Kavajë, arrestohet drejtori i Ujësjellësit
Arrestohet drejtori i Ndërmarrjes së ujësjellësit në Kavajë. Burime për Shekullin bëjnë të ditur se kreu i Ujësjellësëit të Kavajës, Gentian Daja, është arrestuar mëngjesin e sotëm nga forcat RENEA.
Juristi 35-vjeçar është emëruar në krye të Ndërmarrjes së Ujësjellësit një javë më parë.
Ndërkohë, policia nuk jep asnjë sqarim në lidhje me arrestimin.
Konflikti
Ndërrimi i Drejtorit të Ujësjellësit në Kavajë një javë më parë është shoqëruar me tension mes te majtëve e të djathtëve. Madje drejtori i komanduar nga demokratët, Elidon Plaku, ka kërkuar ndërhyrjen e policisë, duke pretenduar se po i dhunohet zyra.
Pas mëse një ore e gjysmë debatesh, Plaku ka liruar zyrën për Gentjan Dajën, te zgjedhurin nga këshilli i ri mbikëqyrës i ndërmarrjes së ujësjellësit, që dominohet nga te majtët. Por ish-drejtori ka kërcënuar me një tjetër padi penale.
Ndërmarrja e ujësjellësit të Kavajës ka si aksionere shtatë njësi vendore, ku të majtët pas zgjedhjeve të fundit kanë shumicën me 64%. / Mark Brunga