E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenaret e dështuara të së majtës

09-09-2011 / Nga Ilirian Dahri

Në momentin më të vështirë të saj, qendra e djathtë italiane merr maksimumin e votës në Senatin Italian madje me një rezultat shumë të mirë, ku regjistrohen 165 vota pro, kundër 141 dhe tre abstenime. Një moment i vështirë i ngarkuar së tepërmi edhe nga manifestimet e sindikatave të majta ku nuk mungonin dhe ata të së majtës ekstra - parlamentare, për të cilët Renato Skifani do të nënvizonte: “Violenca është në kundërshtim me demokracinë”. Në kundërshtim me titujt e disa gazetave që nxisnin manifestimet, disa gazeta të tjera italiane kanë vënë theksin e tyre në dështimin e manifestimeve që e majta dhe grupet ekstra - parlamentare të majta kanë dashur të bënin. “Shkojnë në sheshe vetëm pensionistët”, ndërsa përfaqësuesit e partisë së Lidhjes së Veriut pranojnë se “edhe pse humbasim konsensus, nuk mund të linim vendin në duart e të majtës”. Në fakt, prej ditësh Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës (Cgil) kishte filluar manifestimet e saj kundër qeverisë italiane të Silvio Berluskonit, dhe manovrës financiare që shërbente për daljen nga kriza të Italisë. Si gjithmonë grupet ekstremiste të majta kanë të njëjtin skenar fillojnë me manifestime paqësore të cilat pastaj degjenerojnë deri në përleshje të dhunshme.  Por këtë herë, për hir të së vërtetës, kanë ndryshuar shumë gjëra themelore. Siç është rasti i qytetit të Gjenovës në Liguria, kur “populli” i Cgil është mbledhur, - shpeshherë të ardhur nga qytetete të tjerë me autobuzë gratis dhe me drekën të paguar nga Konfederata e Përgjithshme Italiane e Punës – por në momentin e himnit të Mamelit, himnit të Italisë - janë dëgjuar fishkëllima të cilat janë ndalur vetëm kur kanë filluar të dëgjohen notat e të “famshmes” Intenacionale. Gazetat e majta italiane flisnin për një pjesëmarrje shumë të lartë të punëtorëve në këto protesta – (doemos nuk mund të thonë të kundërtën, gjithsesi nga sektori i metalmekanikëve kishte një pjesëmarrje që arrinte në 25% të tyre),- kur prej ditësh propagandonin një grevë të përgjithshme të përhapur në të gjithë Italinë duke sjellë në kujtesën e lexuesve të tyre manifestimet dhe grevat e përgjithshme që janë kryer në Itali në vitet e kaluara. Edhe vetë liderët e majtë italianë kanë qenë të çorientuar, nëse duhet të merrnin pjesë ose jo në këto manifestime. Gjithsesi askush nuk ka dashur të mos ishte në krye të manifestuesve.  Janë mobilizuar të gjithë përfaqësuesit e opozitës, dhe ish- përfaqësuesit, të cilët shpeshherë, rasti i ish – presidentit të Këshillit të Ministrave të Italisë, D’Alema – janë fishkëllyer nga manifestuesit. Gjithsesi edhe pse me autobusë gratis dhe me bukë me vete manifestimet  nuk patën konsensusin e të gjithë punëtorëve, sepse një pjesë shumë e madhe e tyre nuk ishin dakord që këto manifestime të  zhvilloheshin në një kohë kur vetë monedha e përbashkët euro është në vështirësi dhe një ndalim i përgjithshëm i punëtorëve italianë do t’i kushtonte vetë Italisë rreth 5 miliardë euro. A ishte ky objektivi i sindikatave të kuqe të Italisë? Të sabotonin aprovimin e manovrës financiare dhe pastaj të godisnin qeverinë e Silvio Berluskonit? Sepse nga ana tjetër sindikatat jo të majta e konsideronin grevën të panevojshme dhe të dëmshme madje arrijnë deri aty sa të shprehen se :”Është një turp  pjesëmarrja në këto protesta dhe greva kur ndodhemi në një situatë jo fort të këndshme nga ana ekonomike”. Por sulmi më i madh ka filluar sidomos me gazetat që janë shprehur kundër grevës së përgjithshme, siç është rasti i gazetës “Corriere della Sera” e cila nuk doli në botim për faktin e thjeshtë se në faqet e saj ishte botuar  një artikull kundër kësaj greve të përgjithshme. Si rrjedhojë punëtorët e shtypshkronjës – më së shumti anëtar të Cgil - nuk lejuan daljen e kësaj gazete prestigjioze italiane. Gjithsesi kritikat për këtë fakt kaq të rëndë kanë qenë të shumta. Është folur se ky akt është një akt shumë i rëndë, sepse gazeta në fjalë ishte e vetmja që nuk doli në botim madje dikush ka nënvizuar faktin se kjo prek lirinë e shtypit dhe se ky akt mban në vetvete një shpirt stalinist duke u konsideruar më tej si një akt tejet i rëndë dhe diskriminues. “Një ndërhyrje tejet diskriminuese, në këtë mënyrë Cgil sulmon një të përditshme të caktuar që në ditët e fundit ka shfaqur një pozicion të qartë kundrejt manifestimit” - shkruan Alessandro Bardi. Ndoshta e majta dhe sidomos e majta ektsra - parlamentare besonin se të gjithë punëtorët do të dilnin në manifestime madje bënë gjithçka që ishte e mundur për të arritur tek qëllimi i tyre. Por thirrjeve të tyre, me anë të fletushkave dhe trakteve të shpërndarë në të gjithë Italianë, (nga Sicilia, në Romë, nga Milano në Piemonte), ju përgjigjën vetëm militantët e tyre të dhunshëm të grupeve të ndryshme të majta.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›