E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, ja ku ndahet PD dhe PS

Palët kanë arritur disa kompromise të rëndësishme, por pa u mbyllur janë ende edhe një sërë çështjesh të tjera, çka Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk kanë dakordësi për to.

Çështje të tilla, si dorëheqja e zyrtarëve kandidatë në zgjedhje, sistemi zgjedhor, zonat zgjedhore si dhe formula e KQZ-së, janë disa nga çështjet e mëdha që palët nuk bien dakord, çka duket se edhe muaji prill nuk do të bëjë të mundur përmbylljen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.

Deri më tani janë mbyllur 7 kapituj, ku janë “ndrequr” problemet e shfaqura gjatë dy zgjedhjeve të fundit. Sistemi Zgjedhor është pika më e fortë e ndarjes midis palëve, çka socialistët mbështesin aleatët e tyre për një sistem kombëtar, ndërsa demokratët, ashtu sikurse e ka theksuar shpesh kryeministri Sali Berisha, i qëndrojnë sistemi proporcional rajonal.

PD-ja pretendon se ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Edhe formula e KQZ-së i ndan palët, ku demokratët kërkojnë që të mbetet formula aktuale, ndërsa socialistët kërkojnë më shumë garanci që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të administrojë votimet. Në këtë drejtim janë dhënë disa opsione. Një nga formulat e propozuara është ajo mikse, ku përveç përfaqësuesve partiakë, në KQZ mund të ketë edhe përfaqësues nga institucione të pavarura. /Start/

                                                                                             2012-04-08 08:58
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›