E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër grabitje me dhunë në Sarandë, Durrës dhe Tiranë

Gazeta Shqip

Denoncimet

Edhe pse policia thotë se ka marrë masa të shumta për parandalimin e krimit të rrugës, grabitjet e dhunshme të qytetarëve të ndryshëm mbeten një problem i pazgjidhur. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar edhe katër grabitje të tjera në tre qytete të ndryshme, ndërkohë që policia ka mundur të zbardhë vetëm një prej tyre, për të cilën ka arrestuar autorin e dyshuar.

Ngjarja e parë ka ndodhur nën juridiksionin e Komisariatit Nr. 2 në Tiranë. Sipas të dhënave policore, për këtë ngjarje, uniformat blu vunë në pranga Alfred Nikolin Prelecin, 19 vjeç, banues në fshatin Ishull Lezhë. I riu mendohet se kishte ardhur nga Lezha për të kryer grabitje në kryeqytet dhe pikërisht kështu ka vepruar rreth orës 01.30 të mëngjesit në rrugën Andon Zako Çajupi. 19-vjeçari i ka vjedhur me forcë nga dora një telefon Iphone Petronin S., 19 vjeç, banues në Tiranë. Më pas, i riu është larguar me vrap, por është kapur pak kohë më vonë nga forcat e policisë.

Ndërkaq, ngjarja e dytë është regjistruar në zonën e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë. Sipas të dhënave policore, Xhemile Ymeraj, 66 vjeçe, banuese në Vlorë, ka kallëzuar pranë kësaj strukture policore se në orën 09.30, në rrugën Hodo Beg, dy persona të paidentifikuar, rreth moshës 17-20 vjeç, i kanë vjedhur me dhunë varësen e floririt. Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Grabitja e tretë ka ndodhur në Krujë, ku sipas policisë, pre e hajdutëve të dhunshëm ka rënë një kosovare. Rreth orës 19.00, Haxhire Rexhepi, 33 vjeçe, banuese në Ferizaj, Kosovë, kallëzon se në afërsi të fshatit Kameras, Krujë, gjatë kohës që ka ndaluar, një person i paidentifikuar, rreth 15 vjeç, i është afruar dhe i ka marrë nga qafa varësen e floririt me vlerë 500 euro. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, deklaroi policia e Krujës.

Ndërsa ngjarja e katërt brenda 24 orëve ka ndodhur në Sarandë. Sipas policisë lokale, rreth orës 20:30, në komisariat është paraqitur Vagjeli Bakia, 59 vjeçe, e cila ka deklaruar se në kohën që shkonte me bashkëshortin në shtëpi, dy persona të paidentifikuar, i kanë dalë para dhe njëri prej tyre i ka marrë nga qafa varësen e floririt. Menjëherë, dy autorët janë larguar me vrap, ndërkohë që policia ka shoqëruar 20 persona, por ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve.

Katër grabitje me dhunë në Sarandë, Durrës dhe Tiranë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›