Katër komedianët spanjollë në Tiranë
Katër filma spanjollë që i përkasin gjinisë së komedisë, do të shfaqen në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”. Filmat e zgjedhur për këtë cikël janë pjesë e prodhimtarisë kinematografike spanjolle të viteve të fundit (2001/2004). Ky cikël filmash vjen në kuadër të “Ciklit të Kinemasë së Komedisë”, të cilët janë: “Amor Idiota” (Dashuri idiote) (2004), e Ventura Pons, filmi që flet për historinë e një fiksimi, të një tipi solitar, një “idioti integral” (thënë me fjalët e vetë personazhit) i cili i traumatizuar nga vdekja e papritur e mikut të tij më të mirë shastiset, kur shikon një grua të martuar, të bukur, por të pamundur për të. Pa u mposhtur nga indiferenca që ajo i shfaq në takimet me të, ai fillon një persekutim në heshtje, duke e ndjekur në të gjitha anët, në kërkim të një rrezeje të vetme shprese që ta afrojë me të. “Dias De Futbol” (Ditë Futbolli) (2003), e David Serrano, është një tjetër fil që tregon për ndodhitë e një grupi tridhjetëvjeçarësh, miq që prej fëmijërisë, që tentojnë t’i zgjidhin problemet e ditës ashtu si munden, pa ndonjë perspektivë ndryshimi dhe me futbollin si të vetmen mundësi për të shpëtuar nga një jetë zhgënjyese. Një tjetër film do të jetë “El Otro Lado De La Cama” (Ana tjetër e krevatit) (2002), e Emilio Martínez-Lázaro, flet për dashurinë, seksin miqësinë dhe mbi të gjitha gënjeshtrën. Personazhet nuk pushojnë së thëni gënjeshtra që nga fillimi deri në fund. “Sin Ver Geunza” (Pa Turp) i vitit 2001 nga Joaquín Oristrell, është filmi i fundit që u bën homazh aktorëve, që na bëjnë të ëndërrojmë, të qeshim e të qajmë, me një fjalë, na emocionojnë me një mijë e një fytyrat e tyre, qoftë në skenë apo përpara një kamere. Filmi hedh dritë mbi kompleksitetin dhe labirintin emocional të një profesioni, ushtrimi i të cilit ka një paralelizëm mimetik me jetën e përditshme. Këta filma do të shfaqen çdo të premte, në orën 19:00, në Akademinë e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, në versionin origjinal (spanjisht), me titra në anglisht, ndërkohë që hyrja është e lirë.
Katër filmat e përzgjedhur, të cilët do të transmetohen çdo të premte në Akademinë “Marubi”, janë prodhime që koençidojnë me idenë për të dëfryer publikun.