Të shkarkohet prokurori i Durrësit, Gripshi

KËSHILLI I PROKURORISË
TIRANË- Në mbledhjen e së premtes së kaluar, anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme me vota unanime i propozuan kryeprokurores Ina Rama shkarkimin nga detyra të prokurorit të Durrësit, Dritan Gripshi.
Kjo masë ekstreme e anëtarëve të Këshillit, mësohet se është marrë pas shqyrtimit të raportit të Drejtorisë së Inspektimit të kryer në prokurorinë e Durrësit kohë më parë.
Ndërkaq, për tre prokurorët e tjerë, Dritan Gina, Ilir Turja dhe Eduart Karriqi, anëtarët e këshillit i kanë propozuar Prokurores së Përgjithshme masa më të buta disiplinore për shkeljet e ndryshme të konstatuar nga inspektimi i kryer në Prokurorin e Rrethit Durrës. Për prokurorin Drini Pali në mbledhjen e kaluar të datës 2 prill, anëtarët e këshillit vendosen që t'i propozojnë kryeprokurores Rama shkarkimin e tij.
Sipas burimeve zyrtare nga mbledhja e fundit (30 prill) e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme, mësohet se për shkarkimin e Gripshit nga detyra kanë votuar 6 anëtarët e pranishëm në mbledhje, ndërsa mungonte anëtari i shtatë për arsye objektive. Kontrolli në Prokurorinë e Durrësit, filloi që prej vitit të kaluar dhe vazhdoi për disa muaj me verifikimin e dosjeve penale të hetuara në këtë institucion.
Në përfundim të kontrollit, Drejtoria e Inspektimit hartoi një raport me shkeljet e gjetura dhe në përfundim u vendos që në rastin e pesë prokurorëve, të paraqitej në Këshillin e Prokurorisë propozimi për fillimin e procedimit disiplinor.
Pas fillimit të procedimit në këshill, prokurorët Drini Pali, Dritan Gina, Eduart Kariqi, Ilir Turja dhe Driton Gripshi, u thirren në mbledhjet e Këshillit për të dhënë argumentet e tyre apo edhe kundërshtimet, në lidhje me raportin e shkeljeve që është hartuar për punën e tyre në Prokurorinë e Durrësit.
Në përfundim këshilli vendosi me shumicë votash t'i propozojë kryeprokurores Ina Rama "ndëshkimin" e prokurorëve Dritan Gina, Ilir Turja e Edmond Karriqi me masën e vërejtjes me paralajmërim, ndërsa për prokurorin Drini Pali shkarkim nga detyra dhe për prokurorin Dritan Gripshi po ashtu shkarkim nga detyra.