E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër fëmijë të prekur nga HIV/AIDS, akuza shëndetësisë

Shoqata e Dhuruesve me Pagesë: Ministria t’i dëmshpërblejë me 10 mijë euro

Diskriminimi, si dhe problemet e fëmijëve të prekur nga HIV/AIDS, bashkë me sikletin e familjarëve të tyre, janë bërë tema e ditës në familjet shqiptare. Duke nisur nga historia e familjes nga Belshi, si dhe situata aktuale e dhurimit të gjakut, dje ka reaguar kryesia e Shoqatës së Dhuruesve me Pagesë të Gjakut.

Edhe pse strategjia e Ministrisë së Shëndetësisë për shtimin e vullnetarëve proklamon për dhurim falas të gjakut, edhe pse dhuruesit me pagesë shpesh herë kanë qenë në konflikt të vazhdueshëm me strukturat shëndetësore, dje në një njoftim zyrtar kanë akuzuar se këto struktura janë përgjegjëse për infektimin e katër fëmijëve nëpërmjet gjakut. Po ashtu, kryesia e kësaj shoqate ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë duhet t’i dëmshpërblejë fëmijët, duke akorduar plot 10 mijë euro për secilën familje.

Madje, sipas Skënder Hekurit, kryetarit të Shoqatës së Dhuruesve me Pagesë, deklarata për mundësinë e dëmshpërblimit është bërë pak kohë më parë nga ministria përkatëse.

Akuzat dhe deklaratat zyrtare të kryera dje, Ministria e Shëndetësisë nuk i ka dhënë asnjë përgjigje zyrtare. Sipas strukturave shëndetësore, strategjia e së tashmes dhe së ardhmes është gjaku i sigurt, i dhuruar vullnetarisht dhe kontingjenti i atyre që japin gjak me pagesë nuk është pjesë e kësaj strategjie.

“Kryesia e Shoqatës së Dhuruesve të Gjakut po ndjek me përgjegjësi problemet e lidhura me gjendjen aktuale të dhurimit të gjakut dhe sheh me shqetësim që në spitalet tona po thellohet gjithnjë e më shumë deficiti në rezervat me gjak, të cilat janë mjaft të domosdoshme për trajtimin e të sëmurëve”, sqaroi zyrtarisht dje kryesia e dhuruesve me pagesë.

Sipas njoftimit, Shoqata e Dhuruesve të Gjakut ka ndjekur me vëmendje deklaratën e një familjeje me fëmijë të infektuar. Njëzëri është në mbështetje të kësaj familjeje dhe akuzon Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qendrën Kombëtare të Transfuzionit.

“U bëjmë thirrje këtyre instancave të pranojnë dhe t’i kërkojnë falje publike opinionit publik shqiptar, se në spitalet tona gjaku nuk është i sigurt dhe se kanë dështuar në politikat për një gjak të sigurt dhe tërësisht vullnetar”, sqaroi Skënder Hekuri.

Sipas tij, në të njëjtën kohë Ministria e Shëndetësisë duhet t’u qëndrojë deklaratave të saj se për katër fëmijët e infektuar nga pakujdesia e mjekut dhe gjakut jo të sigurt, do jepte në formën e shpërblimit një shumë prej 10 mijë eurosh për çdo fëmijë.

“Shoqata e Dhuruesve të Gjakut, në emër të 15 mijë anëtarëve të saj, edhe njëherë kërkon që fëmijët e infektuar të marrin masat e shpërblimit, si dhe që Ministria e Shëndetësisë të nxjerrë përpara drejtësisë personat përgjegjës”, referoi dje kryesia e shoqatës. Në njoftimin zyrtar nënvizohej se nëse nuk merren masat e duhura, Shoqata e Dhuruesve të Gjakut do të ndërpresë dhurimin në qendrat e mbledhjes së gjakut, pasi jeta e dhuruesve të gjakut dhe njerëzve që kanë nevojë për të, nuk është e sigurt.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›