E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër gjyqtarë për një faktor X

I miri, i keqi, i tmerrshmi? Pandi Laço, Alban Skënderaj, Juliana Pasha dhe Vesa Luma përpara pyetjes së madhe: si do jenë me konkurrentët?!

Kërkohet një talent, duket se është bërë motivi i programeve më të ndjekura televizive. E kësaj “mode” nuk mund t’i shpëtonin dhe televizionet shqiptare. Pas suksesit që shënuan emisione të ngjashme në mediat shqiptare, por që për shkak se ishin prodhim shqiptar nuk arritën t’i mbijetonin tregut, tashmë misioni i kërkimit të talenteve thjesht ndryshon emër nga kanali në kanal. Më 8 janar starton edicioni i parë i “X-Factor Albania”, që do të sjellë një serial të ngjashëm me modelet që transmetohen në gjithë botën. “X Factor Albania” është një produksion i Tv Klan me producente artistike: Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Ndërsa modelet e tjera në pesë javët e para të programit do të jenë audicionet që janë mbajtur në qytetet kryesore të vendit, në Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë, e në dy javët që pasojnë do të jenë net spektakli. Vetëm pas 7 javëve publiku do të mund të identifikojë 16 finalistët që do të konkurrojnë live në 16 net show dhe spektakël. Anëtarët e jurisë janë dhe shtylla kryesore e një programi të tillë, ashtu siç dhe tashmë është vënë re në modelin tjetër të kërkimit të talenteve që po shfaqet në Top Channel nën siglën “The Voice of Albania”. Por, si e sheh “më i vjetri” ndër anëtarët e jurisë, rolin e tij si njeriu që duhet të vendosë për të ardhmen e atyre të rinjve që ëndërrojnë skenën? Pandi Laço shpreson që të mos jetë ai “i keqi” mes anëtarëve të jurisë, ku përveç tij, tre të tjerët janë këngëtarë; Alban Skënderaj, Juliana Pasha dhe Vesa Luma që flasin me gjuhën e muzikës.

Pandi Laço: Në “X-Factor” dua grupet e rrokut

Si e shihni veten si anëtar i jurisë së “X-Factor Albania”?

“X-Factor”, kudo ku është zhvilluar i ka sjellë televizionit një audiencë të jashtëzakonshme. Nëse konkurrentët janë ata që do t’i nënshtrohen vlerësimit të jurisë, anëtarët e jurisë në njëfarë mënyre i nënshtrohen vlerësimit të publikut. Është një përgjegjësi e madhe, por edhe një rol që duhet luajtur!

Të gjykosh të tjerët është diçka jo e thjeshtë...Edhe kur prezantohesh me dikë për herë të parë, ndodh që përshtypja e parë është e gabuar. Kështu ndodh edhe kur je anëtar i një jurie. Ndoshta mund të gabosh tek je i detyruar që në harkun e 3-4 minutave të japësh një vlerësim. Po në fund të fundit nuk është një juri që duhet të japë verdiktin final për jetën e dikujt...(hahaha)

Çfarë tip "gjykatësi" mendoni se do të jeni?

Kur më propozoi Vera Grabocka dhe Alketa për të qenë pjesë e jurisë së “X-Factor”, menjëherë më erdhi në kujtesë filmi i Sergio Leones "Il buono, il brutto, il cattivo"…Cili nga këta do të jem…? Do mundohem të mos jem ‘i keqi’ ...

A keni takuar shumë talente gjatë audicioneve?

Personalisht vij nga eksperienca e talenteve të vegjël që konkurruan për "Gjeniun e vogël". Dhe kjo eksperiencë është e mjaftueshme për të dhënë një gjykim paraprakisht lidhur me pritshmërinë që do të ketë “X-Factor”. Pa diskutim që do ketë një audiencë dhe pjesëmarrje të jashtëzakonshme. Përveç faktit që Shqipëria ka një potencial të vërtetë talentesh të pazbuluara, mendoj që edhe si temperament, edhe si mentalitet do të ketë një numër të pafund konkurrentësh, por edhe talentesh. Një provë dhe eksperiment me publikun ishte rubrika e "Këngëve të Shekullit" - "Populli këndon", ku njerëz nga publiku vinin të preknin skenën e vërtetë dhe të interpretonin këngën që dëshironin. Prova rezultoi shumë e suksesshme, kështu që jam i bindur për pritshmërinë...

Ju, përmes programeve që keni realizuar keni ndoshta një gjykim më të saktë për pyetjen që do t'ju bëj në vijim: Cili është qyteti që do të dominojë me talente?

Ndoshta përvoja personale është pak për të dhënë një gjykim, por mendoj që në Shqipëri Shkodra duhet të jetë një çerdhe talentesh dhe personazhesh me ‘Faktorin –X’. Por pse jo edhe Prishtina...

Siç dihet janë katër kategori konkurrentësh, ju vetë, mentor i cilës kategori do të donit të ishit?

