E Shtunë, 31 Tetor 2026

NDERKOMBETARE/ Tentativat e Sarkozisë

A mundet një presidenti radhës i Bashkimit Europian të lërë drejtimin e bllokut në një kohë kur sapo ka shpërthyer cikloni? Kjo është pyetja që i bën vetes këto ditë presidenti francez, Nicolas Sarkozy ndërsa shfaqen gjithnjë e më kërcënuese mjegullnajat e një stuhie ekonomike. 

I nxitur nga ambicia, ai bën të ditur disponibilitetin e tij për të garantuar presidencën, jo të të gjithë bllokut, por të zonës euro deri në fund të vitit 2009. Propozimi është i guximshëm, i pazakontë, ndoshta edhe pa skrupuj, por i denjë për shqyrtim. Ajo që i jep atij një vëmendje të veçantë është roli prej protagonisti pa precedent që Europa mori gjatë muajve të fundit, gjatë krizës gjeorgjiane dhe asaj financiare nën drejtimin e Sarkozisë. Europa, e ngjashme me veshjen e Arlekinit, u dha të gjithëve përshtypjen se ishte e bashkuar, kur në të vërtetë nuk ishte dhe megjithëse nuk kishte institucionet e duhura, e mbushi hapësirën e lënë bosh nga superfuqitë me një ekzekutiv ekzemplar.
Në kulmin e cunamit financiar, Sarkozi mblodhi në Paris më 4 tetor liderët e vendeve kryesore të BE-së, duke improvizuar një G4, që u mbyll nën presionin e Angela Merkel me koordinimin e thjeshtë të masave kombëtare, jashtë rregullave të paraqitura nga traktatet. Ndoshta asgjë. Por në këtë rast, Europa diti të bëjë atë që SHBA, origjina e krizës, nuk ishte e aftë të bënte. Nikolas Sarkozi, që pas shpinës kishte të ashprën Angela Merkel dhe në krah kishte Gordon Brown, në këtë rast të veçantë nuk krijoi Europën që nuk ekziston. Europa mbeti ajo që ishte.
Ndryshe, një entitet që në momentet e emergjencës nuk mund të zëvendësojë shtetet që janë të vetmit që mund të kenë legjitimitetin e vendosjes së masave të urgjencës. Nicolas Sarkozi nxiton, ai propozon gjithçka. Një herë e një kohë, kur ishte ministër i Financave, atij i dukeshin të mërzitshme mbledhjet e Brukselit, por tani po i shijon. Europa e ka tërhequr shumë. Synimi i kryesimit ndërkombëtar e josh dhe i shpërblen më mirë ambiciet e tij. Ai ëndërron një Europë franceze ashti si dhe paraardhësit e tij. Para se Gjermania të bashkohej dhe të pushonte së qeni një gjigant me këmbë argjile; i fuqishëm ekonomikisht dhe anemike politikisht. Dhe kur Parisi ishte ende qendra gjeopolitike e Perëndimit Europian. Nicolas Sarkozy është një pragmatist ambicioz. E provon këtë sa herë që Angela Merkel ridimensionon apo djeg projektet e tij dhe ai nuk resht së këmbënguluri sërish. Para Parlamentit në Strasburg, të hënën e kaluar, Nicolas Sarkozy shpjegoi në thelb arsyet pse kërkon të jetë president i Eurogrupit edhe gjatë vitit të ardhshëm, derisa një vend anëtar, Spanja në këtë raste të marrë presidencën e radhës në janar 2010. Ai nuk ka dëshirë të tërhiqet dhe t’ia lërë drejtimin pas dy muajsh një vendi të sapoanëtarësuar në BE dhe një huaji në grupin e eurozonës, në një kohë kur Vaclav Klaus, presidenti çek është shfaqur si një euroskeptik i hapur. Nëse në vend të Sakorzisë do të kishte qenë ai në krye të BE-së, gjatë muajve të fundit Europa do të kishte pasur një rrugë tjetër, dhe kriza s’do të kishte marrë fund. Duke respektuar parimin e barazisë mes të mëdhenjve dhe të vegjëlve, traktatet europiane kanë shokuar turnetë gjashtëmujore të presidencës së BE-së. Por emergjencat të nxisin të bësh përjashtime. Sarkozy mendon për një presidencës të eurozonës, që ka lidhje vetëm me 15 vendet anëtare të saj që përballen me krizën financiare dhe ekonomike, pasi janë të bashkuar nga e njëjta monedhë. Deri tani ka ekzistuar një eurogrup, por në nivelin e ministrave të Financave, jo të krerëve të shteteve dhe të qeverive. Kjo nuk është një ide e lehtë për t’u realizuar. Mund të “hedhë në erë” gjithë bllokun. E çfarë mendon Angela Merkel? Nicolas Sarkozy tenton, sidoqoftë. Është në karakterin e tij. Në ambiciet e tij, por edhe në aftësinë që ka. Siç e ka treguar.

“La Repubblica”



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›