Një funeral që rrezatoi qytetari e solidaritet
- Më shumë se 3000 vetë në funeralin e Iliaz Tahirajt –
Kronika e ngjarjes, sipas të dhënave të shtypit belg - Të shtunën, më 7 prill të këtij viti, rreth orës 7.00 të mëngjesit, ndodhi në Bruksel një aksident i rëndomtë automobilistik. Një autobus i shoqërisë STIB (Société des transoprts intercommunaux de Bruxelles – Shoqëria e Transporteve Ndëqytetare të Brukselit), u përplas me një veturë, ndërsa drejtuesi i kësaj të fundit shkeli rregullin e qarkullimit rrugor, duke kaluar në një semafor, ndonëse ishte ndezur drita e kuqe. Sipas rregullores së Shoqërisë, drejtuesi i autobusit njoftoi qendrën, e cila nisi për në vendin e ngjarjes kontrollorin e vet Iliaz Tahiraj. Njëherësh, edhe drejtuesi i veturës i telefonoi një shokut të vet për t’i ardhur në ndihmë. Vet i dytë, ky i fundit mbërriti në vendin e ngjarjes, pak përpara kontrollorit të STIB-it. Ndërkohë, kishte nisur një shkëmbim replikash të nxehta mes drejtuesit të autobusit dhe dy të sapoardhurve. Kur mbërriti kontrollori Iliaz Tahiraj, replikat e ndezura po shndërroheshin në sherr, ndaj ky i fundit, me urtësi, e futi kolegun në autobus dhe vetë filloi të kryente funksionet e kontrollorit, duke mbajtur shënimet përkatëse dhe duke bërë fotot e domosdoshme për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Bash në këtë çast, Iliaz Tahiraj u sulmua barbarisht prej njërit ose prej të dy të sapoardhurve. Aq i dhunshëm ishte sulmi, sa i sulmuari u dëmtua për vdekje. Viktima u dërgua urgjentisht në spital, por pa dobi. Për fat të keq, me gjithë ndihmën e kualifikuar të personelit shëndetësor, Iliaz Tahiraj humbi jetën.
Në shenjë proteste, tri sindikatat ku aderojnë punonjësit e STIB-it, shpallën menjëherë grevë të përgjithshme. Për rrjedhojë, pak përpara mesditës, u paralizua plotësisht shërbimi urban i Kryeqytetit të Mbretërisë. U mbyllën metrotë, kurse tramët dhe autobusët u kthyen nëpër depo. Të nesërmen dhe ditët që pasuan, funksionuan pjesërisht dhe pa rregull vetëm disa prej metrove: një, në çdo 15 – 20 minuta, kur e zakonshmja është një, në çdo tre-katër minuta. Qëllimi i vetëm i grevës ishte protesta spontane dhe kërkesa e grevistëve që të garantohej jeta e punonjësve të STIB-it, vënë në rrezik disa herë vitet e fundit nga shfaqje rrugaçërie. Pa precedent në historinë Brukselit, greva vazhdoi plot gjashtë ditë, deri ditën e varrimit. Ndërkohë, në rrugët e Kryeqytetit, u organizuan dy marshime paqësore, ku morën pjesë mijëra njerëz, kolegë të të ndjerit dhe qytetarë të zakonshëm.
Funerali u zhvillua me qetësi dhe me kulturë pasditen e së enjtes së kaluar. Më shumë se 3000 vetë, sipas shifrave të policisë, i bënë homazhet e fundit punonjësit të STIB-it. Mes syresh, ranë në sy shumë personalitete të qeverisjes federale dhe lokale, si: Ministrja e Brendshme, Joëlle Milquet, Ministri i Financave, Steven Vanackere, Ministrja brukselase e Trasportit, Brigitte Grouwels, burgmestri i Skarbeekut, Bernard Clerfayt, këshilltarja komunale e Skarbeekut, Isabelle Durant, etj.
