E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshpërimi i Kutelit në letrën e lamtumirës

15-04-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Kujtime nga koha e kasolleve (...) Në fillim të viteve pesëdhjetë, erdhëm sërish në Tiranë familjarisht. Ishim në kohën e zbaticës së luftës së klasave, sepse këtë kishte bërë edhe Hrushovi, në prag të Kongresit XX. Puna ime e asaj kohe ishte shofer në parkun e mallrave. Gjeta, madje, edhe një shtëpi: Në fillim të rrugës “Mine Peza”, përballë “Kafe Florës” së atëhershme, nuk di përse ishte lënë i pambaruar një pallat, që kishte mbetur karabina për një kohë tepër të gjatë. Në njërën nga zgavrat e kësaj ndërtese banonte një kushërira jonë. Ajo bisedoi me 6-7 familjet e tjera, - hallexhie si ajo vetë  dhe si né - dhe ato pranuan të vinim e të zinim një skaj që kishte mbetur, se mos futeshin të tjerë, të panjohur. Të katër shtyllave të kthesës së  shkallëve për në katin e tretë, iu mbërthyem hasra dhe kjo ishte “shtëpia” jonë. Tërhoqa prindërit dhe gjyshen nga vendet ku ishin degdisur pas dëbimit të 1949-s dhe babai, optimist në natyrën e tij, tha: -“Ekstra, s’ka më mirë”.
Në këtë karakatinë na erdhi për vizitë Dhimitër Pasko (Mitrushi). Si e gjeti shtëpinë, ku sapo kishim zënë një “kthinë” i thënçin? (Të vuajturit kishin një solidaritet të çuditshëm dhe ishin në informim të njëri-tjetrit). E mbaj mend shumë mirë Mitrushin, njeriun e qetë, me atë të folur të avashët, i qeshur dhe i ëmbël, që s’ta jepte përshtypjen në atë kohë se jeta do të kishte fuqinë dhe pashpirtësinë që ta shndërronte në një person melankolik, të dëshpëruar tejmase, të pashpresë, që do ta quante vdekjen “lirim nga dhembjet”.
Im atë e priti me krahëhapur, ashtu edhe nëna ime; por edhe unë e përqafova, si ta kisha njohur që më parë. Më kishin magjepsur tregimet e tij, artikujt letrarë e kritikë në atë revistën e njohur të katërshes së ’44-s. Kisha lexuar me etje vlerësimin që i kishte bërë Lasgushit dhe dija se ishte marrë me botimin e “Yllit të Zemrës” dhe të “Valles së Yjve” të Lasgushit, botime të një niveli europian. Më kishte bere për vete proza e tij që rridhte si ujët e burimit. Im atë e çmonte së tepërmi për pastërtinë e gjuhës shqipe (“Fëmijët i kam porositur të duan vendin dhe gjuhën tonë, gjer në vuajtje” - lexojmë në Lamtumirën e tij). Sigurisht që unë e njihja atë, si shkrimtar të madh, nga të rrallët e letërsisë sonë. Po ai nga dinte aq shumë për mua? Dinte se, pas përjashtimit nga shkolla, u mora menjëherë ushtar dhe maturën duhej ta bëja tani, pas gjashtë viteve. Dinte se kisha punuar në kriporen e Kavajës (Karpen) si gjeometër dhe tani: shofer! I pëlqeu optimizmi i babait tim. Na dha adresën e shtëpizës së tij. Vajta edhe unë me tim atë. Një mjerim i thellë, në një kolibe që të zinte frymën...Shumë nga librat i kishte nëpër kartona. Vuajtje më të rënda nga ato të Bulgakovit, që i bënte letra të njëpasnjëshme Stalinit. Por dramaturgu i shquar rus mbetej vazhdimisht në mjerimin e vet...
Krenar në varfërinë e tij. Kisha marrë vesh se nja dhjetë vite e gjysmë më parë ishte botuar një letër lamtumire e Kutelit, në prag të vdekjes. Le ta quajmë një Testament familjar. Letra i drejtohej së shoqes. Isha interesuar dhe e gjeta fare rastësisht , në një botim të një emisioni radiofonik. Ç’është e vërteta, për Kutelin është shkruar, pas shembjes së diktaturës, më pak se për Lasgushin. Për këtë poet krenar të lirikës shqiptare, më të madhin, di mjaft, shumë gjera: për  varfërinë e tij kronike, për shpërfilljen, për pagesat si përkthyes që s’i mjaftonin as për të nxjerrë pesëmbëdhjetëditëshin...
