Rrobat e kujtesës
Kostumet e disa personazheve legjendarë të skenës së quajtur dikur Teatër Popullor të ekspozuar në holl. Megjithë historinë që përfaqësojnë, publiku u kalon para indiferent. Si u realizuan Gjenerali dhe Prifti i ushtrisë së vdekur, Ezopi, Lokja, Olimbia etj. Për herë të parë rrëfimi i Agim Zajmit për veshjet dhe trupat e atyre që i veshën
Ekspozita e vogël që nderon disa figura të skenës, ka pak kohë e vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar. Janë kostumet e personazheve me të cilët Sandër Prosi, Naim Frashëri, Kadri Roshi, Marie Logoreci, Drita Pelinku etj, një shenjë e secilit shkëputur nga galeria e gjërë e personazheve që kanë interpretuar në disa dekada. Kurse garderoba e teatrit po shembet nga veshjet që rrinë ngucur-ngucur.
Ideja e drejtorisë së TK-së për t'i bërë homazh këtyre aktorëve, u realizua, edhe pse në mënyrë paksa të cunguar. Gjithçka u bë pak orë përpara premierës "Filumena Marturano". Skenografit dhe kostumografit të kësaj shfaqjeje dhe njëkohësisht më të vjetrit në TK, Agim Zajmi, iu kërkua zgjedhja e disa veshjeve për këtë ekspozitë. Ai ka veçuar disa dhe fatkeqësisht jo për të gjithë aktorët ka gjetur veshjen e personazhit më të spikatur.
Z. Zajmi, na tregoni ju lutem për idenë e kësaj ekspozite kostumesh.
Drejtoria kishte dëshirë që me rastin e premierës të ekspozoheshin disa kostume. Ka qenë ide që është biseduar prej kohësh. Këta aktorë nuk kanë luajtur vetëm këto personazhe, duhet t'i qëmtojmë, një pjesë e tyre kanë humbur. Shpesh kostumet e teatrit janë marrë edhe për filmat.
Ekspozitën do ta quaja një ngjarje. Në teatrot e botës respektohen figurat e traditës, u ruhen qoftë edhe sende të vogla që mund të ketë përdorur një aktor për një rol. Ajo futet në arkiv dhe ruhet. Në këtë fazë teatri respekton veten. Këta janë njerëz të zakonshëm, janë si gjithë të tjerët, dhe të jashtëzakonshëm sepse profesioni i artit është shpirtëror dhe ndikon në shpirtin e njeriut. Kjo ekspozitë nuk do të mbyllet me kaq. Në një të ardhme mund të pasurohet.
Të bëjnë përshtypje dy kostume prifti krejt të ndryshëm. Njëri me një kryq të madh dhe tjetri pothuajse civil.
Ky (kostumi pothuajse civil) është kostumi i Pjetër Gjokës në veprën "Gjenerali i ushtrisë së vdekur", 1971. E kam pasur pak problem këtë kostum për arsye se personazhi është prift dhe në atë kohë paraqitja e priftërinjve nuk ka qenë shumë e këndshme për politikën. Mu desh të krijoja një kostum civil. Vetëm pjesa e sipërme e jakës, të kujtonte pak priftin, nuk mbante detaj tjetër.
Prifti i Prokop Mimës tek "Cuca e maleve" i takon një periudhe më liberale, në vitin '66. Po ndodhte një lloj reforme mbi kishën, objektet e saj po i bënin të rëndomta. Por ngjarjet e dramës zhvillohen para Çlirimit.
Kur realizoja kostumet e "Lumit të vdekur" duhej të vendosja një kryq tek varri i personazhit të Ndout, por e zëvendësova me një gur. Po aty kam pasur një skenë kishe me disa ikona. Sigurisht që u hoqën. Në vend të tyre mbetën ca harqe. Unë edhe si ide nuk e kisha keq, sepse pikërisht ku zhvillohet kjo skenë, vërshon lumi dhe ikonat mbyteshin. Jo se e kisha bërë me qëllim por në një farë mënyre përkonte paksa edhe me atmosferën.