Zhvendosja e trupit pa jetë prej morgut, drejt Skarbeekut, ku banon familja e të ndjerit, u bë rreth mesditës. Në orën 13.30, vetura e funeralit, shoqëruar nga një eskorte policie mbërriti në Xhaminë Shqiptare, në 60 de la rue Rogier. Me rastin e funeralit STIB-i vuri në dispozicion dhjetëra autobusë, për t’u dhënë mundësi punonjësve të vet t’i bënin homazhet e fundit kolegut të tyre. Autobusët mbanin në xhamin e parë fotot e të ndjerit, kurse policia, gjatë kohës të ceremonive fetare, ndaloi qarkullimin në rrugën Rogier dhe në rrugët që lidhen me të. Rreth orë 14.00, kortezhi i përmortshëm u nis për në varrezat e Evere-s dhe të Skarbeek-ut. Rruga në Evere që të çon drejt varrezave u bllokua tej e mbanë prej numrit të madh të autobusëve të STIB-it.
Tamam në orë 14.30, u mbajtën dy minuta zi në gjithë rrjetin e shërbimit urban të Brukselit, të Walonisë dhe të Flandrës, si edhe në rrjetin hekurudhor të vendit. Autobusët e shoqërive të Walonisë dhe të Flandrës, përkatësisht De Lijn dhe Tec, tramët, metrotë dhe trenat pushuan dy minuta në ndalesën më të afërt dhe i fikën motorët.
* * *
Komenti - E dhimbshme sa s’ka, kur mëson se një bashkatdhetar ka humbur jetën. Aq më tepër, kur fatkeqësia ndodh për shkaqe banale e krejt absurde. Lajmin e hidhur, e mora me telefon ndërsa kthehesha prej pelegrinazhit në Paris, në varrin e Mbretit Zogu i Parë. Nuk e kam pas njohur të ndjerin, ndonëse fotot e publikuara në shtyp e në internet, diç më flasin. Ndoshta jemi takuar në ndonjë veprimtari të përbashkët bashkatdhetarësh, ndoshta më bëhet mua se e kam takuar, pasi fytyra e tij ka thjesht fizionominë tonë, shqiptare. Nuk di të them. Apo, mos vallë, ngase më kanë lënë mbresa disa çaste të jetës së Iliaz Tahirajt, çka i mësova këto ditë prej gojës së atyre që e kanë pas njohur dhe kanë ndenjur me të? Për dashurinë dhe korrektësinë tij në punë, për detyrimet e veta si bir e si prind, për mirësinë, qetësinë dhe shkueshmërinë me të tjerët, më mirë sesa unë ka folur shtypi belg, kanë folur kolegët e tij të STIB-it, foli greva dhe dita e funeralit, që bashkoi 2500 – 3000 qytetarë, pa dyshim nga të gjitha komunitetet që e gjallërojnë jetën e Brukselit.
Familja e Iliaz Tahirajt ka emigruar në Belgjikë në fillim të viteve ‘60. I iku regjimit vrasës të Enver Hoxhës, siç i ikën edhe shumë malësorë të tjerë nga trevat kufitare të Shqipërisë, qoftë nga të Veriut, qoftë nga ato të Jugut. Zaim Murati, nga Shistaveci, kujton se asohere – ishte fundi i viteve ’50 – i ati, Islami, i shkroi Enver Hoxhës për dhunën që ushtronin në krahinë të përkëdhelurit e regjimit komunist, të cilët bënin ligjin si t’ua donte qejfi. Përgjigjja nga Komiteti Qendror ishte e thatë: “Enver Hoxhën e keni në fshat”. Kështu qenka? - kishte pyetur veten i zhgënjyer malësori i Shishtavecit. Nuk e zgjati. Brenda një nate, u ngrit me kuç e me maç e i la hijen Enver Hoxhës dhe gjithë enverhoxhëve të vegjël të kudondodhur anekënd Shqipërisë. I mbeti në vendlindje veç një vajzë e martuar, mbi të cilën rënduan të gjitha rrjedhojat e arratisjes së familjes, sipas formulës së luftës së klasave. Në rrethana të njëjta dhe gati në të njëjtën kohë, u arratis nga krahina e Kukësit edhe familja e Iliaz Tahirajt, asohere 5-6 vjeç.
Miku im, Durak Duraku, ndërsa pinim pardje një kafe, kujtoi peripecitë e kohës, kur sapo familjet e tyre lanë vendlindjen, për të marrë rrugët e emigracionit.