Por për prozatorin tonë të madh, Mitrush Kutelin, dashamirët tanë të letërsisë presin jo vetëm shkrime, por edhe libra. Monografitë për këtë model të prozës shqipe  tani sikur po shpeshtohen.  Dashamirët e shumtë të Kutelit i lexojnë me etje  shkrimet për jetën e tij të trishtuar, për shpërfilljen e regjimit, për burgosjen e një njeriu që ishte personifikimi i pafajësisë. Por me karakter, ama. I dobët në fatkeqësitë që i ranë si një rrebesh në kokë, por trim në varfërinë e tij, duke pas qenë tri herë drejtor bankash e duke mos rënë në kompromise vetjake, në vende të tilla që sot quhen fitimprurëse... Kemi të bëjmë, po, me një kurajë atdhetare në kundërvënien e guximshme ndaj prekjes së interesit kombëtar.
Duket se rrjedha po më çon në një portret-shëmbëlltyrë, domethënëse për njerëzit e sotëm të cilët dje u ndeshën me një korrupsion asfiksues, të shtrirë që nga kupola gjer tek ai i  thjeshti që duhet të të vinte vetëm një pullë në një shkresë, kurse sot kërkojnë të na mbushin mendjen se s’paska pasur të korruptuar, dhe korrupsioni na qenka një hamendje vetëm për të cenuar të drejtat njerëzore. Të djathtët e kanë denoncuar korrupsionin dhe kanë qenë veprues ndaj tij. Ndërsa të majtët kanë bërë vetëm  propagandë antikorrupsion dhe, pastaj, bashkëpunuan me ish-prokurorin e përgjithshëm Theodhori Sallaku,  që t’i lërë nën velin e harresës, të korruptuarit majtistë, për të cilët vetë E. Rama, kishte thënë se “e kishim me hak humbjen e pushtetit” (2005).  Por ishte një shakà. Se tani ish-kryeprokurori është anëtar i Asamblesë Parlamentare socialiste! Dhimitër Pasko nuk i duronte këto hipokrizi. Si kryefinancier i diplomuar me nota të shkëlqyera në Bukuresht, e ruante pasurinë publike me devotshmërinë e njeriut të ndershëm. Dhe mbeti i varfër. Vuajtja, burgu, sëmundja. Dhimitër Paskoja, si shumë intelektualë të tjerë të ndershëm, i kishte mundësitë të bënte një jetë të qetë, por edhe komode, - do të thosha, - jashtë shtetit, qoftë edhe në Rumani. Kishte ngritur zërin e tij të frymëzuar, kundër pushtimit të shtatë prillit të ’39-s, me poema të një atdhedashurie të zjarrtë. Kishte edhe vetëdijen e një njeriu të dëlirë, të pastër, të pakorruptueshëm. A nuk ishin cilësi të mjafta që të çmohej në atdheun e tij, në vendin e tij, një person me vlera intelektuale të spikatura ? Por e pësoi si shumë të tjerë. Mirash Ivanaj erdhi pas 7 prillit. Dhe vdiq në burg. V. Kokona, në kujtimet e tij, e ka bërë lajtmotiv atë “kur s’të dëgjova, o Ernest!”. Foto Bala dhe Fejzi Dika i kishin edhe ata të gjitha mundësitë që t’i shmangeshin një regjimi që ua kishte bërë jetën të ethshme...
Mitrushin e “sajdisën”, fillimisht, duke i dhënë vendin që meritonte në Lidhjen e Shkrimtarëve. Por regjimi ndezi, në ditët e para, atë llambën e bukur ndriçuese ku fluturat do të digjnin jo vetëm flatrat e tyre, por edhe vetveten! Jo vetëm M. Kuteli, por edhe të tjerët, disa prej të cilëve u përmendën, u trajtuan sa më zi s’ka, jo sepse ishin “kolaboracionistë”. Një refren shurdhues, ky, që u bë shtysë e një  terrori të shfrenuar. Madje jo vetëm Kuteli, por edhe të tjerët, disa prej të cilëve u përmendën, ishin antifashistë në kuptimin që e kishin shfaqur hapur dhe vetvetishëm kundërveprimin e tyre intelektual ndaj pushtimit. Por nuk mjaftonte: regjimi donte edhe diçka më shumë: të ishin jo letrarë, por propagandistë të sistemit të ri, i cili nuk vonoi ta nxirrte fytyrën e tij të vërtetë.
