E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të vazhdojnë negociatat, fund bojkotit

BE: Stabiliteti politik është i rëndësishëm, si dhe konsolidimi i institucioneve

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian presin që situata politike në vend të përmirësohet përpara përpilimit të opinionit nga Komisioni mbi statusin kandidat të Shqipërisë. Ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar, theksoi se “para së gjithash, të gjithë ne shpresojmë që situata politike në Shqipëri të kthehet në vendin e duhur, që opozita të hyjë në Parlament. E kuptoj që Presidenti po drejton bisedimet për gjetjen e një zgjidhjeje dhe shpresojmë që ai ta gjejë zgjidhjen, sepse kjo do të ishte në të mirë të vet Shqipërisë në radhë të parë. Për sa i takon statusit kandidat, në shpresojmë që të punojmë së shpejti mbi këtë aplikim në Këshillin e Ministrave të Jashtëm”. Shqipëria, theksoi ai, tani po përgatitet ndaj pyetësorit. “Pas kësaj çështja i kthehet Komisionit, i cili merr ca kohë për përgatitjen e opinionit. Gjatë kësaj kohe, të gjitha problemet në Shqipëri shpresoj të jenë zgjidhur”, u shpreh Zbogar. Ministri portugez për çështjet Europiane, Pedro Lourtie, u shpreh se “stabiliteti politik është i rëndësishëm dhe po ashtu dhe konsolidimi i institucioneve demokratike”. Sipas tij, ekziston një proces, i cili duhet ndjekur e kritere që duhen përmbushur, ndaj negociatat do të ndiqen deri në fund. “Kjo është çështje e brendshme e Shqipërisë, por na vjen keq dhe i kërkojmë opozitës të kthehet në Kuvend dhe që për këtë të ketë një dialog që ta zgjidhë këtë çështje në veçanti. Unë nuk pres që opinioni i Komisionit për Shqipërinë të jetë mbi tryezë për ca si shumë kohë. E sigurisht që shpresoj që situata aktuale të zgjidhet shumë më përpara opinionit”, nënvizoi ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt. Kryediplomati finlandez Alexander Stubb vlerësoi se “është shumë e vështirë që të gjykosh për këtë, pasi të gjitha vendet e Ballkanit kanë një proces politik e disa prej vendeve janë më shumë problematike sesa të tjerët, kështu që duhet parë efekti përfundimtar”. Për sa i takon liberalizimit të vizave nuk ka një datë të qartë se kur do të hyjë në fuqi heqja e këtij regjimi me shqiptarët dhe boshnjakët. Sllovenia shpreson që të paktën politikisht të jepet një mesazh pozitiv në qershor për dy vendet e prapambetura, por gjithçka varet nga vlerësimi i komisionit për plotësimin e kritereve të kërkuara. “Ne po punojmë që të ndodhë gjatë qershorit, ndaj shpresojmë shumë që të bëhet nga qershori. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ne të përcjellim këtë mesazh ndaj qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjës gjatë Presidencës spanjolle. Ne, Sllovenia, po punojmë për arritjen e këtij synimi, por natyrisht që varet shumë nga mënyra sesi secili prej këtyre dy vendeve do të jetë përgatitur, varet nga vlerësimi që do të përgatisë Komisioni”, tha diplomati slloven. Ministri suedez tha se “ne do të votojmë pro kur të vijë momenti. Mendoj se Komisioni, siç na ka thënë, po vlerëson Shqipërinë dhe Bosnjën dhe ne presim që fillimisht një raport për këtë të paraqitet në Këshillin e Ministrave të Brendshëm e më pas tek ne. Nëse merr dritën e gjelbër atje, natyrisht do të gëzojë dhe mbështetjen tonë. Ata nuk ia mbërritën që t’i plotësonin kushtet, çfarë supozohej se duhet t’i kishin përmbushur. Për mendimin tim kjo gjë duhet të ishte bërë dje, nëse bëhet sot mirë, por nëse nuk bëhet deri nesër, më vjen keq, por varet nga vet këto dy vende”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›