E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Sovraniteti ushqimor” i PS-së, nga grupe marksiste të Brazilit



Në vijim të turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri Sali Berisha u ndal në komunën Balkushk të Tiranës, nga ku kritikoi programin elektoral të PS-së. Kreu i mazhorancës së djathtë tha se termi programor i propaganduar nga PS-ja, “sovranitet ushqimor”, është një kërkesë që e kanë bërë grupe marksiste-leniniste në Brazil. Sipas tij, kreu i PS-së, Edi Rama, po servir platforma që të mashtrojë fermerët shqiptarë. “Unë shfletova dhe pashë që teoria e “sovranitetit ushqimor” ishte formuluar nga disa grupe marksiste-leniniste të Brazilit, kur kishin organizuar një tubim antiglobal kundër tubimit kombëtar, për t’i dhënë fund varfërisë. Në qoftë se zoti Rama servir platforma të tilla për fermerët e Shqipërisë, ta harrojë se mund të mashtrojë qoftë edhe një fermer të vetëm. Po ky grup që kishte shpikur doktrinën e “sovranitetit ushqimor” antiglobal, është grupi që vite më parë i kishte dhënë gjysmë-dajës së Edi Ramës, Sofo Lazëri, çmimin e ushqimit, ndërkohë kur ju i kishit vatrat bosh”, - deklaroi Berisha. Ai u bëri thirrje qytetarëve të Baldushkut dhe gjithë Shqipërisë, që të zgjedhin alternativën e ndryshimit dhe jo të kthimit prapa. “Juve ju kujtohet para tre vjetësh kur ai dilte dhe u thoshte që po ju lexoj enciklikat. Enciklika është dokumenti që Ati i Shenjtë u lexon besimtarëve dhe nuk ekziston politikan në botë që të flasë për enciklikë, përveç Edi Ramës. Ndaj dhe duhet të kemi shumë kujdes nga terminologji të tilla. Ne duhet të vazhdojmë të kujdesemi për interesat tona”, - shtoi Berisha. Kryeministri ndodhej në këtë komunë, pasi përuroi rrugën e re Baldushk - Papër. Kreu i qeverisë premtoi tha se ky investim do të shërbejë për kompletimin e aksin Tiranë - Elbasan. “Me këtë rrugë ne i japim një lidhje të re shumë të fuqishme, shumë të rëndësishme Tiranës me Shqipërinë Juglindore dhe Shqipërinë Jugore. Kjo rrugë do të jetë gjithashtu një nga segmentet më të fuqishme të Boshtit të Jugut, bosht i cili afron Tiranën me Sarandën me mbi 110 kilometra shkurtim. Unë jam këtu për t’u zotuar se pas kësaj, do të fillojë ndërtimi i rrugës Baldushk - Papër dhe në këtë mënyrë kompletojmë një aks të ri rrugor midis Tiranës dhe Elbasanit”, - tha kreu i qeverisë. Berisha premtoi investime të reja në mandatin e dytë. Një tjetër premtim i Berishës ishte edhe barazimi i pensioneve të fshatit me ato të qytetit. “Në 3 vite, - tha ai, - ne kemi vendosur në pensionet tuaja një shumë të njëjtë me aq sa është vendosur në 17 vite të marra së bashku. Ju i meritoni plotësisht ato. Unë ju garantoj se ky është vetëm hapi i parë i madh. Hapi i dytë i madh do të jetë barazimi i pensioneve tuaja me pensionet në qytet, sepse e meritoni plotësisht”. Në fund të fjalës së tij, Berisha kërkoi nga qytetarët që të zbatojnë detyrimin për t’u pajisur me karta të reja identiteti. “Duhet të marrim kartat e Identitetit, sepse në këto zgjedhje duhet t’i faktojmë njëri-tjetrit, t’i faktojmë Evropës dhe botës, NATO-s që na dha një besim kaq të madh, se ne do të votojmë si qytetarë të lirë, me dinjitet të plotë”, - deklaroi Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›