E Diel, 1 Nëntor 2026

Pa formë në politikë dhe jetë



Shqiptarët zgjodhën nëpërmjet votës më 28 qershor ata që qeverisin dhe ata që duhet të bëjnë opozitë, ndërsa më 8 dhjetor në sheshin “Skënderbej” rreth 500 mijë vetë rikonfirmuan edhe njëherë zgjedhjen e tyre nëpërmjet një pjesëmarrjeje unikale për një rast unikal, ditën e rinisë dhe të pluralizmit.

Janë po ata njerëz që rrëzuan diktaturën komuniste, që integruan Shqipërinë në NATO, që po e çojnë drejt Evropës, janë ata njerëz që shënojnë prezencën e tyre atëherë kur duhet. Këta njerëz meritojnë nderimin tonë maksimal.

Festa jonë në sheshin “Skënderbej” kishte 10 herë më shumë njerëz e ka kushtuar 10 herë më pak, nga ç’është broçkëllitur dje me aritmetikën e Çufos. Ndaj s’i dalin llogaritë për votat Ramës, se bën aritmetikë imagjinare, në vend të pjesëtojë, shumëzon e anasjelltas.

Pikërisht kjo ishte dhe ana tjetër e medaljes e atij mitingu: irritimi i ligjshëm ndaj Edi Ramës nxori në shesh qindra-mijëra vetë, pasi Rama është i vetmi njeri në gjithë historinë pluraliste shqiptare, që ka kthyer qëllim në vetvete dhunimin e votës së lirë pa asnjë fakt, veçse për interesa personale mafioze.

Zgjidhni të dashur kolegë të opozitës e tregoni që ju s’jeni si Rama! Reflektoni për momentin e sfidat e përbashkëta që kemi përpara. Reflektoni ndaj ftesave tona të vazhdueshme për të bërë opozitë në Parlament, si dhe ndaj thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve.

Pardje, komisionari Rehn përsëriti se bojkoti nuk është mënyrë evropiane e të bërit politikë. Jam e sigurt se ju jeni të ndërgjegjshëm për këtë, ndryshe nga Rama, që jo më larg se sot e quajti demokracinë “telenovelë të bukur”. Si në politikë, edhe në “profesionet” e mëparshme ai ka treguar se nuk ka formë. Retrospektiva e tij tregon që ai vazhdon të mbetet hibrid.

Mos u habisni që nesër, ai që nuk arriti të gjente kurajë për një dekadë për t’i thënë Zotit “faleminderit” që e bëri prind; ai që e trajton antivlerën si modernizëm; ai që përplas këmbët e thotë dua të jem Kryeministër dhe dua të jem tani dhe s’dua të bëhem Kryeministër me zgjedhje, se ato s’i duroj dot se s’fitoj dot, por dua Kryeministër në tavolinë, t’ju lëshojë dhe juve.

Nëse Rama vazhdon e thotë “Unë e di që me zgjedhje s’fitoj, por kutitë dua t’i shoh, unë s’di se çfarë më ke vjedhur, por patjetër që diçka do kesh bërë, se Kryeministër duhet të isha unë e të tjera si këto, shumë shpejt do t’ju bëjë me faj juve, pse nuk e bëtë me çdo kusht.

A nuk ju duket kjo e njëjta logjikë e Ramës djaloshar kur siç rikujtuam këto ditë, në gjyqin e divorcit me bashkëshorten e tij, thoshte s’bëj dot fëmijë, por as analizat që ta vërtetoj këtë nuk i bëj?! A nuk ju duket po e njëjta logjike e paqëndrueshmërisë kur thoshte në 2007, nuk hyj në zgjedhje se certifikatës, megjithëse e lëshoj vetë, nuk i zë besë?!

A nuk ju duket e njëjta logjikë kur thoshte nuk jap dorëheqjen nga kryetar bashkie, as dua të jem deputet, por do bëhem Kryeministër se s’bën?! A nuk ju duket e njëjta logjikë mosbesuese nëse kujtojmë që kodin elektoral e kërkonte me ngulm si kusht për të hyrë në zgjedhje, por që edhe pasi e bëri vetë këtë kod, nuk hyri në Parlament, sepse nuk i beson Ramës së para kodit?!

