E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kazanët e rakisë dhe përgjigjet për fshatin

 Ndok Malaj / lexues

Një lajm që bëri bujë të madhe ishte taksa për kazanin e rakisë dhe gjoba që vendosej në rastin e mos deklarimit të tij nga fshatarët e cila e quante sasinë mbi 100 litra si biznes që të paguhet taksë për çdo litër, a thua se këtu është ndonjë punishte e madhe në rangun e fabrikes së pijeve alkoolike. Ky mund të jetë fillimi se më vonë do të numërohen edhe rrënjët e mbjella, bagëtia që kemi, toka që punohet, kafshët e ngarkesës, makineritë që kemi dhe të gjitha këto pse mos të bëhen mbasi të subvencionon shteti?

Në vend që të stimulohet prodhimi vendas duke e ndihmuar nga barra fiskale, në këtë formë po ndëshkohen ata fermerë që mundohen të nxjerrin me shumë sakrifica pak të ardhura për të jetuar. Gjithmonë fshati ka furnizuar qytetin me produktet e veta dhe anasjelltas. Siç i thonë një fjale më mirë një zog në dorë se njëqind në hava. E thënë ndryshe, më mirë prodhimi vendas sesa nga importi. Siç po vejnë punët, do fillohet e të blihet alkool 90 gradë dhe pas përzieries me ujë do të shitet si raki e pastër.

Kemi parë se si qepa, molla, patatet vendase janë prishur sepse është sjellë nga importi ndoshta më lirë… Shteti është mirë që të ndihmojë fshatin me infrastrukturë, të kreditojë me kushte lehtësuese dhe makineri bujqësore, të bëjë kontrata për prodhimet e vendit dhe pastaj ti taksojë sipas prodhimit. Një gjë është e qartë nga të gjithë, se prodhimi vendas sidomos i atyre fshatarëve që nuk e kanë me plantacione ose sasira të mëdha, është komplet natyral pra bio që për kushtet që po vijnë ato prodhime duhet përdorur për ilaçe sikur ato që merren në farmaci, e jo ti vëmë taksë dhe pastaj edhe ata pak fshatarë që kanë mbetur të gjejnë një formë për ta braktisur përfundimisht fshatin.

Duke e braktisur tokën dhe fshatin atëherë do ja shtrijmë dorën shtetit duke iu lutur që të shtojë importin e duke pranuar çfarëdolloj çmimi. Përse mos të ndihmojë fshatarët shteti që të koperojnë njëri me tjetrin dhe të kenë drejtime të caktuara, kush për prodhimet bujqësore e kush për produktet blegtorale?

Mendoj se fshati në përgjithësi është lënë në harresë duke u mjaftuar me një përkrahje sociale simbolike dhe tani mendohet për taksë kazani që mund të pasohet nga absurditete të tjera. Nëse qeveria ndërhyn seriozisht për të përkrahur fshatin, do të shohim se shumë shpejt do të punohet e gjithë toka që është e lënë djerrë dhe prodhimi vendas do të rritet duke bërë kështu që të mblidhen edhe më shumë taksa. Fshati sot ka nevojë për ndihmë. Ka nevojë që ti vihet kazma tokës dhe jo fshatarit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›