Prifti: Do shesim te gjitha aksionet në pronë të shtetit
TIRANË- Do të shesim të gjitha aksionet që shteti ka në disa ndërmarrje, përfshirë edhe ato që kanë mbetur tek Albtelekomi. Kështu u shpreh dje ministri i Ekonomisë tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti duke paralajmëruar një fushatë të dytë privatizimesh për ato aksione që shtetit i kanë mbetur në disa ndërmarrje pas shitjeve të bëra gjatë legjislaturës së parë nën qeverisjen e partisë demokratike.
Nga këto ndërmarrje përjashtim bën Korporata Eelektroenergjetike e Shqipërisë (KESH Sh.a) për të cilen ende nuk ka diskutime.
"Do të privatizojmë së shpjeti pjesën e mbetur të aksioneve shtetërore të Albtelekomit. Po evindetojmë të gjitha ndërmarrjet me kapital shtetëror, po bëjmë inventarizimin e tyre me qëllim privatizimin brenda 4 vitesh. Përjashtim bën gjenerimi i energjisë të KESH-it, për privatizimin e të cilit nuk ka diskutime me qeverinë",- tha ai.
Gjatë legjislaturës së parë qeveria shiti aksionet e saj në disa ndërmarrje strategjike, si tek Albtelekomi, AMC-ja, ARMO, etj. Po ashtu një privatizim tejet i rëndësishëm dhe i arritur me shumë vështirësi ishte ai i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.