E Diel, 1 Nëntor 2026

Bosh: Zgjedhjet, jo sipas standardeve të larta

Në raportin vjetor të mbajtur në Vjenë, Ambasadori i OSBE-së evidenton problemet kryesore dhe sfidat për të ardhmen


TIRANË - Në raportin vjetor të mbajtur dje, përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Ambasadori i kësaj organizate në Tiranë, Robert Bosh, citon se zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit nuk arritën standardet më të larta për zgjedhje demokratike.


Gjatë raportit të mbajtur, Bosh evidenton procesin e politizuar të numërimit të votave, ndërkohë që për herë të parë flet edhe për një vendimmarrje të nxituar nga ana e Kolegjit Zgjedhor.


Në anën tjetër, Bosh e konsideron të domosdoshme pjesëmarrjen e opozitës në Kuvend, jo vetëm për përmbushjen e reformave, por edhe për garantimin në të ardhmen të zgjedhjeve demokratike sipas standardeve.


"Partive politike u duhet ende një vullnet më i madh politik për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare. Megjithëse kjo do të thotë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv për qeverinë, ajo nënkupton, gjithashtu, se edhe opozita duhet të luajë një rol konstruktiv.


Pa të, sfidat e vërejtura në qershor do të vazhdojnë, së bashku me ciklin e zgjedhjeve "jo edhe aq të mira". Klasës politike i duhet të garantojë tashmë mbylljen përfundimisht të këtij cikli", - tha dje Bosh


Zgjedhjet


Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, citon se raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it vëren se zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor 2009 "përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE-së" dhe "shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore".


Megjithatë, sipas tij, në zgjedhje u vërejtën disa mangësi në lidhje me procesin e politizuar të numërimit të votave, gjë që bëri që zgjedhjet, siç thotë raporti, të mos e realizonin plotësisht "potencialin e Shqipërisë për t'iu përmbajtur standardeve më të larta për zgjedhje demokratike".


Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, për herë të parë shfaq rezerva ndaj Kolegjit Zgjedhor. Ndonëse seancat e Kolegjit Zgjedhor, në vetvete, u mbajtën përgjithësisht në mënyrë profesionale, sipas tij, vendimmarrja u duk disi e nxituar.


Bosh evidenton gjithashtu, se megjithëse nuk pati prova të qarta të manipulimit të rezultateve në shkallë të gjerë, fillimisht, në disa zona, fletët e votimit të kutive të caktuara, identiteti i të cilave ishte përcaktuar qartë, ose nuk u numëruan, ose rezultatet e nxjerra prej numërimit të tyre nuk u hodhën fare në tabelën përfundimtare të rezultateve.


"Për shmangien e problemeve të kësaj natyre në të ardhmen, vlen të merret në konsideratë fshehja e shenjave identifikuese të të gjitha kutive të fletëve të votimit ose hedhja e shortit për radhën e numërimit të tyre", - tha Bosh. Sipas tij, edhe dy formulat për llogaritjen e mandateve elektorale rezultuan të pafavorshme për partitë e vogla jashtë koalicioneve


Fushata


Sipas Ambasadorit Bosh, fushata zgjedhore u zhvillua në një atmosferë të qetë, por prapëseprapë të polarizuar. "Megjithëse gjatë kësaj periudhe u vranë tre aktorë politikë vendorë, nuk ka prova se këto vrasje u kryen për motive politike", - tha Bosh.


Sipas tij, tonet e ndezura mbizotëruan gjatë fushatës, ku u ngritën edhe akuza, shpesh të bazuara, nga PS-ja, se PD-ja shfrytëzonte veprimtaritë shtetërore për qëllime të fushatës zgjedhore, duke ushtruar edhe presion mbi punonjësit e administratës publike që të merrnin pjesë në tubimet zgjedhore partiake.


Prezenca u vu në dijeni të disa dëshmive, sipas së cilave shumë simpatizantë të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ishin pushuar nga puna pas vendimit të kësaj partie për të kaluar në koalicionin e udhëhequr nga PS-ja. "Megjithëse pretendimet e PS-së, se disa të burgosurve iu dha liridalje e posaçme në mënyrë përzgjedhëse, ishin shpesh të bazuara.


Prezenca nuk qe në gjendje të vërtetonte se këta njerëz u përfshinë në fushatën zgjedhore të PD-së. Shumë organe mediatike u duk se shfaqën njëanshmëri të fortë në favor të njërës apo tjetrës prej dy partive të mëdha politike, në dëm të të tjerave", - citon Bosh në raportin e mbajtur.


Bojkoti


Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, raportoi dje se deri më tani PS-ja ka zgjedhur që t'i bojkotojë të gjitha seancat e Kuvendit të ri, pas vendimit, që ajo ka marrë për ta kushtëzuar hyrjen e saj në Parlament me plotësimin e disa kushteve të lidhura
me procesin zgjedhor, i cili, sipas PS-së, ishte i pandershëm.


