Trafiku i municionit luftarak, në pranga atë e bir

Policia ka ndaluar shtetasin Kodhel Kosova i cili ishte shofer në repartin e bazës së logjistikës, me qendër në Vërtop
BERAT - Dy persona u arrestuan dhe një i tretë është shpallur në kërkim nga policia e Beratit, pasi janë kapur në flagrancë duke transportuar disa arka me municion luftarak. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Beratit, komisare Valbona Qafa, sipas së cilës, të martën, në orën 08:00 në aksin nacional Berat - Urë Vajgurore është arrestuar në flagrancë 40-vjeçari Kodhel Kosova me detyrë shofer në repartin e bazës së logjistikës, me qendër në Vërtop.
Më pas është arrestuar në banesën e tij në lagjen "Donika Kastrioti" shtetasi Osmën Kosova, 71 vjeç. Po sipas versionit zyrtar të policisë, në makinë bashkë me Kodhelin ka qenë edhe Aziz Dyrmishi, 27 vjeç, banor në lagjen "Donika Kastrioti", i cili në momentin e kontrollit u është larguar forcave të policisë dhe tashmë është shpallur në kërkim.
Arrestimi i Kodhel dhe Osmën Kosovës, të cilët rezultojnë të jenë atë e bir, është bërë pasi shtetasi Kodhel Kosova ka qenë duke udhëtuar me një automjet tip "Benz" me targa SK 1966 A dhe është kapur në flagrancë në qytetin e Urës Vajgurore duke transportuar 11 arka me municion luftarak, që nënkupton një shifër prej 55 440 fishekësh.
Në momentin që është kapur Kosova, në makinë me të ka qenë dhe 27-vjeçari Aziz Dyrmishi, i cili ka mundur t'i shmanget arrestimit nga policia. Edhe pse policia nuk bën të ditur destinacionin e municionit, dyshohet që arkat me fishekë të kenë qenë të destinuara për t'u shitur në ndonjë nga qytetet fqinjë të Lushnjës apo Fierit.
Pasi ka sekuestruar 11 arkat me municion luftarak, policia ka vijuar kontrollin në banesën e babait të Kodhel Kosovës, ku ka arrestuar Osmën Kosovën, të cilit i janë gjendur dhe më pas sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 automatikë "kallashnikov" dhe 1 armë gjysmëautomatike mod 56. 71-vjeçari akuzohet për armëmbajtje pa leje, ndërkohë që mbi djalin e tij rëndon akuza e trafikimit të paligjshëm të municioneve luftarake.
Dyshohet se municionet mund të jenë siguruar në një nga repartet ushtarake të Beratit, megjithëse pritet një verifikim mbi arkat me municione në repartet përkatëse, në mënyrë që të vërtetohet burimi i tyre, por ndërkohë hetimet vijojnë për të zbuluar edhe blerësit.