E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katund komuna

Banorëve të komunës së Parteshit nuk iu ka ndryshuar jeta edhe aq shumë prej kur ky lokalitet i banuar tërësisht me serbë, me decentralizim është bërë komunë. Ata nuk kanë probleme etnike, por shumë ekonomike. Shpresojnë në ditë më të mira në të ardhmen. Shpresë të tillë ka edhe i pari i Komunës, Nenad Cvetkoviq Nga Nexhmije Ahmeti më 28 shkurt 2011 në ora 08:24

Vetëm hapësira gjeografike e bën Parteshin që të quhet përnjëmend komunë. Parteshi dhe dy fshatrat, Pasjan dhe Budrigë e Poshtme, që nga gushti i vitit të kaluar përbëjnë komunën më të re në Kosovë. Por që nga ajo kohë, fotografia e këtij lokaliteti që ishte nën administrim të komunës së Gjilanit, nuk ka ndryshuar shumë.

Pa rrugë të asfaltuar, pa rrjet të ujësjellësit, dhe me probleme të shumta. Objekti në të cilën është vendosur komuna është një shtëpi me qira. Më herët kjo shtëpi ka shërbyer si pompë e benzinës. Shihet se serbët edhe më tutje nuk mund të ndahen nga Serbia.

Nëpër rrugë, shumica e makinave përdorin tabelat e vjetra, ndërsa për shitblerje përdorin dinarin e Serbisë, por edhe valutën euro. Disa nga ta marrin ndihma nga Serbia e disa punojnë ku të munden, në Gjilan dhe gjetiu. Ka të atillë që kanë ikur jashtë vendit. Njëri ndër ta është djali i Dragana Mirkoviqit. Ajo tregon se e vetmja arsye që djali i saj ka ikur në Zvicër janë kushtet ekonomike.

“Punë nuk po ka për askënd këtu. Ndoshta ndonjëherë bëhet më mirë”, thotë Mirkoviq. Ajo mohon se kanë pasur ndonjëherë probleme të natyrës etnike. “Jo, jo. Probleme kemi por jo asfare. Problemet tona janë të shumta por më e rëndësishmja është gjendja e rëndë sociale”, thotë Mirkoviq.

Banorët e komunës së Parteshit që të gjithë serbë kanë problemet e njëjta me të cilat përballen shqiptarët në fshatrat fqinje. Gjendja e rëndë ekonomikë, papunësia, mungesa e rrymës janë disa nga ankesat e qytetarëve. Dushan Llaziq kishte dalë që të mbushte shishet me ujë te çezma e fshatit të tij e që tash quhet komunë. Edhe pse në moshë të shtyrë ky banor është optimist se gjithçka do të bëhet mirë. E pranon se gjendja është e njëjtë sikurse para gjysmë viti.

“Njëjtë është sikur atëherë. Por ndoshta në të ardhmen do të bëhet më mirë”, thotë ky plak. Ai më shumë dëshiron që gjendja të ndryshojë për të mirë të të rinjve të kësaj komune. Ky plak ka dëgjuar edhe për zgjedhjen e presidentit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Llaziq është i kënaqur nga të gjithë. Për të më me rëndësi është përmirësimi i gjendjes ekonomikë të të gjithë qytetarëve në Kosovë sesa kush janë emrat e udhëheqësve. “Nuk është me rëndësi a Thaçi, a Pacolli a Haradinaj.

Me rëndësi me u ba ma mirë”, thotë ky plak i cili në kokë mban “shajkaçen” e njohur si qeleshe e serbëve. Por Dushan Llaziq pranon se merr dy pensione, një nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë. Edhe fqinja e tij shprehet njëjtë, Dragana Mirkoviq, merr një ndihmë nga Serbia. “I marr 12 mijë dinarë në muaj dhe me ato jetojmë”, thotë Mirkoviq. Kjo grua nuk dëshiron që të flasë për Qeverinë e Prishtinës e as presidentin e ri.

“Nuk i njoh shumë ata njerëz. Por e vetmja gjë që mua më intereson është përmirësimi i jetës së qytetarëve këtu, por edhe në krejt Kosovën”, thotë Mirkoviq. Ajo tash së fundi është pajisur edhe me dokumente të Republikës së Kosovës. Këtë thotë se nuk e ka bërë prej zori, por se duhet t’i ketë. “Tash ky është vendi ynë, duhet t’i kemi dokumentet”, thotë Mirkoviq.

Dikush tjetër nga ky fshat nuk dëshiron që të dëgjojë as për Qeveri as për President e as për pavarësi të Kosovës. I riu, Marko Dimiq thotë se nuk do t’i pranojë kurrë institucionet e Kosovës e as dokumentet e saj. ai nuk dëshiron që të flasë shumë por tregon se është bërë gati për ta lëshuar Kosovën. Por dikush tjetër nuk mendon si ai. Nenad Cvetkoviq është kryetar i komunës së Parteshit.

Ky 41 vjeçar njeh të gjitha institucionet e Kosovës dhe respekton të gjitha ligjet që dalin nga to. Ai refuzon ndërhyrjet që vijnë nga Serbia dhe nuk pranon asnjë vërejtje nga ata. Është i vetmi nga serbët që ka uruar qytetarët me rastin e tre vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në zyrën e tij që gjendet në një objekt me qira në fshatin Pasjan, Cvetkoviq përcjellë lajmet që transmetohen në televizionin publik të Kosovës dhe në televizionet tjera kombëtare në gjuhën shqipe.

Më shumë e preokupojnë problemet tjera me të cilat përballen qytetarët e komunës së tij sesa ato vlerësimet që disa politikanë serbë i kanë. “Ata janë ekstremistë. Unë nuk merrem me ata. Për mua me rëndësi janë qytetarët jetojnë në Kosovë. Ne që jemi këtu do të vendosim për veten tonë”, thotë Cvetkoviq për Express.

Sipas tij, problemet mund t’i zgjedhë vetëm ai që i ka, e jo dikush tjetër që nuk i ka këto probleme. Cvetkoviq i cili ka marrë votat e qytetarëve në garën për kryetar thotë se pas katër vjetësh komuna e Parteshit do të ketë një fotografi krejt ndryshe. “Këtë ma ka thënë edhe Piter Feith në vizitën e tij para disa ditësh. Kemi përkrahjen edhe të Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, thotë Cvetkoviq. Ky kryetar vjen nga partia e pavarur liberale serbe e cila edhe në Qeverinë e sapoformuar merr pjesë me tri poste të larta ministrore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›