E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë, rrëshkitje dheri ne Synej, shemben 7 vila

Shtate banesa janë shembur tërësisht pas rrëshkitjes së dherave ne fshatin Bago te komunes se Synejit te Kavajes. Fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz vetëm dëme të shumta materiale. Rrezik dhe per disa banesa te tjera prane vilave tashme te shkaterruara 

KAVAJE-Banorët e fshatit Bago te komunës Synej të Kavajës janë përballur me një situatë të rëndë mëngjesin e sotëm. 7 banesa të llojit vila janë shembur tërësisht pas rrëshkitjes së dherave në tokën ku ishin ndërtuar godinat. Fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz vetëm dëme të shumta materiale.
Ka qënë ora rreth 03:00 duke u gdhirë dita e sotme kur banorët kanë ndjerë tu krisen muret. Ata kanë dalë menjëherë jashtë dhe rreth orës 07:00 të mëngjesit banesat janë shembur tërësisht pas fundosjes së tokës. Gropat e krijuara nga shembja e tokës kanë qënë të mëdha prej disa metrash. Ndërkohë rrezikojnë shembjen edhe 7 shtëpi të tjera në krahun e djathtë të shtëpive të shembura. Si pasojë familjet kanë evakuuar gjithçka nga banesat e tyre dhe janë në pritje të ndonjë ndihme. Redaksia e News24 nga Durrësi informon se është ngritur shtabi i emergjencës për rastin në fshatin Bago te komunes Synej. Banorët shprehen se shkak parësor ka qënë tërmeti i dy ditëve më parë dhe shirat e sotëm kanë shtuar shembjen e tokës që ishte krisur ditë më parë. 
Kryetari i komunës së Synejit, Përparim Çaça, tha se "shtatë familjet, me rreth 30 anëtarë gjithsej, janë strehuar tek shtëpi të tjera të fshatit dhe po ndihmohen nga autoritetet vendore". 
Fshati Bago numëron gjithsej rreth 1500 banorë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›