Open Days në UET, Guida VIP e Eneda Tarifës e Anjeza Shahinit
Megjithëse është koha e përfundimit të sezonit të provimeve në universitete, shoqëruar edhe me të nxehtin e korrikut, gjë që i ka larguar të rinjtë drejt bregdetit duke e lënë të zbrazët kryeqytetin, Universiteti Europian i Tiranës zhurmonte nga vizitorët e rinj. Jo vetëm dyert, por i gjithë kampusi Universitar ishte i hapur me informacione rreth fakulteteve, degëve, profileve të ndryshme, master-ave profesionale e atyre shkencave që UET ofron.
Dje ishte dita e pare e “Open Days”, takimeve të hapura ku shumë të rinj nga Tirana, të ardhur nga rrethet, por edhe nga jashtë Shqipërisë, kanë preferuar të shkëputen nga bregdeti dhe pavarësisht ditëve të nxehta të vizitonin Universitetin Europian të Tiranës, në hollin e të cilit gjetën jo vetëm të gjitha informacionet që i nevojiteshin një të riu në kërkim të një universiteti të mirë për t’u përgatitur profesionalisht: broshura, libra, informacion verbal, por morën edhe një mikpritje dashamirëse nga stafi i pedagogëve dhe nga dy prej studenteve VIP, Eneda Tarifa dhe Anjeza Shahini. Ato me buzëqeshje e përzemërsi kaluan orë të tëra në shoqërinë e studentëve, duke kujtuar edhe njëherë kohët kur ato vetë zgjodhën UET-in për të studiuar, por edhe duke i ndihmuar studentët në kërkimin e informacionit të duhur.
Përveç degëve që Universiteti Europian i Tiranës ofron në tre fakultetet e tij, Juridik, Ekonomik dhe të Shkencave Sociale, të rinjtë u interesuan mjaft edhe për degët që kësaj here vijnë si risi jo vetëm nga Universiteti Europian i Tiranës, por në të gjithë Shqipërinë. Shumë tërhiqeshin nga dega Grafik Dizajn, e cila vjen jo vetëm si trend apo tendencë e kohës, duke gjetur përdorim të gjerë në fushën e reklamave, modës, medias së shkruar e elektronike etj., por që në përfundim të këtyre studimeve janë një siguri në tregun e punës me një diplomë profesionale dhe formim universitar, i cili deri më tani ka mbetur vetëm në nivelin e kurseve profesionale.
Po ashtu edhe Dega e Sociologjisë dhe Antropologjisë sociale, e cila sjell Antropologjinë si degë për herë të parë në Shqipëri, ngjalli mjaft kuriozitet. “Sapo kam ardhur nga Greqia. Jetoj me familjen aty dhe jam kthyer në Shqipëri për të nisur studimet këtu. Kam dëgjuar shumë për Universitetin Europian të Tiranës dhe një shoqja ime, e cila ka studiuar këtu në UET më ka folur shumë mirë, kështu që vendosa edhe pas këtij informacioni të plotë që mora nga pedagogët këtu, të regjistrohem menjëherë në degën e Sociologjisë dhe Antropologjisë Sociale”, u shpreh një e re vizitore në këto ditë të hapura.
Përveç degëve në nivelin Bachelor për të rinjtë që sapo kanë dalë nga ethet e maturës shtetërore, UET ofronte informacion edhe për studentët që duan të nisin studimet master, duke sjellë për herë të parë dy master-a ndërkombëtarë, si ai në Psikoterapi Pozitive, që gjen një gamë të gjerë përdorimi si këshillues, psikoterapistë, këshillues për të rinjtë e fëmijët, psikologë klinikë, këshillues familjesh, trajnerë, menaxhues konfliktesh etj., dhe Qeverisja e Korporatave, një Master prestigjioz për studentë që duan ta kuptojnë në thellësi praktikën e qeverisjes së koorporatave, në dritën e standardeve europiane dhe legjislacionit ekzistues.
Gjatë ditës një grup të rinjsh, të komunitetit rom. pasi kishin dëgjuar për ditët e hapura në Universitetin Europian të Tiranës erdhën të interesoheshin për nisjen e studimeve universitare me anë të bursave sociale që UET ofron çdo vit për komunitetet në nevojë. Në një takim me ta, presidentja e Universitetit, Dr. Teuta Dobi, i mirëpriti dhe u siguroi se edhe këtë vit UET do të japë bursa për këtë komunitet, duke u ofruar studimet në degët që ata dëshirojnë.
Në ushtrim të përgjegjësisë sociale, Universiteti Europian i Tiranës i jep rëndësi përfshirjes sa më të madhe në komunitet, përfaqësimit dhe ndihmës së grupeve në nevojë, duke iu dhënë përparësi edukimit të fëmijëve të komunitetit Rom dhe Ballkano-Egjiptian. Duke e ditur që arsimi në këto komunitete është plaga më e madhe, Universiteti Europian i Tiranës mbështet përfshirjen dhe edukimin e vazhdueshëm të tyre”, u shpreh Ermira Danaj, shefe e Departamentit të Sociologjisë dhe Antropologjisë Sociale dhe drejtuesja e Zyrës së Kujdesit ndaj Studentëve. Nuk është viti i parë që UET ofron bursa sociale. Në bashkëpunim me drejtuesit e disa shoqatave, si shoqata e Jetimëve, shoqatat e Invalidëve, shoqata e Romëve etj. universiteti ka ofruar çdo vit bursa. Po ashtu në bashkëpunim me Shoqatën e Familjeve të Policëve të rënë në detyrë dhe me Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë drejtuar nga zonja Liri Berisha, UET ka akorduar bursa. Jo vetëm kaq, por në mbështetje të të rinjve, UET ofron edhe Bursat e Ekselencës për nxënësit e shkëlqyer, si edhe bursat e talentit që fitohen me anë të konkurseve që UET zhvillon çdo vit për të rinjtë në përfundim të shkollës së mesme,
Të rinjtë mundën të shihnin nga afër edhe mjediset e kampusit universitar, sallat e studimit, bibliotekën e pasur me tituj, sallën e kompjuterëve, ku studentëve u ofrohet shërbimi i internetit falas etj. Një kampus që këtë vit vjen i dyfishuar në hapësirë e kapacitete sipas rritjes së Universitetit. “Ky ishte një komunikim i drejtpërdrejt e i hapur me të rinjtë. Ne i ndihmuam me informacionin e nevojshëm për ta, por edhe morëm përshtypjet dhe dëgjuam zërin e tyre se për çfarë kanë nevojë të rinjtë sot”, vijoi znj. Danaj.
Pas kësaj atmosfere që zgjati nga mëngjesi deri pasdite, Ditët e Hapura në UET do të vijojnë edhe në datat 12 dhe 13 korrik, ku priten të tjerë të rinj të interesuar për ta zbuluar nga afër universitetin, për të krijuar kontaktet e para me pedagogët e ardhshëm, për t‘u njohur me lëndët e degës që do të zgjedhin, ku pedagogë të shquar të Universitetit, por edhe personazhe Vip, të cilët kanë studiuar në UET, do të mirëpresin të rinjtë, duke krijuar kështu për herë të parë një traditë të mirë të një komunikimi dhe njohjeje të drejtpërdrejtë në universitet me studentët e ardhshëm.