Isha 4 ose 5 vjet më i madh se i ndjeri Iliaz, - më tregoi Duraku. - Në fund të viteve ’50, na bashkoi kampi i refugjatëve në Gerovë të Kroacisë. Dimri i atij viti qëlloi i ashpër, ndërsa baraka-kazermë e refugjatëve nga Shqipëria, e madhe dhe e akullt. Sipas familjeve, e kishim ndarë me çarçafë të vjetër, me qilima e me çka na kishte ardhur përdore. Gani Iliazi, babai i gjashtëvjeçarit Iliaz Ganiu që mbante emrin e të gjyshit (Tahiraj – emri i farefisit), ngihej që menatë dhe ndizte një sobë të sajuar, e cila duhet të ngrohte gjithë mjedisin. Atëherë, ngriheshim edhe ne, të vegjlit, dhe e rrethonim sobën. Ishte zbavitja jonë e vetme. Ndoshta njësoj, - shtova unë. - Po të kishit ndenjur nën diktaturën e Enver Hoxhës, do të kishit pasur të njëjtin fat, por në kampin e Tepelenës. Edhe atje, me çarçafë e me qilima do t’i kishit ndarë mjediset familjare, kurse prindërit tuaj do të kishin mbaruar burgjeve politike ose do të kishin marrë dënimin kapital, si kundërshtarë të regjimit.
E solla këtë fragment të kujtimeve të Durakut, që t’i kundërvihem ndonjë anonimi, i cili komenton me ligësi veprimtaritë e nacionalistëve shqiptarë të emigracionit më se 50-vjeçar dhe fyen me arrogancë antishqiptari bindjet e tyre antikomuniste dhe sakrificat që bënë për liri e demokraci. Ata ishin dhe do të mbeten paralajmëtarët e rënies së Murit të Berlinit e të rrafshimit të Perdes së Hekurt komuniste. Nuk është sa ata e lanë vendin nga e mira. Përkundrazi. Nga tirania e Enver Hoxhës dhe e diktaturës së tij vrastare. Sa për mbroçkullat e Hasan Luçit, ish-rezident i Sigurimit të Shtetit në Paris, sipas të cilave Nasho Jorgaqi ka shkruar qysh herët një roman për një mërgatë imagjinare të qyqeve me të cilat ushqehen ende sot e gjithë ditën plot anonimë të tjerë “malcorë” e jo “malcorë”, do t’u rekomandoja atyre t’i hidhnin një sy intervistës së Sulejman Gjanës, dhënë para një muaji Gazetës Shqiptare. T’i hedhin një sy, por pa pasione. T’i gjykojnë veprimet e të tjerëve me koka të ftohta, që të mos fyejnë të gjallë të vdekur, të mos fyejnë edhe kujtimin e Iliaz Tahirajt, të cilin e nderoi gjithë Belgjika.
Mbresa që la në të gjithë opinion belg largimi nga kjo jetë i bashkatdhetarit tonë, do të mbetet e pashlyer për një kohë të gjatë. S’kishte ndodhur ndonjëherë në Kryeqytetin e Mbretërisë së Belgjikës, ta shoqëronin funeralin aq shumë qytetarë, një karvan aq i gjatë autobusësh dhe veturash. Komuniteti Shqiptar i Belgjikës pati rastin që, ndonëse i hidhur, të tregonte dinjitetin dhe vlerat e veta të qytetarisë. Asnjë incident nuk u shënua gjatë ceremonisë së përmortshme, madje as para dhe as pas saj. Këtë e mbajti shënim shtypi belg, ndonëse familjarët dëshironin që njeriu i tyre të përcillej sipas zakoneve dhe traditave tona. Po kush mund t’i mbante njerëzit të përcillnin në banesën e fundit një njeri të nderuar, viktimë e një sulmi barbar? Kush mund t’i ndalonte kolegët e tij t’i jepnin lamtumirën e fundit? Ishte kujtimi i tij që rrezatonte dritë, mirësi e solidaritet. Në fund të fundit, kush mund ta ndalonte aparatin e Asllan Krasniqit të fiksonte një çast tepër domethënës të virtyteve të pavdekshme shqiptare? Me lejen e familjarëve, Asllan Krasniqi sjell ekskluzivisht për gazetën 55 dhe për lexuesit e saj një dëshmi që nuk arritën ta fiksonin dot mjetet e informacionit belg, të cilat u kënaqën me pamje nga grumbullimi përpara Xhamisë Shqiptare ose nga lëvizja e kortezhit, por jo me pamje nga varreza.
Aq më tepër, për gazetën 55, u shpreh plot gojën njëri ndër të afërmit e Iliaz Tahirajt.