E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kazakistan, kryeprokurorja Rama: Lufta ndaj krimit të organizuar, prioritet

TIRANE- Lufta kundër krimit të organizuar është prioritet i prokurorisë së Përgjithshme, u shpreh Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, gjatë një takimi bilateral që zhvilloi me Prokurorin e Pergjihshëm të Kazakistanit, Askat Daulbayev, në kuadër të një vizite zyrtare që ajo po zhvillon në Kazakistan.
Zyra e shtypit në prokurorinë e Pergjithshme bëri të ditur sot se, dy zyrtaret e lartë trajtuan në takim çështje të problematikës që hasin insitucionet përkatëse të prokurorisë në përmbushjen e detyrës së tyre në zbatim të ligjit.
Kryeprokurorja, Ina Rama bëri një ekspoze të punës së Prokurorisë Shqiptare duke theksuar se prioritetet e punës së saj janë lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe trafiqeve.
Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm i Kazakistanit, Askat Daulbayev, shprehu interesin për shtimin dhe forcimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe me vendet evropiane. Duke shpjeguar faktin se Prokuroria e Kazakistanit ka kompetenca në fushën civile dhe monitoron edhe aktivitetin e firmave private, Daulbayev u shpreh se në Kazakistan ushtrojnë aktivitetin e tyre investitorë shqiptarë, të cilët me këtë rast u komplimentuan nga ana e tij për nivelin e tyre profesional.
Kryeprokurorja Ina Rama, mori pjesë në Konferencën e 6-të Rajonale të vendeve të Evropës Qëndrore dhe Lindore si dhe të Azizë Qëndrore të organizuar nga Shoqata Ndërkombetare e Prokurorëve dhe Prokuroria e Përgjithshme e Kazakistanit. Konferenca, e cila zhvillohet në Astana, Kazakistan, nga data 4 deri më 7 tetor 2011, ka si teme kryesore “ Roli i Prokurorisë në zbatimin e ligjit jashtë fushës së drejtësisë penale”.
Gjatë punimeve të Konferencës, Kryeprokurorja Ina Rama pati takime të shkurtra dhe kontakte me përfaqësues e titullarë institucionesh të vendeve të ndryshme, të cilët treguan interes për punën e Prokurorisë Shqiptare dhe u angazhuan për forcimin e marrëdhënieve mes tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›