E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër autorë nga diaspora

Në kuadër të manifestimit “Ditët e Diasporës në Kosovë 2012”, Ministria e Diasporës, të shtunën, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, organizoi promovimin e librave të autorëve mërgimtarë Fatmir Brajshori, Dashnim Hebibi, Salih Zogiani dhe Abdurrahim Ashiku.

Katër autorë që jetojnë në mërgim u takuan të shtunën në Prishtinë. Fatmir Brajshori, Dashnim Hebibi, Salih Zogiani dhe Abdurrahim Ashiku promovuan librat e tyre në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare, në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Diasporës’.

Siç bën të ditur Kosovapress, në këtë promovim, autori Fatmir Brajshori erdhi me librin e tij “Toplica, një foshnjë mbi Berlin”, e cila flet për shpërnguljet e shqiptarëve nga ajo trevë. Ai tha se libri i tij vjen edhe si një rebelim i tij ndaj klasës politike.

“Megjithëse ky libër i imi ka qenë edhe një lloj rebelimi për politikën, të cilët nuk është dashur asnjëherë të bisedojnë për Kosovën menjëherë pas përfundimit të luftës, por politikanët tanë është dashur të përqendrohen edhe si temë diskutimi ta bëjnë kudo Toplicën”, u shpreh ai.

Ndërsa, Abdullah Konushevci, botues i librit ‘Toplica, një foshnjë mbi Berlin’, tha se ky libër është edhe dokumenti i parë letrar që tregon për shpërnguljen e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit.

“Romani ‘Toplica, një foshnjë mbi Berlin’ është dokumenti i parë letrar për shpërnguljen e tmerrshme të shqiptarëve nga Toplica, Pusta Reka, Jabllanica; me një fjalë, nga Sanxhaku i Nishit, pas vendimeve që solli Kongresi i Berlinit më 1878. Ndonëse një vepër letrare, për shkak të kërkimeve të gjata të autorit, një pasardhës po ashtu i një familjeje muhaxhirësh, ky roman ka pak a shumë edhe karakter dokumentar, historik, politik etj.”, tha Konushevci.

Autori tjetër, Dashnim Hebibi, në këtë promovim u prezantua me librin e tij “Intervista në tranzicion”, e cila ngërthen në vete një sërë intervistash, të cilat autori i ka realizuar gjatë punës së tij si gazetar. Autori Hebibi tha me këtë rast se ndihet shumë i nderuar që merr pjesë në këtë aktivitet.

“Unë ndjehem shumë i nderuar që sot po marr pjesë në këtë promovim libri, në këtë tryezë me autorë nga diaspora, që edhe ne jemi munduar ta japim një kontribut në diasporën tonë, që të reflektojmë edhe ne nga diaspora, jo vetëm në aspektin humanitar, por edhe në aspektin kulturor, apo në aspektin publicistik në përgjithësi”, tha ai.

Për librin e tij foli Naim Kelmendi, redaktor i librit, i cili tha se ky libër përmban intervista që autori i ka realizuar gjatë punës së tij si gazetar me shumë prej personaliteteve të fushave të ndryshme.

“Libri i Dashnim Hebibit, ‘Intervista në tranzicion’, përmban në vete një sërë intervistash, të cilat gazetari ynë i ka realizuar kohë më parë me një sërë personalitetesh të politikës, artit, muzikës, sportit e të veprimtarive kombëtare”, theksoi ai.

Më tej u prezantua edhe autori Sali Zogiani, me veprën e tij “Anekdota 5”, i cili është mbledhës i kulturës popullore, apo më saktësisht i anekdotave.

Ai tha se puna e tij është mbledhja e trashëgimisë shpirtërore.

Kurse redaktori i librit të tij, Sylejman Dermaku, tha me këtë rast se nuk ka më kënaqësi se sa të jesh i shkurtë në mendime, por i qartë për të gjithë, duke aluduar në anekdotat, të cilat ai i quajti edhe si filozofi në vete.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe se të jesh i shkurtër, i qartë dhe i kuptueshëm dhe i tillë është çdo njeri që është lakonik në të folur, porse elokuent në rrëfime. Pikërisht kjo magji është stolisur në anekdotën shqiptare. E tërë filozofia e saj përmblidhet në disa fjalë që përcillet me një mesazh nëntekstor. Zaten, këtu edhe qëndron madhështia e anekdotës”, tha Dermaku.

Ndërkaq, në fund u paraqit autori Abdurrahim Ashiku nga Dibra, por që jeton prej kohësh në Athinë të Greqisë. Ai u paraqit me një sërë librash, të cilat në një mënyrë i kishte emëruar me titullin “Njerëzve që i dua”. Duke folur për praninë e tij në Kosovë, ai tha se për të është nder shumë i madh që gjendet në mesin e Kosovës dhe kosovarëve, për të cilët tha se ka dëgjuar nga odat e Dibrës.

“Është kënaqësi dhe nder i madh për mua që të jem në Prishtinë me pesë librat për njerëzit që i dua, të jem në Kosovë midis kosovarëve, që në fëmijërinë time kanë hyrë e kanë bërë rrënjë si divat e përrallave, në një trevë të moçme shqiptare, ku siç tregonin pleqtë në odën dibrane, lisin nuk e çan kali, grurin nuk e pret dot drapri dhe bostanin nuk e mban dot kerri”, tha Ashiku. Ai e falënderoi Ministrinë e Diasporës për ftesën që ia ka bërë për promovim të librave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›