Ëndrra ime e rinisë ka qenë të kisha një grup rock. Madje kam pasur në atë kohë edhe tentativa, të cilat kanë dështuar... Disa djem që mblidheshin me kitarë dhe përpiqeshin të bënin diçka në muzikë, kjo është një histori e përjetuar nga shumë të rinj të brezit tim. Pas viteve ‘90, kur filluan të krijohen grupet e para rock, pata një njohje me një nga band-et e atëhershme – “Albatros”. I ndoqa për shumë pak kohë me një dëshirë për të qenë një mentor i tyre... Kështu që do të preferoja grupet.

Në këndvështrimin tuaj, çfarë është “X-Factor”?

“X-Factor”, për mendimin tim nuk është thjesht një show televiziv, nuk është një reality - musical-show. Është dhe një shans që i jepet dikujt për të realizuar ëndrrën e tij në sirtar.

Alban Skënderaj: Në X-Factor të gjithë e kanë një shans

Si e shihni veten si anëtar i jurisë së X-Factor Albania?

Në rradhë të parë gëzohem që një format i rëndësishëm si “X Factor” vjen edhe në Shqipëri. Gëzohem po ashtu që më është ofruar dhe mua të jem pjesë e tij. Unë nuk e shoh veten në shumë formate televizive, por tek ky projekt ndihem rehat dhe i përshtatshëm, sepse është në fushën time, aq më tepër kur ke të bësh me talente të reja të cilëve pa dallime do t’u jepet e njëjta mundësi për të shprehur veten në muzikë.

Çfarë lloj "gjykatësi" mendoni se do të jeni?

Jo i rreptë, sepse nuk është pjesë e natyrës sime, por mundësisht sa më kreativ, mbështetës ndaj atyre që meritojnë, por edhe i sinqertë kur duhet.

Si ka qenë pjesëmarrja në audicione? Keni takuar talente?

Isha i bindur që në nisje për këtë. Isha informuar që pjesëmarrja kishte qenë tepër masive. Kjo është një shenjë shumë pozitive sepse tregon që të rinjtë e të rejat shqiptare i kanë harruar komplekset e kërkojnë drejt për drejt të kenë një shans për të arritur diçka të rëndësishme midis një formati të tillë që nuk ka paragjykime për asnjë. Shqiptarët këndojnë dhe këtë e dimë mirë, ndonjëherë edhe kur s’duhet (qesh), por janë pikërisht formate të tilla, ku talentet e vërteta depërtojnë në mënyrë të pakontestueshme.

Ju vetë jeni zbuluar përmes një festivali të rinjsh, kur kujtoni fillimet tuaja cili mendoni se do të jetë motivimi që do t’u jepni të gjithë atyre që vijnë në këtë konkurs të famshëm?

Motivimi është që në këtë show muzika dhe asgjë tjetër të jetë “motivi i jetës së tyre”!

Siç dihet janë katër kategori konkurrentësh, ju vetë mentor i cilës kategori do të donit të ishit?

Për mua talentet janë talente dhe duhen mbështetur për atë që janë. Mund të jenë një grup, i cili depërton në mënyrë perfekte vetëm duke qenë i bashkuar, një adoleshent që këndon nga zemra me pafajësinë e tij por edhe një 50 vjeçar, i cili ka shumë për t’i dhënë publikut nga eksperienca dhe dëshira e tij e mbledhur në vite.

Në këndvështrimin tuaj çfarë është X-Factor?

Është një fenomen që dashur pa dashur ka rrëmbyer tregun muzikor botëror dhe e ka ndryshuar atë në mënyrë të shpejtë e rrënjësore. Ka shkurtuar rrugët e ka shkuar drejt e për drejt në zemrën e publikut. TË GJITHË E KANË NJË SHANS, dhe ato talente që fati nuk u ka buzeqëshur në jetë! A mundesh më shumë se kaq ta përshkruash?!

Juliana Pasha: Do të jap gjithçka nga vetja

Si e shihni veten si anëtare e jurisë së X-Factor Albania?

Në momentin e parë që m’u propozua për t’iu bashkuar stafit të mrekullueshëm të “X Factor” u ndjeva e nderuar vërtet që të isha pjesë e tij dhe nuk m’u desh shumë kohë për ta menduar. E kam ndjekur gjithmonë me shumë vëmendje në vitet e kaluara dhe mendoj se është një nga Talent Show-t më origjinal që unë kam parë. Jam e lumtur që do të jem pjesë e kësaj pune gjigande krah një stafi të mrekullueshëm dhe jam e bindur se do të kem shumë për të dhënë.

Çfarë lloj "gjykatëse" mendoni se do të jeni?

Besoj se do të jem e drejtë, e përqëndruar mirë për të kuptuar dhe dalluar talentin, e rreptë me atë që ka shumë për të dhënë, por jep shumë pak, por mbi të gjitha e sigurt në gjykimin tim. Do të mundohem të gjej atë që ka Factorin X.

Cila ka qenë pritshmëria juaj për audicionin?

Shqipëria ndonëse një vend i vogël ka treguar dhe më parë se nuk i mungojnë talentet. Mjafton të përmend këtu “Gjeniun e vogël” që vit pas viti ka nxjerrë zëra të mrekullueshëm. Jam e bindur se edhe në Shqipëri ka personazhe që Zoti i ka pajisur me dhunti të veçanta, me talentin per t’i ngritur peshë zemrat e njerëzve me zërin dhe shpirtin e tyre artistik.

