E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi i vërtetë i Da Vinçit

Historianët zbulojnë numra të vegjël dhe shkronja në sytë e Mona Lizës

Zakonisht misteri qëndron tek buzëqeshja e saj enigmatike. Por, Mona Liza u bë epiqendra e një misteri tjetër të bujshëm dje, kur detektivët e artit zbuluan diçka të habitshme tek sytë e saj. Të fshehur në ngjyrën e errët të bebeve të syrit, ndodhen disa numra të vegjël dhe shkronja, të vendosura aty nga Da Vinçi dhe të gjetura vetëm falë teknologjisë së fundit, e cila e bëri të mundur këtë zbulim si pasojë e shpikjes së vëzhguesit me magniplitudë të lartë. Ekspertët thonë se kësaj radhe me siguri kanë gjetur një Kod të vërtetë të Da Vinçit. Dyshimet lindën (dhe si pasojë kërkimet) nga “Kodi i Da Vinçit’ të Den Braunit, i cili këmbëngul se “Mona Liza fsheh sekrete mbi Gralin e Shenjtë. Silviano Vinçenti, president i Komitetit Kombëtar të Kulturës në Itali, personi që dalloi i pari shenjat, thotë se “me sy të lirë nuk mund t’i shohësh fare shenjat, por me pajisjet e reja, ato janë shumë të qarta. Në syrin e djathtë janë shkronjat “L V”, të cilat me sa duket janë inicialet e Da Vinçit, ndërsa në syrin e majtë ka disa simbole të cilave nuk u a deshifrojmë dot kuptimin. Është shumë e vështirë madje të dallohen qartë. Duket në pamje të parë sikur janë shkronjat CE, por mund të jetë vetëm shkronja B. Në thellësi të syrit duken numrat 7 2, por mund të jetë dhe shkronja L dhe numri 2. Merrni parasysh që piktura është 500-vjeçare dhe nuk është më aq e qartë dhe e pastër si në kohën e krijimit të saj. Nga investigimet paraprake, kemi dalë në përfundimin e sigurt se ato shenja janë të autorit dhe jo gabime apo shtesa”.  Kërkimet nisën pasi një shoqatë kërkuesish zbuloi një libër antik në një dyqan antikash, libër i cili ishte i stilit alla Den Braun dhe fliste për simbole të fshehura në sytë e Mona Lizës. Vinçenti shtoi se “Da Vinçi ka futur diçka speciale tek Mona Liza dhe këtë e kuptojmë nga fakti që vitet e fundit të jetës së tij, kudo që shkonte, ai e merrte pikturën me vete. Gjithashtu dimë që Da Vinçi ishte shumë misterioz dhe gjithnjë linte simbole në veprat e tij, për të përcjellë mesazhe. Por, kushedi, ndoshta mund të jetë një deklaratë ose mesazh dashurie kundrejt personit që ka pikturuar”. Vinçenti është pjesëtar i një grupi që po kërkon leje të zhvarrosë trupin e Da Vinçit, i cili gjendet i varrosur në kështjellën “Amboise”, në Loire Valley në Francë. Ata duan të shohin nëse ndodhet në varr edhe kafka e artistit, në mënyrë që të rindërtojnë portretin e tij, për ta krahasuar më pas me portretin e Mona Lizës, për të parë a është një autoportret, siç besojnë shumë studiues.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›