E Diel, 1 Nëntor 2026

Terrorizon qytetin me breshëri automatiku, ndalohet 26-vjeçari

Policia ka arrestuar të premten, Ilia Havon. Për 30 minuta në gjendje të dehur ai ka qëlluar me automatik në ajër


GJIROKASTËR - Arrestohet një shtetas i cili në gjendje të dehur ka terrorizuar banorët e qytetit Libohovë me të shtëna në ajër me një armë automaktike që e mbante pa leje. Ndërkohë policia ka sekuestruar një armë zjarri "kallashnikov", një armë gjahu, një thikë të përmasave të mëdha, dy karikatore me fishekë dhe një numër gëzhojash. Mësohet se rreth orës 22:00 të së enjtes, banorë të Libohovës kanë njoftuar policinë se një shtetas po qëllonte në ajër me një armë automatike kallashnikov.


Në vendngjarje janë nisur forca të shumta të policisë ndërkohë që pas hetimeve paraprake ka rezultuar se në lagjen "Teqeja e Mëhallës", një shtetas në gjendje të dehur ka gjuajtur në ajër në drejtime të ndryshme për rreth 30 minuta me një armë zjarri automatike "kallashnikov" dhe më pas është larguar porsa ka mbërritur policia.


Nga ana e grupit hetimor është bërë fiksimi i gëzhojave në vendngjarje dhe është marrë informacion në lidhje me autorin. Specialistët për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër kanë marrë informacion në rrugë operative për autorin e mundshëm, ku për shkak të errësirës nuk është bërë e mundur kapja e tij gjatë natës, pasi ishte larguar nga banesa.


Gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes është bërë i mundur identifikimi dhe më pas arrestimi i autorit të kësaj ngjarjeje dhe konkretisht shtetasit Ilia Havo, 26 vjeç, lindur dhe banues në Libohovë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij është gjetur një armë gjahu pa leje, si dhe në automjetin e tij tip "Benz" me targa greke është gjetur dhe sekuestruar një armë e ftohtë thikë, e përmasave të mëdha.


Ndërsa arma e zjarrit me të cilën autori kishte gjuajtur në ajër u gjet rreth mesditës së bashku me dy karikatorë në një zgavër guri rreth 50 metra larg shtëpisë. Havo u arrestua nën akuzat e "prishjes së rendit dhe qetësisë publike", si dhe të "mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit dhe municioneve luftarake", "të armëve të ftohta" dhe "armëve të gjahut".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›