Hamallaj dhe Sukthi do të kenë ujësjellësin e ri, falë një investimi prej afro 1.1 milion eurosh nga qeveria. Kjo, pasi shpesh banorët në Hamallaj janë ankuar në prefekturë për mosfurnizim me ujë të pijshëm edhe pas investimit në miliona lekë për ndërtimin e ujësjellësit dhe shtrimin e tubacioneve. Por duket se problemet me firmat zbatuese në shumë punime të kryera në komuna, vlejnë për të dëshiruar, pasi konstatohen dobësi e të meta. Kjo, pasi nuk kontrollohen punimet dhe marrja në dorëzim e tyre bëhet nga njerëz inkompetentë të bashkive e komunave të vogla. Vetëm një vit më parë, qeveria akordoi plot 900 milionë lekë për të ndërtuar ujësjellësin që do të mbulonte furnizimin me ujë të pijshëm për një popullsi deri në 10 mijë banorë, ndërsa në pranverën e kaluar u akorduan edhe 50 milionë lekë të tjera. Duke parë interesimin edhe të ministrisë për të realizuar një nga projektet më të domosdoshme, siç është ai për ujin e pijshëm në Hamallaj, qeveria bëri të mundur edhe lëvrimin e fondit. Pas viteve ’90, zona e cila dikur ka shërbyer për internimin e familjeve për shkaqe politike, është populluar me banorë nga të gjitha rrethet e vendit. Rritja e numrit të banorëve shtroi para drejtuesve të komunitetit dhe dikasterit të pushtetit vendor, detyrimin për të siguruar fondet e financimit për ndërtimin e rrjetit të ri Hamallaj - Hidrovor, shtrirjen e tubacioneve të ujit dhe vendosjen e matësve. Të gjitha familjet do të kenë mundësinë të kenë ujë me bollëk, pas mbarimit të punimeve. Kërkesat e tyre u shtuan me rritjen e numrit të popullatës, ndaj në vitin 2008, qeveria akordoi fondin prej 900 milionë lekësh për të nisur nga zbatimi i projektit. Në kohën e fillimit të punimeve për të ndërtuar këtë ujësjellës, projekti është ndryshuar duke parashikuar shtirjen e tubacioneve dhe vendosjen e matësve në çdo shtëpi. Me fondin e shtuar investimi ka kapur shumën 1.1 milion euro, ndërsa është menduar se fondi do t’i jepte zgjidhje përfundimtare etjes së banorëve të zonës për ujë të pijshëm. Por, përfaqësues të banorëve të Hamallajt kanë vendosur të kërkojnë tashmë ndihmën e prefekturës për të mësuar se çfarë ka ndodhur me fondet e ujësjellësit të ri, sepse uji u vjen me hope. Tubacionet janë shtrirë në të gjitha lagjet e fshatit Hamallaj duke zbritur deri në Hidrovor, kurse instalimet e tubacioneve në banesa nuk janë realizuar siç duhet. Po ashtu, edhe matësit e ujit mbeten problem ende për banorët, që kërkojnë nga firmat zbatuese vendosjen e tyre. Nuk ka një deklarim zyrtar nga Bashkia e Sukthit për të pohuar nëse firma do të vijojë të punojë për të mbyllur detyrimin apo jo. Nga ana tjetër banorët do të dërgojnë në prefekturë, një ankesë me nënshkrimin e kryefamiljarëve për të vënë në dijeni ministrinë. Tubacioni i ujit të pijshëm nga Fushë-Kuqja kalon në anë të fshatit dhe kjo është shfrytëzuar disa vite më parë nga shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve. Për të furnizuar popullatën me ujë janë vendosur çezma publike në disa pallate dhe në lagjet e vogla. Hamallaj është afro 18 km nga qyteti i Durrësit dhe çështja e ujit të pijshëm duket se ka marrë zgjidhje vetëm tani pas investimit nga qeveria, ku janë shpenzuar 1.1 milion euro dhe uji ka vajtur me shumë mundim në shtëpitë e banorëve.

Shirat bllokojnë rrugët e Durrësit

Edhe pse shirat dje zgjatën vetëm 2-3 orë, sasia e madhe e ujërave të grumbulluara krijoi vështirësi në rrugën hyrëse të qytetit tek stacioni hekurudhor, në zonën periferike të Shkozetit si dhe në rrugët "Aleksandër Goga" dhe "Taulantia". Reshjet e shiut që ranë në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Durrës, bllokuan disa rrugë dhe kryqëzime kryesore të qytetit, duke krijuar trafik të madh në qarkullimin e automjeteve. Megjithëse shirat zgjatën vetëm një orë, sasia e madhe e ujërave të grumbulluara krijoi vështirësi në rrugën hyrëse të qytetit tek stacioni hekurudhor, në zonën periferike të Shkozetit si dhe në rrugët "Aleksandër Goga" dhe "Taulantia". Situata e krijuar shkaktohet si pasojë e sistemit të kanalizimeve, mjaft i amortizuar dhe në disa vende i papastruar prej kohësh. Pas shiut, grupe punonjësish të ndërmarrjes komunale po punojnë për pastrimin e rrugëve nga mbeturinat dhe materialet inerte, që i kanë sjellë ujërat nga kodrat pranë si dhe për zhbllokimin e tubacioneve të kanalizimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›