"Katyn", toka e nëmur

Nesër, ora 19.00, Akademia e Filmit dhe Multimedias "Marubi" shfaq filmin "Katyn", i realizuar në vitin 2007 nga regjisori i njohur polak Andrzej Wajda. I kushtohet masakrës së Katinit, një nga krimet më monstruoze staliniste, ekzekutimi i ushtarëve dhe oficerëve polakë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Me aktorët: Andrzej Chyra, Maja Ostaszewska, Artur Zmijewski. Filmi zgjat 118 minuta. Është në gjuhët origjinale në Polonisht, rusisht dhe gjermanisht, i subtitruar në anglisht dhe në gjuhën shqipe.
Në 17 shtator 1939, një grup oficerësh polakë burgosen nga ushtria sovjetike. Në qendër të filmit është Ana me të bijën Nika, që shkon për të takuar të shoqin, oficerin Andrzej, për ta bindur ta lërë luftën dhe të kthehet në shtëpi.
Andrzej i refuzon lutjet e së shoqes, dhe nuk e braktis formacionin dhe e çojnë në Bashkimin Sovjetik. Më vonë sovjetikët, shpërndajnë lajmin se oficerët polakë janë masakruar në pyllin e Katinit nga gjermanët.
Anës i bie në dorë ditari i të shoqit dhe aty zbulon, se krimet janë bërë nga ushtria sovjetike, në prill të vitit 1940. "Katyn" rrëfehet nëpërmjet optikës së tri grave: nënave, grave si dhe fëmijëve të viktimave. Filmi do të kandidohej për Oskar dhe ka fituar 13 çmime të tjera.
Me tragjedinë e ndodhur vetëm pak kohë më parë, më 10 prill, ku humbën jetën presidenti polak Lech Kaczynsky, gruaja e tij Maria dhe rreth 100 njerëz nga administrata e tij, duket sikur Katini është toka ku polakët nuk duhet të shkelin kurrë.
Pikërisht në këtë ditë, pas 70 vjetësh, Kaczynski dhe shpura e tij ishin nisur për në Katin për të përkujtuar viktimat, por gjetën vdekjen në një aksident ajror, në afërsi të aeroportit të Smolenskit, Rusi.