Ditarët e Enverit, pushohet padia e familjes Hoxha
Prokuroria
Nuk ekziston fakti, pasi ska gjurmë të hyrje-daljeve të dorëshkrimeve
Prokuroria e Tiranës ka pushuar padinë e familjarëve të ish-diktatorit Enver Hoxha, në lidhje me nxjerrjen e dorëshkrimeve sekrete nga Arkivi i Shtetit, të publikuara më pas në një libër. Sipas akuzës, nuk ekziston fakti, pasi nuk ka gjurmë të hyrje-daljeve të dorëshkrimeve në Arkivin e Shtetit. Dosja penale u hetua që nga muaji shkurt i këtij viti dhe u morën një sërë dëshmitarësh dhe shkresash. Fillimisht u pyetën familjarët e ish-diktatorit, djali i tij, Iliri, i cili ishte edhe firmëtari i kallëzimit. Ai tha në arkiv se dokumente sekrete janë marrë nga dorëshkrimet origjinale të babait të tij dhe janë publikuar pa lejen e familjes. Më pas pretendoi se kishim të bënim me një vepër penale. Grupi hetimor, i kryesuar nga prokurori Adriano Dyrmishi, mori në pyetje zyrtarët e Arkivit të Shtetit, të cilët pohuan se nuk kishin asnjë dijeni nëse këto dokumente ishin marrë apo jo nga ky institucion, ndërsa theksuan se me dijeninë e tyre asnjë material nuk ishte prekur. Pas verifikimeve në arkiv, rezultoi se nuk ka asnjë gjurmë të hyrje-daljeve të dorëshkrimeve sekrete, çka solli edhe pushimin e këtij kallëzimi.
Ditarët e Enverit, pushohet padia e familjes Hoxha burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip