Kathimerini: Takimi për emrin më 27 janar në Nju Jork
Takimi për kontestin e emrit të Maqedonisë do të zhvillohet në 27 janar në New York. Lajmi bëhet publik nga gazeta greke “Kathimerini” e cila thekson se ky do të jetë një takim joformal, për të parë pozicionet e të dyja palëve.
Sipas gazetës pala greke do të përfaqësohet nga negociatori Adamantios Vasilakis dhe ajo e Shkupit do të përfaqësohet nga ambasadori Zoran Jolevski. Të dy përfaqësuesit do të ulen sërish në tyrezë me ndërmjetësimin e ambasadorit të OKB-së, Metju Nimiç, për të vlerësuar procesin e negociatave dhe qëndrimet e palëve.
“Ky takim joformal bëhet edhe për të rikujtuar se procesi që udhëhiqet nën ombrellën e OKB-së akoma është gjallë”, shkruan gazeta greke “Kathimerini”.
Sipas gazetës, dyja palët nuk kanë ndryshuar asgjë dhe se ato nuk do të ndryshojnë tani për tani pozicionet që do të mund të çonin në një zhvillim pozitiv rreth këtij kontesti.
“Pala maqedonase sipas vlerësimeve të diplomatëve grek këtij takimi dëshiron t`i jap një ngjyrim se gjoja po bëhen aktivitete intensive për zgjidhjen e emrit, prandaj Athina zyrtare vlerëson se këto qëndrime janë dëshmi se Shkupi nuk është i përgatitur për negociata esenciale, por këto takime po tenton t`i shfrytëzojë si propagandë para opinionit vendor dhe para bashkësisë ndërkombëtare”, shkruan gazeta “Kathimerini”.
Republika e Maqedonisë Veriore ka qenë propozimi i fundit i publikuar nga ndërmjetësi i OKB-së, mirëpo ky propozim ështe refuzuar kryesisht nga Shkupi.