E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër aleatët e PS-së: Rama prishi marrëveshjen

Në një dalje të përbashkët, kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, kreu i PDK-së, Nard Ndoka dhe ai i PSV'91, Petro Koçi, deklaruan se fitorja e PS-së në zgjedhjet e 2013-s është e dyshimtë, për sa kohë Rama po bën të njëjtat gabime, si në zgjedhjet parlamentare të 2009-s.

Gjinushi theksoi se reforma zgjedhore po degradon dhe kjo është përgjegjësi e plotë e PS-së. “Reforma zgjedhore po degradon. PS ka përgjegjësi për të garantuar reformë zgjedhore reale. E majta ndodhet në opozitë për shkak të qëndrimit të lidershipit dhe qëndrimit që mban me aleatët. Po të vazhdohet në këtë rrugë do të kemi rezultate si në 2009-n", tha Gjinushi.  Ndërkohë, që kreu i PDS-së, Milo, akuzoi se po bëhen të njëjtat gabime që sollën disfatën e 2009-ës, nga e cila për fat të keq, sipas tij, nuk janë nxjerrë mësime."PS po bën të njëjtat gabime që e çuan në disfatë dhe nëse ecet kështu do t'i kushtojë 2013-ta. Treni i PS-së jo vetëm nuk po zgjatet, por ka mundësi të shkurtohet. Nuk kërkojmë mandate si lëmoshë, por formulë bashkëpunimi si aleatë”, tha Milo. 

Të njëjtin qëndrim mbajti dhe kryetari i PSV '91, Petro Koçi, i cili paralajmëroi se kodi aktual krijon krizë dhe kjo mund ta çojë PS-në në udhë pa krye. "Kodi zgjedhor krijon krizë, ndaj PS duhet të ketë kujdes nga zërat që e çojnë në udhë pa krye. Duhet të realizohet një frymë bashkëpunuese, PS duhet t`i shtojë aleatët e jo t`i pakësojë", tha Koçi.  Ndërsa kreu PDK-së, Nard Ndoka, nuk përjashtoi një koalicion të mundshëm me të djathtën. "PS po hap hendek të madh në bashkëpunimin me aleatët, me qëndrimet e saj refraktare. PS e prishi marrëveshjen me aleatët për reformën zgjedhore, ndaj ka hapësira për koalicion edhe jashtë. Nuk e përjashtojmë një koalicion me PD-në", u shpreh Ndoka.

Në një reagim në Twitter, Rama shprehu keqardhjen për qëndrimin e aleatëve të majtë. "Keqardhje për reagimin në tym të aleatëve ndaj PS! PS mbron të njëjtën bindje me ta, por s'ka në dorë ta përmirësojë pa konsensus sistemin", shkruan Rama. /S.Ll/Start/

                                                                                             2012-04-07 16:23
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›