Çfarë ka pasur të veçantë kostumi i priftit tek "Gjenerali i ushtrisë së vdekur"?
Ka pasur një palë syze elegante, shumë fine, të bardha me një fije argjendi që i jepte një lloj fshehtësie detyrës së tij. Duken detaje të vogla por shpesh herë një rrip, një varëse apo një unazë, luan një rol të veçantë.
Këtu kemi zgjedhur një kostum që është tipik për Pjetër Gjokën sepse edhe disa role të tjera që ai ka interpretuar kanë qenë pothuajse të kësaj natyre, për shembull Vladimiri tek "Orët e Kremlinit", autori tek "Shtëpia në bulevard". Po ky është kostumi i njërit prej roleve më të bukura të tij.
Kush tjetër ka veshur rrobën e priftit te "Gjenerali...."?
Vangjush Furxhi. Erdhi nga Korça dhe dubloi Pjetër Gjokën. Dublimi është një nga anët pozitive që ka pasur teatri. Dublantët po edhe aktorët, kanë konkurruar për një rol që e kanë luajtur herë pas here, por gjithmonë mbështetur në opinionin dhe vlerësimin e këshillit artistik i cili vendoste për rolet.
Në këtë rast roli pothuajse i njihet Pjetër Gjokës. Këtu Pjetri ka qenë në natyrën e tij, për të mos përmendur që edhe ai ishte besimtar kështu që ishte më brenda figurës se sa ne të tjerët, ateistët.
Ku ndryshonte prifti i Gjokës nga i Furrxhiut?
Furrxhiu e luante me një temperament tjetër. Ka qenë aktor impulsiv me zë të bukur dhe do të thoja se roli i tij ishte më agresiv, më i ashpër në marrëdhënie me Gjeneralin. Ndërsa prifti i Pjetrit ishte më i zgjuar, më dinak, fliste si filozof.
Në një moment, ai flet për shqiptarët si një popull i egër, që edhe çadrën e mbajnë si pushkën ose "këta kur nuk kanë luftë zihen me njëri-tjetrin". Për këtë frazë më thoshte se mezi e priste momentin kur do ta shprehte, sepse kishte bindjen që vërtet, ashtu ishte. Dhe këtë frazë ia drejtonte sallës jo Gjeneralit.
Dhe të dy këta priftërinj kanë interpretuar me të njëjtin kostum?
Me të njëjtën lloj veshje, por jo me të njëjtin kostum, sepse ishin trupa të ndryshëm dhe gjithmonë qepen të tjerë. Në atë kohë dublantët përcaktoheshin në fillim, merreshin masat dhe qepeshin kostumet për secilin.
Megjithatë artisti përpiqet që ta interpretojë personazhin. Teatri është një konvencion i asaj që shohim. Në kostum ruhet karakteri i personazhit, ruhet epoka. Çdo gjë që vishet në skenë e vendos kostumografi, kjo nuk do të thotë që nuk bëhen shkelje.
Cilat konsiderohen shkelje?
Kostumografi e ka mbaruar shfaqjen, ajo vihet në skenë dhe më pas nuk vjen më ta ndjekë. Aktorët bëjnë shkelje që janë jashtë profesionit, artistët e mirë kurrë nuk do t'i bënin. Për fat të keq aktorët nuk e kuptojnë se duke vepruar në këtë mënyrë shndërrojnë personazhin.
Kjo më shumë ndodh te femrat, sidomos te femrat në moshë, të cilat harrojnë personazhin dhe gjithmonë duan të duken të bukura në skenë. E shndërrojnë rolin dhe harrojnë se kanë prishur figurën dhe unitetin e skenografit.
Mbetemi tek e njëjta pjesë, "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" dhe tek kostumi i Gjeneralit. Kush është ngjitur në skenë më këtë kostum?
