E Diel, 1 Nëntor 2026

Kejdi Jashari shpallet "Miss Shqipëria 2011"

17-vjeçarja nga Tirana, Kejdi Jashari, ka qenë ajo që ka rrëmbyer kurorën e më të bukurës shqiptare, mbrëmjen e dhjetë korrikut në kalanë e Krujës. Mes 31 konkurrenteve të ardhura nga të gjitha trevat shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve, por edhe prej vende perëndimore ku jetojnë prej vitesh, bukuroshja nga Tirana ka arritur të dallojë, duke fituar kurorën e ëndërruar. Vajza nga Tirana, e cila sapo i ka dhënë fund studimeve në vitin e dytë në Kolegjin Turk, mes emocioneve, lotëve dhe përqafimeve të mikeshave të saj të reja ka vënë mbi kokë kurorën e bukurisë, e cila e shndërron në të njëjtën kohë edhe në përfaqësuesen shqiptare në disa evente ndërkombëtare të bukurisë, ekskluzivitet i "Deliart Association".

Ndërkaq shoqëruesja e parë u shpall Entela Bebri, ndërsa shoqëruesja e dytë e "Miss Shqipëria" Enxhi Qehaja. Pozimi para fotografëve i treshes fituese i ka dhënë fund në orët e vona të së dielës, edicionit të 13 të "Miss Shqipëria", i cili këtë vit u organizua në Krujë mbi një skenë gjigante të ngritur në një sipërfaqe prej 800 metrash katrorë. Por përveç garës së fortë, në destinacionin e fundit të shtegtimit të këtij viti, "Miss Shqipëria 2011" solli edhe një spektakël të shkëlqyer, me të ftuar dhe surpriza të shumta. Performuan, nën drejtimin e prezantuesit Alert Celoaliaj, disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, ndërkohë anëtarët e jurisë së këtij viti, emra të rëndësishëm në artit, kulturës, medias etj. ndanë disa fasha fituesesh. Në pjesën e spektaklit interpretoi Devid Xherahu, i cili ka prezantuar këngën e tij të re, të shoqëruar nga një klip i realizuar me 31 konkurrentet e këtij viti. Të ftuar nga producenti Petri Bozo ishin edhe Big Basta, Eneida Tarifa, Dr. Flori dhe emra të tjerë të mëdhenj të skenës, të cilët sollën para publikut sharmin, elegancën dhe shijen e muzikës së mirë e performancës së zgjedhur. Krahas tyre, performanca e vetë vajzave, të cilat garuan për të rrëmbyer kurorën që prej një viti e mbante bukuroshja Nevina Shtylla, sollën një natë vërtetë të paharrueshme në kalanë Heroit tonë Kombëtar. Në destinacionin e këtij viti vajzat u vendosën tri ditë përpara spektaklit, kohë kur filluan përgatitjen për natën gala të dhjetë korrikut. Para kësaj konkurrentet, ashtu siç është bërë traditë tashmë, shijuan një tur të gjatë i cili filloi në Veri, vazhdoi në skajet jugore të Shqipërisë për t'u përmbyllur në Krujë.

Stacioni i parë ka qenë një tjetër qytet historik, ai i Prizrenit në Kosovë, ku vajzat janë pritur nga drejtuesit lokalë dhe kanë vizituar monumentet historike të qytetit. Në Kosovë ato ka bujtur edhe në qytetin e Suharekës, ku gjithashtu kanë gjetur mikpritjen speciale shqiptare, e cila është shoqëruar edhe nga minispektaklet që bukuroshet organizojnë përgjatë turit të përvitshëm të "Miss Shqipërisë". Në kthim vajzat janë ndalur në Hotel Continental në Vorë, ku një javë para natës finale u zgjodh "Miss Bikini 2011", e cila për këtë vit ishte 16-vjeçarja Sara Gjoni, basketbolliste e ekipit kombëtar. Prej këtij rrugëtimi turi ka vazhduar drejt Jugut për të ndalur afër skajit më jugor, në Ksamil. Atje ato kanë shijuar bukuritë natyrore, freskinë e detit dhe traditën vendase, e cila ka vijuar me një udhëtim turistik përgjatë bregut deri në Vlorë, një tjetër qytet i përfshirë në hartën e vendeve që duheshin vizituar këtë vit. Stacioni i fundit është shënuar në Krujë, ku përveç vendeve historike vajzat kanë vizituar edhe teqenë e Sarisalltëkut, shpellën që fshihet nën majën e malit që mban edhe qytetin e Skënderbeut. Ndërsa impenjimi i tyre i fundit ka qenë përgatitja për spektaklin, prezantimi në të cilin kësaj here është më i lehtë për to, meqë mbrëmja e së dielën nuk do të jetë eksperienca e tyre e parë e daljes në skenë. Sepse vajzat e Miss Shqipërisë këtë vit kanë qenë të pranishme në një tjetër event të organizuar nga Deliart Association, "Netët e klipit shqiptar", ku kanë qenë protagoniste të sfilatave me fustane firmosur Sherri Hill, sponsor zyrtar i "Miss Univers".

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›