Cani: “Para festave rritet me 5% çmimi i ilaçeve”
Anilejda Shëmbitraku
Shoqata e Konsumatorëve Shqiptarë, pas një vëzhgimi të detajuar, ka konstatuar se në vendin tonë ekziston një traditë e rritjes së çmimeve gjithnjë para festave. “Ne si konsumatorë këtë fakt e bazojmë në rritjen e çmimeve, sikurse në produktet ushqimore, të cilat prej 20 vjetësh, për çdo festë, dyfishohen 10 ditë para. Madje dhe disa muaj pas festave tregtarët nuk e heqin çmimin e rritur. Fatkeqësisht e çuditshme është rritja e ilaçeve për herë të parë para festave. Një rritje shumë e ndjeshme, deri në 7%, vetëm për muajin dhjetor”. Kështu ka deklaruar për gazetën “Albania” Islam Cani, kryetar i Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar.
Çmimet
Sipas SHKSH-së, këto 10 ditët e fundit të dhjetorit ka një rritje të çmimit te hidrokarburet në tërësi. Sipas deklaratës së Shoqatës, sot nafta është 150 lekë, benzina mbi 160 lekë dhe për gazin, për 10 litra duhet të paguhen 1600 lekë. “Ndërsa bombolat e vogla që konsumatori i përdor për kafe, kanë rritje çmimi 2%, bombolat 5-litërshe kanë një rritje prej 5%. Këto abuzime nuk janë të vetmet. Koordinatorja jonë në Shkodër thotë se përveç halleve të tjera që kemi, ajo që bie në sy në këtë situatë të vështirë është cilësia e dobët e hidrokarbureve. Ajo ka theksuar se nuk ndizen makinat, varkat etj. Në ndezje, sipas saj, janë të bezdisshme sobat e ngrohjes sepse janë të përziera me ujë, me solar dhe lëndë tjera”, - ka theksuar kryetari i SHKSH-së.
Trustet
Sipas SHKSH-së, konkurrenca e pandershme bie në sy në shumë biznese, por në sy bie rritja e çmimit të hidrokarbureve në tregun shqiptar. “Hidrokarburet tregtohen në një mënyrë të pandershme, për mendimin e grupit të specialistëve të SHKSH-së. Ky mendim është i bazuar në afro 1000 ankesa në të gjithë vendin. Dëshirojmë të theksojmë se në vendin tonë ka një dukshmëri të formimit të trusteve dhe ja pse e theksojmë këtë: Ruajtja e çmimit sa më të lartë, rritja e çmimit herë pas here dhe në vazhdimësi sa herë që një kompani në botë deklaron rritje të çmimit. Kohët e fundit çmimet në tregun tonë janë tërbuar. Sipas konsumatorëve, ka abuzime në shitje, vjedhje në 1-2 litra hidrokarbure në një shitje. Ata thonë se ka pasur raste që dhe në 2-3 furnizime të një automjeti të konstatohet produkti i përzier, sidomos nafta me vajguri.
Tregjet problematike
Në të gjitha tregjet e Tiranës paraqiten probleme nga më të ndryshmet, por që në të shumtën e rasteve vihet re mungesë e kushteve higjieno-sanitare. Për shumë qytetarë këto tregje përbëjnë problem shqetësues, ndaj ata kanë dërguar ankesat e tyre në Shoqatën e Konsumatorëve Shqiptarë. Por, deri tani, nga autoritetet përkatëse nuk është ndërmarrë asnjë masë që do të përmirësonte kushtet e higjienës, por edhe t’i mbronte konsumatorët nga rreziqet e ndryshme që mund të shfaqin nga konsumi i produkteve që shiten në këto tregje.
1- Tregjet Ushqimore në zonën e Kamzës. Në këto tregje vërehen probleme higjieno-sanitare të këqija. Këtu shiten produkte në tezga, përtokë, në baltë. Përveç fruta-perimeve tregtohen të gjitha llojet e ushqimeve të paketuara, mes tyre edhe ushqime për fëmijë. Gjithashtu shiten edhe produkte blegtorale, siç janë djathi, gjalpi, gjiza, qumështi, të cilat serviren për konsumatorët në kushte jonormale higjiene. Në këtë treg shitet edhe peshk, i cili vendoset në objekte të papërshtatshme.
2- Tregu në Kodrën e Kamzës. Është po e njëjta gjendje në gjithë rrugën qendrore, ku i shtohen edhe pluhurat nga lëvizjet e makinave.
3- Tregu tek Ura e Kamzës, ku paraqesin problem thertoret, të cilat paraqiten në një gjendje jo të mirë. Me gjithë përmirësimin e bërë ato ngelen në një gjendje jo të mirë, ku vërehen mungesa të theksuara të higjienës, sidomos nga shitësit e mishit, të cilët nuk respektojnë normat minimale të pastërtisë.
4- Tregu i Babrrusë. Paraqiten po të njëjtat probleme, siç paraqesin edhe tregjet e mësipërme. Këtu vihet re mungesë të theksuar të higjienës, kjo për shkak të ujit, i cili mungon në këtë treg për të pastruar ambientet.
5- Tregu tek ish-Fabrika e Tullave, në të cilin ka shkuar edhe pazari i tregtisë së gjësë së gjallë, (bagëtisë). Më parë ky treg ka qenë në rrugën “Jordan Misja”. Në këtë rast është ndërruar vendi, por jo metodat e higjienës.
6- Tregu te Stacioni i Trenit, paraqet probleme tepër të rënda, siç është edhe rasti i shitjes së mishit nëpër tezga, në ambient të hapur dhe është në kontakt të vazhdueshëm me pluhurat dhe mizat. Po ashtu problem shfaqet edhe për produktet blegtorale dhe ato të fruta-perimeve.
7- Tregu i uzinës “Dinamo”, ku ka 10 vite që Shoqata e Konsumatorëve Shqiptarë ka ngritur problem për të përmirësuar kushtet e gjithë tregjeve, por edhe të tregut në fjalë, ku është evidentuar një ndryshim me hope. Duke filluar nga ujërat e zeza, të cilat në të shumtën e rasteve dalin në sipërfaqe, përbëjnë një shqetësim të madh për gjithë tregun, konsumatorët, për produktet blegtorale, por edhe atë të fruta-perimeve.
8- Tregu i Kombinatit, tregu në rrugën “Fortuzi”, Rruga e Kavajës, tregu me shumicë në Qytetin e Nxënësve, tregu në Yzberish, paraqesin të gjithë po të njëjtat probleme, siç janë: kushtet higjieno-sanitare dhe kanë nivel të ulët të plotësimit minimal të kushteve. Në këto tregje ka produkte të fruta-perimeve dhe ato blegtorale, si bulmetrat, etj. Tregtarët më shumë vëmendje i kushtojnë faktit të shitjeve dhe jo se në çfarë kushtesh i shesin produktet e tyre.
20 Dhjetor 2010