E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Java Italiane", ekspozon pajisjet nga Da Vinçi e Markoni

VLORË - Konsullata Italiane në qytetin e Vlorës, në kuadër të 'Javës Italiane' po organizon një sërë aktivitetesh në qytetet e jugut të Shqipërisë, me pikënisje nga qyteti bregdetar i Vlorës. Krahas të tjerave, në këto aktivitete janë ekspozuar dhe disa kopje perfekte makinerish të Leonardo da Vinçit, dokumentari mbi jetën e Gulielmo Marconit, i cili është shpikësi i transmetimeve radio si dhe aktivitete të tjera në lidhje me të rinj italian, të cilët me shpikjet e tyre kanë bërë një revolucion të botës. "Java e Kulturës italiane" po kthehet në një aktivitet tradicional. Për këtë vit është zgjedhur tema: "Gjuha italiane mes artit, shkencës dhe teknologjisë". Qëllimi është ai i ilustrimit të krijimtarisë italiane në këto tri fusha dhe raporti i saj me krijimtarinë gjuhësore, që përgjatë historisë i ka dhënë shumë kontribute pasurisë gjuhësore e dijes europiane e universale: nga muzika tek opera lirike, nga arti figurativ tek arkitektura, nga shkenca tek teknologjia, nga moda tek dizajni, nga kënga tek sporti, nga ushqimi tek arti i kuzhinës. Artistë të mëdhenj e shkencëtarë italianë si Alberti, Leonardo, Michelangelo, Cellini, Galileo, Cesi, Torricelli, Redi, Salvator Rosa, Vallisnieri, Spallanzani, Volta e Canova, por edhe artistë e shkencëtarë më të hershëm si Marinetti e Futuristët e tjerë, Fontana, Aldo Rossi, Montessori, Fermi, Marconi, Basaglia, pasuruan me artin e tyre, kërkimet e zbulimet e tyre, ndjenjën për të bukurën tek njeriu, për të drejtën, dhe në të njëjtën kohë njohurinë në fushën shkencore, duke kontribuar gjerësisht në progresin e njerëzimit. Ndër aktivitetet me interes u ndoq dhe konferenca mbi arkitekturën italiane në Shqipëri, mbi mbrojtjen e pasurisë artistiko-kulturore shqiptare e mbi artin prehistorik në jug të vendit.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›