E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kategoritë e pilotëve që përfitojnë më shumë financiarisht



Anilejda Shëmbitraku

Është botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 166 vendimi i qeverisë për ndryshime në trajtimin financiar të pilotëve fluturues. Vendimi i Këshillit të Ministrave përcakton kushtet që duhet të plotësojnë pilotët, të cilët kanë fluturuar me avionë reaktivë, avionë me helikë dhe helikopterë dhe që kanë plotësuar ose plotësojnë kushtet për pension pleqërie, për të përfituar trajtim të veçantë financiar, në shtesë të pensionit, në masën 50 për qind, 35 për qind apo në masën 25 për qind.

Përfitimi
Përfitohet shtesë në masën 50% të pagës referuese që ka pasur përfituesi në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie, kur piloti ka fluturuar me avionë reaktivë jo më pak se 12,5 vite kalendarike. Kjo masë pagese përfitohet edhe kur piloti ka fluturuar me avionë me helikë dhe me helikopterë jo më pak se 16,5 vite kalendarike. Trajtim i veçantë financiar në masën 35 për qind të pagës referuese përfitohet nga pilotët fluturues në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie në këto raste; kur piloti ka fluturuar me avionë reaktivë jo me pak se 8,5 vite dhe kur piloti ka fluturuar me avionë me helikë dhe me helikopterë jo më pak se 12,5 vite kalendarike. Trajtim financiar të veçantë në masën 25 për qind të pagës referuese përfitohet nga pilotët, në çastin e daljes në rezervë, lirim ose pension pleqërie, për funksionet avion-drejtues fluturues, qitës-radist, radist, teknik, fluturues bordi. Këta persona duhet të kenë me jo më pak se 15 vite vjetërsi në shërbim, pavarësisht nga koha e daljes në pension. Qeveria miratoi dje projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin Nr. 9128, datë 29.7.2003, “Për një trajtim të veçantë financiar të pilotëve fluturues, në pension”, të ndryshuar.

Paga
Neni 2 i ndryshuar i këtij ligji parashikon se paga referuese është bazë për llogaritjen e këtij trajtimi financiar të veçantë. Me pagë referuese kuptohet: për pilotet dhe teknikët e Forcave e Armatosura, paga bazë për funksionin, plus shpërblimin për gradën, të njehsuar me pagën referuese të funksionit organik të ushtarakut aktiv, në të njëjtën detyrë me përfituesin, në çastin e lindjes së të drejtës për trajtim financiar të veçantë. Për pilotët dhe teknikët e njësisë së transportit mjekësor me helikopter, si pagë referuese merret paga e grupit, plus pozicionin dhe shtesat për fluturime, të njehsuara me pagën referuese të funksionit organik të pilotit/teknikut të kësaj njësie, në të njëjtën detyrë me përfituesin, në çastin e lindjes së të drejtës për trajtim të veçantë financiar. Po kështu pagë referuese për pilotët dhe teknikët e repartit të helikopterëve të Policisë së Shtetit, merret paga bazë për gradë apo funksion, plus shtesën për natyrë të veçantë pune e shërbimi, të njehsuar me pagën referuese të funksionit organik të pilotit apo teknikut, në të njëjtën detyrë me përfituesin, në çastin e lindjes së të drejtës për trajtim të veçantë financiar. Në këtë nen përcaktohet paga referuese edhe për pilotët/teknikët e Gardës së Republikës, paga bazë për gradë, plus shtesën për kushte të veçanta pune e shërbimi, të njehsuar me pagën referuese të funksionit organik të pilotit/teknikut, në të njëjtën detyrë me përfituesin, në çastin e lindjes së të drejtës për trajtim të veçantë financiar.

Ndarja
Përfitojnë trajtim të veçantë edhe këto kategori:

1- Pilotët/teknikët e Forcave të Armatosura, të cilët kanë fluturuar me helikopterë;
2- Pilotët/teknikët e njësisë së transportit mjekësor me helikopter, të cilët kanë fluturuar me helikopterë;
3- Pilotët/teknikët e repartit të helikopterëve të Policisë së Shtetit, të cilët kanë fluturuar me helikopterë;
4- Pilotët/teknikët e Gardës së Republikës, të cilët kanë fluturuar me helikopterë.

Funksionet
Njehsimi sipas ligjit të ndryshuar

Neni 6 i ligjit përcakton se si do të realizohet njësimi i funksioneve të pilotëve fluturues. Kur funksionet organike, në çastin kur piloti fluturues ka dalë në rezervë, lirim ose pension pleqërie, nuk ekzistojnë më në strukturën e Forcave të Armatosura, ministri i Mbrojtjes bën njësimin e tyre, për efekt të pagës referuese, me funksionet organike që ekzistojnë në Forcat e Armatosura, në çastin kur pilotit i lind e drejta e përfitimit të këtij trajtimi. Kur funksionet organike, në çastin kur piloti/tekniku i njësisë së transportit mjekësor me helikopter ka dalë në pension pleqërie, nuk ekzistojnë më në strukturën e Ministrisë së Shëndetësisë, ministri i Shëndetësisë bën njësimin e tyre, për efekt të pagës referuese, me funksionet organike, që ekzistojnë në çastin kur pilotit/teknikut i lind e drejta e përfitimit të këtij trajtimi. Kur funksionet organike, në çastin kur piloti/tekniku i repartit apo seksionit të helikopterëve ka dalë në pension pleqërie, nuk ekzistojnë më në strukturën e Policisë së Shtetit apo të Gardës së Republikës, ministri i Brendshëm, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit apo të komandantit të Gardës së Republikës, bën njësimin e tyre, për efekt të pagës referuese, me funksionet organike që ekzistojnë në Policinë e Shtetit apo Gardën e Republikës, në çastin kur pilotit/teknikut i lind e drejta e përfitimit të këtij trajtimi.

20 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›