Misteri i Kryqit në çdo kohë dhe çdo kulturë
Dr.Kesiana Lekbello.
Në kohët e lashta historia e njerëzimit ka gjetur gjithmonë tek bashkimi i dy akseve që kryqëzohen simbolin e hapësirës qiellore dhe pafundësinë e Gjithësisë. Për rrjedhojë çdo kulturë ka ditur të manifestojë nëpërmjet simbolit të kryqit Gjithësinë universale, misterin dhe ndjenjën e diçkaje që nuk njihet deri në fund.
Nga India në Persi, nga Asiri e deri në Greqi, nga kulturat nordike Celtike e deri në Amerikë gjejmë formën e kryqit të gdhendur nëpër shpella, të pikturuar nëpër mure, të zhgarravitur nëpër gurë dhe deri tek prodhimet e para me baltë, pra një simbol i caktuar që përfshinte në lashtësi të gjitha kulturat primitive. Dikur për popullsitë antike Gjithësia e universit lidhej ngushtë edhe me 4 pikat kardinale në tokë; majtas-djathtas, poshtë-lartë kishte një kuptim të plotë; aksi vertikal konsiderohej si personifikim i forcës dhe pushtetit, ndërsa aksi horizontal personifikonte shkëmbimet tregtare, udhëtimet.
Në Egjiptin e lashtë forma T që mbyllej lartë me një gjysmë rrethi tregonte forcën e çelësit që hapte dyert drejt jetës së përhershme përtej varrit, në kultin e Isides ishte shumë i përhapur, por jo vetëm tek kjo perëndi. Në kulturat afrikane shenja e kryqit do të thoshte, mundësin e rrugës së shenjtë që njeriu do të ndjekë mbas vdekjes.
Tek Actekët në Meksikë shenja e kryqit përfaqësonte perëndinë e zjarrit, ndërsa në shumë kultura të tjera forma e kryqit tregonte Pemën e Botës dhe të Jetës. Për romakët shenja e kryqit ishte simbol i të dënuarit me vdekje i kryqëzuar. Romakët e quanin arbor infelix, steril, shenjë vdekje që kundërshtonte arbor vitae. Pra një copë druri horizontal lidhte krahët e hapura të dënuarit me vdekje, patibulum, dhe trasportohej nga i dënuari deri tek vendi i vdekjes ku ndodhej copa tjetër vertikale, formohej ajo që ne quajmë edhe sot kryqi, crux.
Arrihet kështu në një ditë prill të vitit 30 c.a. që kryqëzimi i një personi i quajtur Jezu Krisht shënon në historinë e njerëzimit një simbol universal, simbol i vërtetë i vuajtjes, sakrifikimi personifikimi i trupit tonë. Krishti vdes në kryq njëlloj siç vdisnin të dënuarit me vdekje në kohën e Perandorisë Romake, vdes në kryq, por nuk ka asnjë faj. Vdekja e tij në pafajësinë më absolute përfaqëson trishtimin më të thellë. Krishti nuk vdiq sepse dëshironte i Jati, vdiq sepse e Dënuan njerëzit që nuk e besonin për ato që thoshte; njerëzit ju vërsulën kundër duke e sharë dhe goditur; Krishtin nuk e vrau drejtësia por tradhtia, e vrau hakmarrja, egoizmi, ligësia e vrau dhuna dhe injoranca. Krishti me fjalët e tij jashtë mase pozitive kërkonte ndërgjegjësim dhe besim, Ai ndihmojë dhe shërojë, por jepte Bezdi, ndaj duhej hequr qafe, duhej të eliminohej.
Si mund të pranohej Mesia, Maestri që quante veten i Biri i Zotit, si mund të pranohej barazia e burrit me gruan siç Krishti këshillonte, si mund të kërkonte Ai, që i varfëri të ndihmohej, si mund të kërkonte ndershmëri, barazi dhe drejtësi, duhej të mbante zakonet, por kur zakonet janë ofenduese si mund të kuptohen, e jo. Krishti uli Nënën e tij Maria në krye të sofrës, i dha dinjitet prostitutës sepse mbi të gjitha ishte njeri, fali dhe ngushëllojë hajdutin, madje edhe kriminelin, duke i treguar rrugën e drejt dhe jo mëkatin, në fjalët e tij nuk gjen paragjykim por vetëm Mirësi.
Krishti ishte jo vetëm Biri i Zotit por Revolucionari më i madh i çdo kohe, prandaj u kryqëzua, sepse përhapte Dritë. Imazhi i tij i kryqëzuar u bë imazhi që Falë mëkatet: në momentet e fundit kërkojë falje për ata që po e kryqëzonin, nuk ju përgjigj violencës ndërkohë gozhdët kryqëzonin qengjin e urtë: ulurinte e gjora nënë poshtë kryqit, por nuk dëgjonin as romakët dhe as çifutët, deri në momentin e fundit qeshnin dhe talleshin ndërkohë që jepej Shpirt.
Pikërisht kjo vdekje dhe jo vdekjet e tjera në kryq, Tronditën Botën, u kryqëzuan prapë njerëz mbas Krishtit, por në sytë e botës mbeti Imazhi i tij, mbetën fjalët e tij, mbeti Dashuria e tij për njerëzimin, kjo mbetet fitoja më e madhe që Krishti solli me vdekjen e tij. Ai, Shërbëtori i Zotit i kryqëzuar si leckaman mbeti përjetë Fitues. Pashkët nuk janë vetëm kujtesa e vdekjes, janë dhe do të mbeten gjithmonë simboli i Rilindjes. Krishti është gjallë, vërtetë është gjallë. Christus Triumphans; in hoc signe vinges.