A nuk ishte po ky Edi Rama që bëri pakt me Nanon sa u bë ministër e kryetar bashkie dhe pasi mbaroi punë e mallkoi me formulën “Ti që më bëre nder mua, të bëftë Zoti gazep!?”. A nuk ishte po ky Rama që në 2007-ën iu desh Ilir Meta, të cilin në 2007 e përjashtoi si aleat e madje nisi ta sulmojë me formulat e spoteve anti-LSI?!

A nuk ju duket e njëjta logjikë kur tha se unazë e Madhe s’e bëj dot, po as ti qeveri e poshtër s’mund të ma marrësh, se është e imja?!

A nuk është e njëjta logjikë e një individi, i cili flet në një retorikë të përsëritur për demokracinë e lirinë e medias dhe në kongresin e Partisë së tij, i përzë me dhunë?

A nuk ju duket i njëjti avaz i “bëni si them unë e mos bëni si bëj unë”, kur flet për barazinë gjinore e dënon krimet e rrugës, dhe nuk i rëndohet, të paktën koka, nga imazhe ku ai vete ka qenë protagonist, sa here del në pseudombrojtje mediatike ndaj viktimave të dhunës?

A nuk ju duket i njëjti refren mjeran gënjeshtar kur premtonte program e politikë të re, kur thoshte e përbetohej se ai është ndryshe, se ai dhe vetëm ai, e bën politikën të re, se ai dhe vetëm ai bën fushatë pozitive, se ai dhe vetëm ai nuk është për politika të çala dhe për politikën e baltës?!

A nuk ju duket mbret i mashtrimit kur fushatën e bën për të mbrojtur qytetarët dhe atyre u zhvat pronë publike çdo ditë?!

A nuk ju duket trim, kur tund flamurin e ç’kioskëzimit me një dorë dhe me tjetrën firmos ndërtime mbi rrugë?! A nuk ju duket gënjeshtar VIP, kur thotë se e bën mitingun në bulevard se është ballë Kryeministrisë dhe është i bukur, dhe nuk thotë se i fut 10 mijë (po ia fal 50 mijë) protestuesit e tij të dalë me hir a pahir në ngushtica, se sheshin “Skënderbej” s’e mbush dot kurrë?!

A nuk ju duket qesharak kur beson se në Shqipëri ata që kanë dëshirë për të protestuar janë më shumë se ata që kanë dëshirë për të festuar?!

Ky njeri është i destinuar të mbetet vetmitar, sepse nuk është i besueshëm. Nuk ndërton dot asnjë lloj marrëdhënie, sepse nuk i beson as vetes. Nuk krijon dot lidhje afatgjata se nuk i qëndron fjalës. Nuk ka partnerë politikë se nuk i qëndron pakteve në politikë. 8 dhjetori e ndau historinë si çdo ngjarje tjetër e madhe. Në betejë me komunizmin shqiptarët ishin shumë, ndaj sot të gjithë ata që e urrenin në heshtje, e shpërfillën për vdekje, e tallën fshehurazi, e shanë hapur, por dhe të tjerë që të vështirë e kishin iniciativën për të qenë në ballë të revoltës, sot janë të fituar, ndaj ishin shumë në Sheshin “Skënderbej”.

Të humbur nuk janë nga vdekja e komunizmit as ata që e mbajnë ende gjallë atë. Edhe ata kanë fituar shumë, sepse kanë fituar lirinë e zgjedhjes mes komunizmit dhe demokracisë. Por, të humbur thellësisht janë ende disa të tjerë. Ata që kurrë s’kanë pasur kurajë të zgjedhin e t’i qëndrojnë zgjedhjes se tyre, por kanë jetuar mes farsës së dyzimit dhe mbretërisë së frikës.

Ata, komunistë, sado pak qofshin, siç ka thënë shoku Rama në veprën e tij “Refleksione” në faqen 197, mund të gjallojnë në forma të reja apo të vjetra.

Autori ka pasur të drejtë! Në formë të re apo të vjetër, ata janë njëlloj të rrezikshëm!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›