Për Gjeneralin janë qepur tre të tillë, një për çdo aktor që do ta luante. Kostumi i paraqitur këtu është i Sandër Prosit, sepse ai e ka luajtur në premierë dhe më pas në film. Janë bërë dhe dy kostume të tjerë që janë veshur shumë pak, njëri nga Naim Frashëri vetëm për një natë, dhe tjetri për Sulejman Pitarkën.
Këtu kostumet më duken pak të ngushta sepse aktorët që i kanë veshur nuk kanë pasur fizionomi kaq të dobët. Në premierë ka qenë caktuar Sulejman Pitarka, por me punën kolosale që bëri Sandri, doli ai në skenë.
Atij i shkonte dhe si pamje. Edhe Sula u tërhoq. Ishin aktorë me dinjitet, dmth e ndjenin kur një tjetër ishte më i mirë. Sandrit i shkoi ai rol siç i shkoi edhe Naim Frashërit, por ky nuk pranoi ta vazhdojë. E luajti vetëm një natë për qejfin e tij dhe me shumë bukuri madje.
Si ishte?
Elegant, bukurosh, një ushtarak i bukur që kishte hije në skenë. Nuk po them që edhe Sandri nuk ishte i tillë, po Naimi kishte edhe zë të bukur. Ai e luajti rolin për një kapriço profesionale: nuk iu dha roli për premierë kur ai ndjente se duhej ta luante.
Ndërsa Sul Pitarka e interpretoi në prova, nuk doli në skenë. Ai donte ta trajtonte Gjeneralin si një bufon. Por rolin e gëzoi Sandri. Kishte një lloj loje me pauza. Ai njihet si aktor i pauzave që i shkonin shumë rolit.
Kujt i përket ky kostum peshkatari?
Naim Frashërit tek "Familja e peshkatarit", më 1975. Vepra ka pasur edhe një variant tjetër që u prezantua në Korint.
Në atë kohë këtë personazh e luante Kadri Roshi. Pjesa u xhirua por për fat të keq është prishur. Katër ditë para se të jepej në televizion, Naimi kishte një dëshirë të madhe për ta parë në TV, nuk arriti ta shikonte xhirimin e kësaj shfaqjeje.
Kostumi duket se i përngjan më tepër një marinari të fismë se sa një peshkatari të varfër?
Këtu duket shumë i ri por në skenë trajtohet me pluhura, duket i përdorur. Kostumet këtu i kanë vendosur të larë dhe duken të reja. Në skenë ka qenë më i transformuar, më jetësor. Mbante edhe një kapele si kapiten i anijes.
Por Naimi ka edhe role të tjera. Nuk po gjendet kostumi i Hamletit ku ai ka shkëlqyer, një nga rolet më të bukur të tij. Thonë që dikush e ka marrë dhe mund të jetë edhe në garderobën e Kinostudios sepse ne shpesh kemi shkëmbyer veshjet. E kërkuam dhe nuk e gjetëm. Nuk donim që të vinim një kostum të ngjashëm, duhet te jetë tamam kostumi që ka veshur.
Kostumi i Lokes, tek "Toka jonë" herë duket tradicional e herë i thjeshtë. Si është ndërtuar ai?
Është një rast special në një drejtim tjetër. Maria ishte një zonjë intelektuale por që shpirtin dhe kujtimet i kishte tek fëmijëria e saj në Malësi.
Kostumi i saj është përpunuar, duke ruajtur gjërat kryesore. Shpesh ajo krijonte një lloj konflikti me mua sepse donte të ngjitej në skenë me kostum etnografik. Kishte shumë të drejtë sepse e njihte atë traditë. Më vonë bindej dhe kostumi është pak më i thjeshtë, nuk ka ato zbukurime që i mbanin edhe në jetën e përditshme.
Maria e njihte shumë mirë zonën prandaj edhe në role ajo është mëse e saktë. Për mua është aktorja, që nëse s'është më e mira, është nga më të mirat.