"Deri më sot, nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky bojkot", shtoi Bosh duke paraqitur edhe një panoramë të shkurtër të qëndrimeve të deritanishme të mbajtur nga të dy kahet politike si nga mazhoranca, ashtu edhe opozita.


Bosh raportoi edhe bojkotin e opozitës në zgjedhjet e pjesshme vendore, duke theksuar: "Në përgjigje të bojkotit, Presidenti i Republikës, Kryetarja e Kuvendit, zyrtarë të shumtë të qeverisë, një varg figurash brenda PS-së dhe shumë aktorë ndërkombëtarë (përfshirë këtu edhe Prezencën), si në Tiranë, ashtu edhe në kryeqytetet përkatëse, kanë theksuar, në mënyrë të përsëritur, faktin se PS-ja ka përgjegjësinë për t'u kthyer në Kuvend dhe për të luajtur rolin e saj kushtetues si "opozitë konstruktive", aq më tepër, kur ka një sërë reformash të rëndësishme të procesit të integrimit që presin të miratohen".


Prokuroria


Në dhjetor 2008, Kuvendi miratoi ndryshimet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Pprokurorisë. Megjithëse disa nga ndryshimet sollën përmirësime në kuadrin ligjor të ndjekjes penale, sipas Bosh, kishte edhe ndryshime të tjera, që shkaktuan debat për shkak të shfuqizimit të një neni, që i mbronte prokurorët nga ndjekja penale dhe shtimit të një neni që e forconte rolin e Ministrit të Drejtësisë dhe Kuvendit kundrejt Prokurorisë.


"Në rastin më të mirë, Prokuroria do ta ruajë pavarësinë e saj dhe e vetmja pasojë do të jetë degradimi deri diku i përgjegjshmërisë së prokurorëve dhe dobësimi deri diku i rolit të Presidentit. Në rastin më të keq, Prokuroria mund të bjerë nën autoritetin e Kuvendit, duke e dobësuar kështu ndarjen kushtetuese të pushteteve", - tha Bosh.


Gërdeci


"Pas një viti hetimesh, mbi shpërthimin e Gërdecit, në shkurt të vitit 2009, Prokuroria e
Përgjithshme deklaroi se 28 zyrtarë ishin përgjegjës për tragjedinë", raportoi Ambasadori Bosh.


Ai shtoi se, të pandehurit e tjerë janë duke u gjykuar nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës, ndërkohë që në muajin shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë e pushoi çështjen kundër Mediut, me argumentimin se, duke u rizgjedhur si anëtar i Kuvendit dhe duke u emëruar si Ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, ai kishte fituar përsëri imunitet, ndërkohë që Prokuroria nuk kishte arritur të rinovonte kërkesën për heqjen e imunitetit përpara seancës gjyqësore.


"Më 8 tetor 2009, familjarët e viktimave të Gërdecit ngritën një padi të re penale kundër Mediut, duke kërkuar de facto rihapjen e çështjes kundër tij. Këto familje kanë ndër mend ta paraqesin çështjen edhe në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.


Kryeministri, Sali Berisha, ka ritheksuar qëndrimin e qeverisë, se të gjithë anëtarët e Kuvendit do të jenë në dispozicion të plotë të Prokurorisë, në rast të çfarëdolloj procedimi ligjor në të ardhmen", - tha Bosh


Bosh: Ligji i dosjeve shkel Kushtetutën


TIRANË - Në janar 2009, Kuvendi miratoi ligjin për pastrimin e figurave mes debateve të shumta politike. Këtë situatë përcjell edhe Ambasadori i OSBE-së, Robert Bosh, i cili para Këshillit të Përhershëm të kësaj organizate në Vjenë sqaron se përmbajtja e saj u kritikua gjerësisht dhe në mënyrë publike nga faktorët vendas dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe Prezencën, lidhur me elementë, që dukej se shkelnin Kushtetutën.


"Ndër shkeljet mund të përmendim përjashtimin e mundshëm të kandidatëve zgjedhorë dhe heqjen nga detyra e të zgjedhurve, si dhe ndikimin e mundshëm mbi gjyqësorin, meqenëse një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh mund të rrezikojnë të humbin vendet e punës.


Gjithashtu, dispozitat administrative të ligjit nuk duket se i përmbushnin kriteret e procesit të rregullt ligjor dhe të prezumimit të pafajësisë së individëve në shqyrtim dhe nuk garantohej paanshmëria e autoritetit gjykues", - tha Bosh.


Ai kujtoi se, ligji është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka vendosur pezullimin e zbatimit të tij deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë në lidhje me këtë çështje dhe në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias, i cili doli me një opinion mjaft kritik ndaj ligjit më 9 tetor 2009.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›