Cfarë mendoni se do t’u jepni nga vetja juaj talenteve që do të vijnë në këtë garë?

U bënë tashmë 10-vjet që unë jam aktive në skenën shqiptare dhe gjatë këtyre viteve kam mësuar shumë dhe kam krijuar një bagazh të gjerë artistik. Nuk do të kursehem aspak për t’u dhënë gjithçka nga vetja ime që unë njoh apo që e kam testuar tashmë prej vitesh.

Siç dihet janë katër kategori konkurrentësh, ju vetë mentor i cilës kategori do të donit të ishit?

Nuk e kam menduar aspak një kategori specifike, e rëndësishme është që të kërkosh dhe të gjesh talentin edhe aty ku ndonjëherë nuk duket.

Në këndvështrimin tuaj çfarë është X-Factor?

Një mundësi reale për të mos jetuar gjithë jetën me ëndrra por për t’i kthyer ëndrrat në realitet.

Vesa Luma: Talentet e mia i dua mbi 23 vjeç

Si e shihni veten si anëtare e jurisë së X-Factor Albania?

Jam ndier shumë e privilegjuar dhe e nderuar të jem anëtare e jurisë në formatin më të njohur televiziv në botë X FACTOR. Në fillim mendoja se ndoshta ishte shumë herët për mua të jem ajo që do të gjykoj talentin e dikujt, por kur mendova më thellë, megjithëse e re në moshë, kam shumë përvojë në skenë duke u vlerësuar fillimisht edhe unë nga një juri profesionale e më pas nga publiku, i cili tash e shumë vite po më mban në skenë. Dhe, tani jam edhe më e lumtur që Vera dhe Alketa kanë pasur besim tek unë dhe më kanë dhënë një punë që shumë këngëtarë të moshës sime ëndërrojnë ta kenë.

Çfarë lloj "gjykatëse" mendoni se do të jeni?

Pozicioni im mbase është më i vështirëe sepse i bashkëndjej emocionet e konkurrentëve duke qenë se edhe unë isha në pozitën e tyre para gati 10 viteve, dhe emocionet janë të përziera. Por jam shumë e përgatitur të jap maksimumin për secilin konkurrent dhe do të mundohem të nxjerr në pah X-Factorin e secilit nga ata që do të kenë guximin të paraqiten në audicion.

Cila është pritshmëria juaj për audicionin, mendoni se do të ketë shumë njerëz dhe mes tyre do të takoni mjaft talente?

Gjithmonë kam qenë e bindur se shqiptarët kanë lidhje të ngushtë me muzikën dhe dita- ditës po e vërtetoj këtë fenomen. Përveç asaj, X FACTOR ka dëshmuar tashmë në shumë vende në botë që nxjerr talente të rralla, dhe fituesit e tyre tashmë janë yjet më të mëdhenj botërorë dhe disqet e tyre shiten me miliona kopje. Prandaj jam e bindur që do të ketë pjesëmarrje masive dhe do të takoj shumë talente që do të na nderojnë me prezentimin e tyre. Mezi po pres të shoh se me çfarë do të na befasojnë.

Vesa, çfarë mendoni se do t’u jepni nga vetja juaj talenteve që do të vijnë në këtë garë?

Në fakt do t’uja tregoj edhe një sekret: Kohëve të fundit më ka lindur një dëshirë e madhe e imja që të menaxhoj dhe të ndihmoj këngëtarët e rinj që kanë talent dhe duan të depertojnë në skenë, dhe X Faktor po ma mundëson që në mënyrën më të mirë të mundshme të ndihmoj duke ua dhënë shkollën time këtyre talenteve që në ditët e sotme e kanë shumë të vështirë të depertojnë. Dhe premtoj se do të jap gjithçka që unë kam marr gjatë gjithë rrugëtimit tim si këngëtare.

Siç dihet janë katër kategori konkurrentësh, ju vetë Mentor i cilës kategori do të donit të ishit?

Jam e bindur që në çdo kategori do të ketë brum të mjaftueshëm dhe do të jem e lumtur me cilindo kategori që më ofron produksioni. Kategoritë që mua do të më dukeshin sfiduese dhe që do të më jepnin sadisfaksion të madh janë grupet, ose mosha mbi 23 vjeç. Në këndvështrimin tuaj çfarë është X-Factor?

X Factor është të kesh diçka që të tjerët nuk e kanë ,diçka që të bën tërheqës për publikun, diçka që të bën ta duash dhe ta kesh pranë...E nëse flasim për spektaklin në përgjthësi, në ditët e sotme ‘X Factor’ është garancia më e madhe që ti të quhesh me plot kuptimin e fjalës këngëtar. X Factor të jep mundësinë që të shihesh nga miliona njerëz, që nga fëmijët e deri te pleqtë dhe të vlerësohesh nga juria dhe publiku në të njëjtën kohë për vokalin e performancat e tua duke i përjetuar emocionet në maksimum, dhe duke përjetuar atë që çdo këngëtar ëndërron ta përjetojë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›