Kati: Persekutorët do t’i dërgojmë në Hagë
TIRANE- Drejtori i Qendrës së Traumës dhe Torturës, Ardian Kati, shprehet se nëse nuk do të hapen dosjet, qendra e tij ka gati dosjet për t’i dërguar në Gjykatën e Hagës. Sipas tij, edhe pas 17 vjetësh ende nuk është bërë asgjë, jo vetëm për hapjen e dosjeve, por as për dënimin në kompleks të krimeve të komunizmit, figurave të tilla si Enver Hoxha, Ramiz Alia, rishkrimin e historisë së vërtetë të popullit shqiptar për regjimin komunist. Në një intervistë për “Gazetën”, ai shprehet dhe për aktivitetin e fundit, organizuar nga ambasada gjermane për modelin gjerman të hapjes së dosjeve si dhe për pretendimin e Fatos Klosit se dosjet e sigurimit të shtetit, kryesisht ato të UDB-së, janë zhdukur.
Zoti Kati, a besoni realisht se dosjet e sigurimit të shtetit janë zhdukur dhe se ato do të hapen një ditë për të mësuar të vërtetën?
Është e vështire të besosh një gjë të tillë, por bindjet tona kërkojnë mbështetje nga informacione të sakta. Ajo që unë di, është se të gjithë kemi mësuar nga shtypi, bazuar në intervista të ndryshme nga funksionarët e shërbimeve apo arshivave. Për një gjë jam i sigurt, që dosjet që ne kemi në Qendrën Shqiptare të Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës janë në pritje për të vajtur në Gjykatën e Hagës.
Gjykata e Hagës kryesisht heton mbi krimet kundër njerëzimit, çfarë do të kërkoni nga gjykata, që deri tani ka gjykuar kriminelë të luftërave të ndryshme?
Qendra e kërkon pranë Gjykatës së Hagës statusin e viktimës së torturës për të gjithë të përndjekurit politikë shqiptarë.
Po çfarë dosjesh bëhet fjalë zoti Kati?
Sigurisht, jo dosjet e sigurimit të shtetit, as dosjet e spiunëve. Ne kemi hartuar dosje të shumta, duke i bazuar mbi dëshmitë e dëshmitarëve okularë, viktimave okulare. Në këto dosje gjenden dëshmitë se si janë dënuar, kush i ka dënuar, pra ka dhe emra të gjykatësve, prokurorëve dhe dëshmitarëve që kanë çuar në dënimin e një qytetari në kohën e regjimit komunist.
A mendoni realisht se modeli gjerman për hapjen e dosjeve do të jetë i vlefshëm për vendin tone?
Dosjet duhet të hapen në Shqipëri. “Por kush do t’i hapë dhe si do hapen?” Tashmë të gjithë e dimë se eksperienca jonë me ato të vendeve si Gjermania etj, janë si dita me natën. Terrori, vrasjet dhe burgimet që shoqëruan diktaturën shqiptare i lanë pa fjalë bashkëbiseduesit gjermanë, të cilët u shprehen se këto gjëra nuk mund t’i imagjinonin dot. Rehabilitimi i viktimave të torturës dhe dënimi i krimeve të komunizmit kërkon shumë më tepër vullnet politik dhe përgjegjësi se sa hapja e dosjeve të sigurimit.
Ne duhet të ndalemi më seriozisht, për të kërkuar nga organet përgjegjëse informacione të sakta. Duket se deri në këto momente debati i dosjeve ka dhe aspektin e “lojës pa top”. Që “topi t’i kthehet lojës” është e domosdoshme të dihet cila është gjendja reale e dokumentacionit të diktaturës. “Makina e shkrimit” e sigurimit të shtetit për 45 vjet e shkroi historinë njerëzore shqiptare, sipas këndvështrimit të saj. Por mendoj se thelbi i çështjes së hapjes së dosjeve është se “sa do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes social-ekonomike të të persekutuarve kjo iniciativë?”.
Fatos Klosi, ish-shefi i SHISH-it, në aktivitetin e ambasadës gjermane, u shpreh se gjatë 1997 janë zhdukur kryesisht dosjet e spiunëve të UDB-së. Pse theksoi pikërisht UDB-në dhe jo ndonjë agjenci tjetër?
Mund të ketë dhe ndonjë arsye politike, por nuk është çudi që në situatat që ka kaluar vendi ynë, UDB-ja t’i ketë tërhequr dosjet e saj.
Mendoni se do zbatohet ligji për dëmshpërblimin e ish-të persekutuarve dhe përndjekurve politikë dhe që kjo do të zgjidhë disi problematikën e kësaj shtrese?
Sigurisht që do të zbatohet. “Por kur dhe si?”, edhe kjo është një dilemë. Ajo që po vëmë re tani është lodhja dhe stresi i jashtëzakonshëm që viktimat e torturës komuniste po pësojnë duke gjetur dhe dorëzuar dokumente të shtetit për në shtet. Lufta e përditshme për të mbijetuar, mungesa e një asistence të kualifikuar mjekësore, pensionet e ulëta, e ardhmja e fëmijëve, janë disa nga problematikat e tyre që edhe i bënë të njohura. Për të përndjekurit politik është e papranueshme prania në institucione shtetërore e persekutorëve, ky është një shqetësim shumë i madh i tyre. Një numër ligjesh gjatë këtyre 17 viteve janë aprovuar me qëllimin e mirë për t’i kthyer ata në jetën normale. Pafajësia dhe statusi i të përndjekurve politikë në ‘91-‘93 i mbushi viktimat e torturës komuniste me entuziazmin e një jete ndryshe për ata dhe familjet e tyre. Jemi në vitin 2008, kur një pjesë e madhe e tyre humbën jetën gjatë kësaj kohe, të pa rehabilituar ekonomikisht dhe shoqërisht.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)