Kathrin Rhomberg: Bienalja si m'u duk
Kuratorja e Bienales së Berlinit tregon përshtypjet e saj për punët e artistëve që pa në Hotel "Dajti" dhe një parashikim për fatin e ndërtesës: "Do të më vinte shumë keq nëse kthehet përsëri në hotel."
Ka ardhur në Tiranë për një vizitë në Bienale, por edhe për të takuar artistë të rinj që lëvrojnë art bashkëkohor. Nuk dëshiron të zbulojë emra të përveçëm dhe përshtypje nga takimet që ka zhvilluar. "Jam e sigurt, që do të ketë artistë shqiptarë të ftuar në Bienalen e Berlinit." Tani për tani vetëm kaq nga kuratorja austriake Kathrin Rhomberg.
Kathrin, përse je këtu?
Arsyeja kryesore është për të vizituar Bienalen. Por, gjithashtu për të takuar disa artistë të rinj shqiptarë dhe për të parë punët e tyre. Jam duke u përgatitur për Bienalen e Berlinit, e cila do të hapet më 11 korrik të vitit të ardhshëm.
Si t'u duk Bienalja e Tiranës?
Një ndër Bienalet më të mira që kam parë. Punët janë ekspozuar në një ndërtesë të mrekullueshme. Është ndërtesa e duhur për të ekspozuar punë të artit bashkëkohor, sepse ka hapësira shumë të mëdha dhe formë shumë të bukur.
Meqë qëllimi fillestar ka qenë ndërtimi i një hoteli, kjo ndërtesë është menduar gjithmonë "e hapur për publikun". Është një vend që duhet ruajtur, mbajtur dhe restauruar. Shumë nga artistët janë tërhequr nga historia e "Hotel Dajtit" dhe kanë marrë shtysë për punën e tyre.
Artisti nga Belgjika, Francis Alýs, i cili tani jeton në Meksikë, ka bërë një punë shumë të mirë për historinë e këtij hoteli. Do të më vinte shumë keq nëse ky vend kthehet përsëri në hotel, pasi do të shërbente shumë mirë për të ekspozuar artin bashkëkohor.
A hap një diskutim koncepti i kësaj ngjarjeje të artit bashkëkohor, "Efiçenca simbolike e kornizës"?
Ishte një përballje e realitetit me artin. Por, në këtë Bienale, kishte edhe artistë si Anri Sala, të cilët nuk dokumentojnë realitetin, por e krijojnë atë dhe nëpërmjet punës së tyre, e tregojnë.
Kjo është një temë e rëndësishme për t'u diskutuar dhe për t'iu kthyer sërish, pasi artistët shpeshherë shkëputen nga realiteti. Nga një temë e tillë, e diskutuar këtu lindin edhe të tjera si: Çfarë është arti bashkëkohor? Sa ndikim ka ai sot? Cili është tregu këtu në Shqipëri? Shumë me rëndësi m'u duk edhe episodi mbi arkitekturën dhe urbanizimin.
Punët e artistëve që janë ekspozuar në këtë episod të njohin edhe me shtete jashtë Evropës. Kjo është një mënyrë e mirë për të treguar ndryshimin e mënyrës së jetesës në kohët moderne dhe lidhjen e artit me studimet urbane, me ndryshimet që sjell urbanizimi.
Çfarë të ka ngelur në mendje nga e gjithë ekspozita?
Instalacioni i Francis Alýs, filmi i Adrian Pacit, videot e dy artistëve kinezë: Cao Fei dhe Yang Fudong, puna e David Maljkovic. Ka shumë artistë të veçantë shqiptarë, të cilët kanë sjellë shumë punë të forta në këtë ekspozitë. Mendoj se secila prej punëve të thotë diçka dhe dialogon me të tjerat. Nuk ka punë të dobëta.
Përse dominon videoja?
Artistët e rinj e shohin filmin dhe videon si një medium më bashkëkohor. Ka shumë artistë, të cilët kanë studiuar pikturë, por tek videoja shohin një formë më të mirë për t'u shprehur. Por, jam e sigurt që do të ketë një rikthim te piktura.
A mund të hyjnë këto vepra në tregun e artit?
Në këto kohë tregu i artit bashkëkohor në Evropë është shumë i fortë. Ka një lidhje më të fortë të artit me realitetin. Kurse, në Shqipëri "marketingu i artit" nuk është në një moment të mirë. Artisti i ri këtu nuk mund të jetojë me art. Evropa Perëndimore ofron më shumë se ajo Lindore.
Tani le të kalojmë tek arsyeja e dytë e ardhjes tënde. Nga takimet e deritanishme me të rinjtë, cili mendon se ka shanse në Bienalen e 6-të të Berlinit?
Ka artistë shumë të talentuar këtu. Kur kam ardhur për herë të parë në vitin 1999, kam ngelur e habitur. Kam punuar me artistë si Anri Sala, Adrian Paci, të cilët i vlerësoj shumë për punën. Kurse, tani po njihem me të tjerë të rinj. Nga takimet që kam bërë më janë dukur interesantë.
Jam e sigurt që do të ketë artistë shqiptarë, të ftuar në këtë Bienale, por nuk e kam zgjedhur akoma. Është herët. Ende nuk kam fiksuar konceptin për këtë Bienale dhe më pas do të bëj përzgjedhjen.
Ndonjë ngacmim i veçantë për ndonjërën nga punët?
Mos më kërkoni emra. Nëse dikush nuk përmendet, do të ndihet shumë keq (Qesh). Akoma nuk i kam parë të gjithë. Disa prej tyre nuk janë në Tiranë tani, ndodhen jashtë, kështu që puna ime nuk ka mbaruar.
Kathrin, këtë vit jeni e zgjedhura e Berlinit, po të tjera Bienale keni kuruar?
Në vitin 2000, bashkë me artistë të tjerë kam qenë kuratore me artistë të tjerë në Bienalen "Manifesta 3" në Ljubjanë. Për pesë vjet kam qenë drejtuese e një shoqate arti në Këln, në të cilën kam prezantuar edhe punët e Anri Salës. Që në fillimin e viteve '90, kam filluar të punoj vetëm me artin bashkëkohor, nuk u mora me Historinë e Artit, fushë për të cilën kam bërë studimet.
Përse kaq shumë Bienale përreth?
Një Bienale në Tiranë, ose në Stamboll është e nevojshme, pasi këtu nuk ka muzeume të Artit Bashkëkohor. Është një mënyrë e mirë që artistët e këtushëm të ekspozojnë punët e tyre dhe të shohin punë të artistëve që vijnë nga e gjithë bota. Pra, një mundësi shumë e mirë për artistët vendas.
Është e domosdoshme një traditë e tillë. Por, unë mendoj se edhe në Berlin është mirë që të zhvillohen Bienale. Institucionet e atjeshme të Artit Bashkëkohor nuk janë aq shumë të forta dhe artistët kanë nevojë ta ekspozojnë artin bashkëkohor.
Për 15 minuta do të largohesh nga Tirana. Me çfarë përshtypjesh?
Është hera e katërt që vij këtu. Gjithmonë më duket ndryshe.