Berat, qendër ditore për moshat e treta
Qendër ditore për moshat e treta në Berat. Ceremonia e përurimit të kësaj strehëze për të moshuarit është zhvilluar dje paradite. Mësohet se qendra është një investim nga Kryqi i Kuq, dega Berat dhe “Vodafone Albania”. Qendra e re ditore është ngritur në një nga ambientet e godinës të sapo rikonstruktuar në lagjen “çlirim” në hyrje të qytetit të Beratit. Kjo strehëz do të jetë një prej katër qendrave që do të hapen me mbështetjen financiare të “Vodafone Albania” në të gjithë vendin dhe synon t’u vijë në ndihmë moshave në treta në nevojë. 50 të moshuar, me të ardhura ekonomike të pakta dhe pa mbështetje, do të kalojnë ditën në këtë qendër ditore, ku do t’u ofrohet ushqimi falas, shërbimi i nevojshëm shëndetësor, si dhe shumë mundësi për të kaluar kohën e lirë. Përfaqësuesja e Kryqit të Kuq, dega Berat, Tatjana Toska, u shpreh se kjo është e dyta qendër ditore që hapet për këtë kategori personash në këtë qytet. Për të garantuar shëndetin e tyre gjatë qëndrimit në qendër, të moshuarit do të kenë në dispozicion dhe ndihmën e parë shëndetësore, e cila nuk do të mungojë për asnjë moment.
#