Duke qenë i panënshtrueshëm në këtë synim, Kuteli vuajti, u burgos dhe u sëmur (Janë tri folje, të renditura në Lamtumirën, që pasqyrojnë një jetë të tërë... Jetë skëterre si pasojë e tyre... “Desha të të shkruaj me dorë, por nuk mundem. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqija (Tregohet ëndrra e frikshme, në letrën që i drejtohej bashkëshortes së tij, Efterpit, që kishte shkuar në Rrushkull, për të parë Poliksenin dhe Atalantën: “e ndiqnin për ta vrarë”). Fundja do të vdes, - thashë. Do të shpëtoj. Do të çlodhem (...). Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar.... Sa mirë që mbaroi (I sollën lajmin se kishte vdekur Th.C.). Sipas mendjes sime shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur kohët e fundit. Njëra, që ti ma di, është si pasojë e tyre. Nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete dhe për fëmijët. S’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit...”.
A ka vuajtur gjer në këtë farë feje, gjer në përmendjen e bukës së gojës, qoftë edhe një injorant, në atë botën perëndimore, që ish-regjimi ynë e përshkruante si të mjerë, ndërsa sistemin tonë propagandistët trushkulur e paraqisnin si parajsën tokësore? Ata  përemrat i tyre, të tjerët, është qartësisht e kuptueshme se për cilët është fjala: “Ta kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qenë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po ju sjell”. Dhe në një mënyrë çuditërisht të thukët e përmbledh të gjithë kalvarin e tij dhe të familjes, në një trinom: burg, urbanizëm, hotel (Për brezin e ri, që s’i kupton disa terma: urbanizëm, domethënë ajo shkresa e paçavures që të vinte befasisht, me vendimin e një forumi të lagjes, se je i dëbuar nga qyteti dhe duhet të largohesh brenda kaq orësh... Po ku të shkojë njeriu i shkretë? – Nuk e di, shko në hotel... Po me ç’pare, gjersa këto të mungojnë edhe për bukën e gojës?). Po t’i shtosh edhe sëmundjen, qoftë të shpifur edhe nga keqtrajtimi, do të kuptohet mirë dëshpërimi i thellë i Mitrushit, gjersa ta quante edhe vdekjen shpëtim.
Shpjegimi i varfërisë së njeriut të ndershëm. “Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka një mijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin, duke marrë shpërblimin për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të na grabisnin. Nuk i ndalon dot të tëra. Jo se s’desha, por se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave” (si titullar i Bankës). (Ka pasur ndër mend edhe: “Kundër grabitjeve të komunistëve”, jam i sigurt. Por ja që s’mund t’i thoshte të gjitha. Të merrte më qafë edhe familjen?). Por a lejonte regjimi kundërvënie ndaj këtij veprimit të fundit? Ishte koha e bashkim-vëllazërimit...
Atdhedashuria. “Kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël (...). Kam qenë kundër rusëve sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë”.
Popuj mbi popuj! Me tri fjalë flitet për popuj zotërures dhe popuj të zotëruar, për popullin që paska të drejtën të vërë sovranitetin e vet mbi sovranitetin e popullit tjetër (fqinjë) që na u dashka të ketë sovranitet të kufizuar, apo te ketë një status më shumë se autonomia dhe më pak se pavarësia. Veçse nëse unë duhet të kem më pak, ti mëton të kesh më shumë.  Me ç’të drejtë? Me atë të popullit më të madh? Apo e paske atribut nga Perëndia që të kesh sovranitet të tepërt, në krahasim me atë popullin tjetër, autokton, josllav, me gjuhë krejtësisht të ndryshme?
A thua se, në pikë të hallit dhe të dëshpërimit, megjithatë Kuteli ka qenë profetik dhe ka parashikuar sesi do të katandisej kombi ynë me ato lëshime që i janë bërë nga një regjim vasal, fqinjit verior, që kishte premtuar se pas Luftës do të bëhej referendumi për statusin e Kosovës? Dhe një amanet fëmijëve, Pandit, Atalantës, Dorit: Duajeni vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Mos u ligështoni kundër Shqipërisë edhe nëse vuani pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret”.
Ç’zemër e madhe, edhe në prag të vdekjes. Fjala Atdhe në penën e këtij mjeshtri të gjuhës së pastër dhe të metaforave, ka kuptimin e veçantë që më duket se duhet zbërthyer: Mitrush Kutelin e vrau vendi i tij. E vrau “Atdheu” i komunizmit. Por komunistët s’kanë atdhe! Në ditët e pasdiktaturës, që Mitrushi nuk i përjetoi, të gjithë njerëzit e ndershëm, ata që përulen me respekt ndaj figurës së letrarit të madh, por edhe të njeriut të madh, kanë ç’të përfitojnë për një vetëndërgjegjësim të shëndoshë: Të jesh njeri, në kuptimin më sublim të fjalës. Paraja pa djersën e ballit është faqja e zezë, për ata që mburren me këtë lloj pasurie. Një mësim i madh për ditët e sotme.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›