Këtu jemi para zonjës Olimbi?
Për këtë kam punuar me regjisorin e shfaqjes "Karnavalet e Korçës", Pandi Stillun. Ai ishte nga Korça. Dy javë kam ndenjur në këtë qytet, kam hyrë në familjet korçare, shfrytëzova dokumente dhe fotografi.
Violeta Manushi shkëlqeu me këtë rol dhe qe një pikënisje e mirë për rolet komike të mëvonshme. Këtu ka qenë fantastike aq më tepër që ishte edhe vetë nga Korça. Në këtë shfaqje ka pasur edhe skena me peliçe, me kostume. Kjo është veshja që ajo përdor në shtëpi.
Sa të vështirë e keni pasur të vishni Margarita Xhepën tek "Revizori"?
Margarita është aktore që ka role të bukur duke filluar që nga Ofelia te "Hamleti" ku ka shkëlqyer.
Natyra i ka falur bukurinë që nuk po përsëritet ditëve të sotme. Ajo edhe sot, është e fisme në skenë. Në teatër ka ardhur në moshë shumë të re, dhe rolet e dashnoreve, të femrave të bukura, sidomos në veprat klasike kanë qenë rolet që do s'do i takonin asaj.
Ky kostum është tek "Inspektori" ose "Revizori" i Gogolit. Është një shfaqje që është vënë dy herë. Një herë nga Viktor Gjoka, një herë nga Ferdinand Radi, që është komplet tjetër gjë. Në të dyja rastet ka luajtur Margarita. Kostumi i përket variantit të parë.
Nuk kam pasur vështirësi, sepse me kostumet e veprave të njohura që i përkasin një periudhe të caktuar, i jam referuar dokumentacionit që në rastin e teatrit rus nuk ka qenë problem. Aq më tepër që kam bërë edhe shkollën atje dhe e njoh mirë këtë zonë.
Përse një kostum i një personazhi pa emër, për Drita Pelinkun?
Ky kostum është bërë nga skenografi dhe kostumografi Kristo Çala. Është personazh jo kryesor i "Xhaxha Vanjës". Problemi ishte që Dritën diku duhej ta ekspozonim por nuk po gjenim kostumet e personazheve që ka luajtur ajo dhe që nuk janë pak.
Ne si gjithë shqiptarët i lëmë ditën e fundit gjërat. Ndërkohë që merresha me shfaqjen "Filumena Marturano", së bashku me vajzat e gardërobës, të cilat janë të reja dhe nuk i njohin kostumet, duhej të përgatisja këtë ekspozitë.
Para premierës, brenda një ore, mundëm të gjenim këto. Kërkuam për kostume të Dritës por aty ka kaq shumë sa janë të ngjitur me njëri-tjetrin dhe duhet të lodhesh që t'i gjesh. Unë nuk e kisha predispozitën, por për Dritën edhe mund të kishim gjetur diçka.
Nuk mund të mungonte Kadri Roshi. Përse me Ezopin?
Është versioni i dytë i kostumit të Ezopit, ky që shohim këtu, kur vepra është vënë në skenë nga Dhimitër Pecani. Versioni i parë është i regjisorit Mihallaq Luarasi, rreth vitit '55. Kjo, ndoshta, është veshja e rolit të fundit të Kadriut në teatër.
Nuk ka asnjë element për ta zbukuruar personazhin, por është një thes i zakonshëm që është marrë nga thasët e drithrave dhe është qepur. Ky është një skllav që nuk ka asgjë. Ose do të ishte i zbuluar, nudo ose do të kishte vetëm një mbulesë gati-gati si njerëzit primitivë.
Cili është kostumi më i hershëm?
Pikërisht i Ezopit. Jo ky që është ekspozuar, ky i përket viteve 80', por është pothuajse i njëjti. Për mua është kostumi më i mirë në teatër.